Dedikim

Mësuesja Mimoza Keçi, dedikim për maturantët e saj: Mes nesh nuk ka lamtumirë…

“Jeni 42 maturantë, ku unë tek ju kam lënë zemrën, mendimet dhe kujtesën time”, me kaq emocion shprehet Mimoza Keçi në dedikimin që ja kushton maturës përmbyllëse të karrierës së saj si mësuese e gjuhës dhe letërsisë.

Kaluan apo nuk kaluan 3 vite? Në të vërtetë ikën…(koha nuk lidhet...) dhe ju nxënës maturantë ja ku jeni sot, të gjithë bashkë përpara betejave të provimeve të jetës.


Kur ju njoha fillimisht ishit të ndrojtur, të brishtë, flisnit pak, për të mos thënë se heshtnit, faqet skuqeshin, lëvizjet trupore shtoheshin, sepse ju donit të flisnit, të tregonit, por letërsia kërkonte nga ju më shumë që të bëheshit herë prezantues e shpjegues, herë argumentues e analizues dhe herë gjykues e zbulues të nënteksteve, ideve e mesazheve dhe aq më shumë të faktit, pse ato janë arte, letërsi dhe krijime. 


E për këtë juve ju duhej pasurim, lëmim, latim i gjuhës që artikulonit, trillim dhe guxim. Kështu, fjala juaj filloi të rrjedhë, të ligjërojë, të tingullojë, të tejkalojë tekstet duke ju bërë ju ligjërues të qartë, të saktë, eufemistikë, kumbues dhe artistë të vargut të poezisë, të prozës shqipe e botërore. Duheshin 3 vite dhe vite “Koliqi”, që të ndodhte kështu bashkë me rritjen tuaj.


42 maturantë, 42 dashuri të ndryshme, karaktere dhe shije plot ngjyra, por ju u bashkuat në vlera, në dashurinë për mësuesit tuaj, në pasionet tuaja, në respektin dhe arritjet tuaja.


Jeni 42 maturantë, ku unë tek ju kam lënë zemrën, mendimet dhe kujtesën time. Vitet përsëri do të rrjedhin, por ju si zogjtë shtegtarë do vini përsëri këtu për të prekur nga afër adoleshencën shkollore tuajën, për të përqafuar mësuesit tuaj. Ata do të jenë përsëri aty, edhe pse ndonjë prej tyre do të jetë larguar, ka lënë kujtim fjalën e thënë apo të shkruar dhe frymën e dashurisë për ju.


Ju maturantë i përkisni së ardhmes, do gdhendni imazhe dhe mesazhe të reja, ju do jeni arkitektët modernë të zjarrit prometean, ndërtues jo të dilemës, por të zgjidhjes hamletiane, shtegtarë të udhëtimit dantesk në rrugën e virtytshme, kërkues të lumturisë faustiane duke lënë gjurmë në historinë njerëzore. 


Do të udhëtoni nëpër botë si shpirtëra të lirë, por besoj shumë, se do të bashkoheni gjithmonë në gjakun tuaj, në vlerat dhe humanizmin tuaj. “Koliqi” dhe mësuesit e tij, ju ndihmuan të rriteshit cilësisht si profesionistë, por edhe fisnikërisht si njerëz të botës së qytetëruar.


Suksese në rrugën universitare maturantë të dashur!

Mes nesh nuk ka lamtumirë…!




Nga mësuesja e letërsisë Mimoza Keçi

©Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

7,642 Lexime
1 vit më parë