IDE KREATIVE

Mësuesja nga Kosova zbulon mënyrën e veçantë për të kujtuar ditëlindjet e nxënësve

Pasioni për të bërë gjëra të bukura shoqëron shumë mësues gjatë eksperiencës së tyre profesionale. E tillë është edhe mësuesja Ariana Gala Rizvanolli, e cila ka krijuar mënyrën e saj unike, për të identifikuar ditëlindjet e nxënësve.

Pasioni për të bërë gjëra të bukura dhe inovative shoqëron shumë mësues gjatë eksperiencës së tyre profesionale. E tillë është edhe mësuesja Ariana Gala Rizvanolli, nga shkolla At Gjergj Fishta, Gjakovë, e cila ka krijuar mënyrën e saj unike, për të identifikuar ditëlindjet e nxënësve. Ajo kërkon që çdo fëmijë në klasën e saj të ndihet i veçantë dhe secili të gëzojë maksimalisht në ditën e lindjes. Ju prezantojmë me idenë e saj origjinale.  


Ariana Gala Rizvanolli: Jam mësuese prej tetë vitesh dhe këtë vit kam klasën e parë. Festat më kanë pëlqyer gjithmonë. Nxënësit janë fokusi im dhe dua që ata të ndihen të kënaqur. Pse jo shkolla të shërbejë edhe si një formë argëtimi. 


Ideja është tërësisht e imja. Në fletët me ngjyra, në formë ëmbëlsirash kam shënuar secilin muaj, në mënyrë që nxënësit të shënojnë emrat e tyre në muajin kur kanë ditëlindjen. Në këtë mënyrë ne e dimë se kush e ka ditëlindjen në këtë apo atë muaj. 


Eksperienca më ka mësuar se gjërat e vogla bëjnë diferencën. Nxënësit gëzohen kur shokët dhe shoqet e klasës i urojnë për ditëlindje. Ato ndihen të privilegjuar atë ditë. Dashuria për të vegjëlit dhe për t’i bërë ata të ndihen mirë është çelësi i arritjeve profesionale dhe i ideve kreative. 


(Përgatiti P. Shtini; Portali Shkollor)

6,203 Lexime
5 vjet më parë