OPINION

Midis mësimit në shkollë dhe jetës, unë zgjedh JETËN. Po ju?

Për të mirën e gjithsecilit prej nesh, familjes tonë, duhet të propozojmë mbylljen e shkollave, për një periudhë të shkurtër dy ose tre javore. Nuk cenohet procesi mësimor, për një periudhë kaq të shkurtër! Jeta jonë, PO!

COVID-19, a do të bëhet COVID-20?

A do të rritet, edhe ai bashkë me ne?


Këto ishin disa nga pyetjet që kisha unë, vitin që lamë pas.

Kaluam pushimet në stinën e verës, me maska, alkool për duart, lloj - lloj dezinfektanti për higjienën në shtëpi. KAOS!

Kemi harruar, çfarë është përqafimi, puthja e njerëzve të dashur!

Kemi harruar, të marrim frymë pa maskë!

Jemi larguar nga njëri-tjetri, me 2m largësi.

Nuk po na vjen më njeri në shtëpi, rrofshin lokalet!

Po harrojmë fytyrat e njëri - tjetrit, sepse treçerekun e fytyrës e mbulon maska.

Eh, sa gjëra kanë ndryshuar!

Sars - COVID2, ka ardhur me energji pozitive. E dini pse? Sepse rastet pozitive me COVID2, po arrijnë majën e Everestit.

Shumë debate, diskutime, biseda, kishte për fillimin e këtij viti shkollor. Vazhdon  akoma të ketë tanimë, akoma më shumë. Një situatë ankthi, frike, paniku është krijuar.


Shumë mësues janë infektuar, disa prej kolegëve, kanë ndërruar jetë. 


Pritej kjo situatë, apo jo?!


Secili prej nesh, ka thënë: "Larg nga dera ime". Po ky bakter, është aq i vogël, sa hyn edhe me derë mbyllur. Çdokush nga ne, e ka kaluar ose po e kalon këtë virozë vdekjeprurëse. Disa prej nesh, kanë humbur pjesëtarët e familjes. Familjarisht, e kaluam këtë virozë, por me një pjesëtare të familjes më pak. Viroza, i mori jetën, për 48 orë.


Kjo virozë, ka sjellë trishtim dhe pasiguri për jetën. 

A jemi të rrezikuar? 

Të gjithë, pa përjashtim jemi. Personalisht, nuk kam qenë pro hapjes së shkollave. Arsyeja dihet dhe po shihet! Në çdo shkollë ka koleg\e të infektuar dhe jo pak, por disa.

Shumë nxënës të infektuar dhe karantinuar. Pritej edhe kjo, apo jo?!  Por, këta nxënës kanë qenë në klasë, shkollë...

Kanë folur, përqafuar, por edhe puthur njëri-tjetrin. Ah, se harrova,  i kemi pasur ne, në klasat tona.


Numri i kolegëve të infektuar, po rritet frikshëm, i nxënësve po ashtu. E kuptoj që, një mbyllje e dytë, do të ishte jo efektive përsa i përket arsimit. Si nga ana psikologjike, po ashtu edhe didaktike.


Në këtë situatë që ndodhemi, e shoh të udhës që, për një periudhë të shkurtër, të mbyllen shkollat. Jam e bindur që do të ulej numri i  infektimeve në arsim. Fëmijët e ciklit fillor,  janë mbartës dhe transmetues të virozës, ata nuk preken nga viroza, vetëm e transmetojnë atë. 


Për të mirën e gjithsecilit prej nesh, familjes tonë, duhet të propozojmë mbylljen e shkollave, për një periudhë të shkurtër dy ose tre javore. Nuk cenohet procesi mësimor, për një periudhë kaq të shkurtër! Jeta jonë, PO! 


Midis mësimit në shkollë dhe jetës, unë zgjedh JETËN. Po ju?



Nga Etleva Qorri, nëndrejtoreshë në shkollën “Ali Demi”, Tiranë




Përgatiti për publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

9,033 Lexime
3 vjet më parë