Mësuesja Manushaqe Hoxha Laçi: Arsimimi, prioriteti ynë
E kemi vërtetuar në të gjitha kohërat që jemi të pamposhtur në çdo lloj situate dhe nuk na mungon vullneti për të punuar me zell e përkushtim duke e forcuar bashkëpunimin mësues-nxënës-prindër. Nuk mund të kemi një mendje të hapur me vizion të qartë e horizont largpamës nëse nuk jemi të arsimuar dhe edukuar.
Sot vazhdoi procesi mësimor-edukativ pas pushimeve dimërore në arsimin parauniversitar, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë.
Situata e krijuar nga pandemia ndryshoi tërësisht mënyrën tonë të të jetuarit, vepruarit dhe sigurisht që preku dhe sistemin arsimor.
Me masat e marra dhe riorganizimin praktik përballë këtij armiku të padukshëm do ia dalim mbanë. Është e lodhshme për mësuesit të punojnë me dy turne me orar të zgjatur dhe sigurisht që nuk është e këndshme për nxënësit të jenë të ndarë në grupe paradite e pasdite. Por po të hedhim sytë në tjetër këndvështrim klasa e ndarë në dy grupe duket si një familje e vogël ku dëshirat dhe kërkesat e gjithsecilit janë më të dukshme. Dhe si në raste festash që ndjejmë kënaqësi kur bashkohemi po presim festën e madhe të fitores përfundimtare që t’i rikthehemi normalitetit.
Mësuesi do të vazhdojë të ushqejë në shpirtin e secilit nxënës dëshirën dhe aftësinë për të ndërtuar një dinasti që askush të mos e shembë ku me përpjekjet e tij shërben si drita për atë që don të largojë errësirën nga padituria, si dielli për atë që dëshiron ngrohtësinë e të nxënit duke qenë mbështetje e përkrahje për nxënësit, me dëshirën dhe synimin që ëndrrat e tyre të marrin jetë pasi gjithçka e ndërtuar me shpirt i jep shpirt gjithçkaje! Jeta ka të përpjetat e tatëpjetat e saj por ne synojmë të arrijmë në destinacion pa u dorëzuar e veçanërisht arsimin duhet ta mbajmë të pathyeshëm si bazë e ecjes përpara dhe zhvillimit të një kombi.
E kemi vërtetuar në të gjitha kohërat që jemi të pamposhtur në çdo lloj situate dhe nuk na mungon vullneti për të punuar me zell e përkushtim duke e forcuar bashkëpunimin mësues-nxënës-prindër. Nuk mund të kemi një mendje të hapur me vizion të qartë e horizont largpamës nëse nuk jemi të arsimuar dhe edukuar me norma të larta të shoqërisë. Gjithmonë duhet të jemi këmbëngulës në kërkim të qëllimit të rrugës që zgjedhim për arritjen e synimeve madhështore. Brezi i ri është e ardhmja që do të ndriçojë nga brendësia e shpirtit dhe mendjes duke ecur drejt shtigjeve të reja, në rrugë të pashkelura ku do të lërë gjurmë të pashlyera. Në orët edukative (dhe jo vetëm) vazhdojmë t’u shpjegojmë nëpërmjet bashkëbisedimit se nuk duhet vetëm të ëndërrojnë për suksesin por të punojnë për ta arritur si dhe të luftojnë për të mposhtur padijen e jo vetëm për një notë të lartë.
Nxënësit do të vazhdojnë të ushqehen me dije jo vetëm në shkollë por dhe nëpërmjet leximit të vazhdueshëm e videove mësimore të përgatitura për të gjitha temat mësimore që themelet e kështjellës së tyre të të nxënit të jenë të sigurta dhe të patundura nga tërmetet e jetës!
Suksese në rrugëtimin e gjatë të dijes të gjithë mësuesve dhe nxënësve!
Nga Manushaqe Hoxha Laçi
Mësuese kimie në gjimnazin “Skënderbeu” Krumë, Has.
Publikim N.Allkja Biçaku
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Tronditjet në shoqërinë tonë shqiptare/ Përse të rinjtë po rriten “të mbyllur” në një shoqëri të hapur?
Bukurie A Hajdarmataj: Letërsia dhe ndikimi i saj në formimin e karakterit të nxënësit
Vlerësimi i punës së mësuesit sipas standardeve të fundit