Reflektim

Mësuesja Malvina Lamçe Rista: Sa i nevojshëm dhe i rëndësishëm është trajnimi i specializuar i mësuesve?

Mungojnë trajnimet dhe specializimet e vazhdueshme në fushën e arsimit. Mësuesi formon individin e së nesërmes kështu që duhet të jetë i kompletuar në çdo aspekt, sidomos në atë njerëzor, që shpesh e lemë në harresë. Sa pranë është këtij brezi dhe sa arrin të futet në botën e tyre?

Kohët e fundit në vendin tonë gjërat morën një rrjedhë jo të zakonshme dhe ndryshimet ishin drastike dhe të menjëhershme në fushën e arsimit. Për herë të parë kushtet në të cilat na gjunjëzoi pandemia botërore, na detyruan të zbatonim disa elementë të rinj dhe të panjohur më parë. Mësimi online ishte ende një koncept teorik deri diku i lexuar nga një pjesë, e për të tjerë, jo vetëm që nuk ishte i lexuar, por nuk kishte as minimumin e informacionit. Kështu që u përballëm me një sfidë e cila në dukje ishte tepër e vështirë për t’u kaluar. Në çdo aspekt të jetës, sa i takon profesioneve të veçanta, specializimet janë thelbësore. Kështu që u deshën trajnime të vazhdueshme derisa arritëm të përshtateshim disi me realitetin e ri. Kjo gjë mungonte dhe duhej bërë kohë më parë dhe jo atëherë kur u vendosëm me shpatulla pas murit. 


Mungojnë trajnimet dhe specializimet e vazhdueshme në fushën e arsimit. Mësuesi formon individin e së nesërmes kështu që duhet të jetë i kompletuar në çdo aspekt. Sidomos në atë njerëzor, që shpesh e lemë në harresë. Sa pranë është këtij brezi dhe sa arrin të futet në botën e tyre? Sa afër këtij botëkuptimi të ri është?! 


Kohët ndryshojnë dhe bashkë me këtë ndryshim duhet të përshtaten edhe arsimtarët. 

Duke ruajtur gjithmonë profesionalizmin, të arrijnë të futen në botën e fëmijëve duke i frymëzuar përmes shembullit që ofrojnë dhe jo duke i detyruar apo kërcënuar me anë të notës. 

Duhet të largohemi nga mentaliteti i vjetër kur mësuesi vendosej në qendër të vëmendjes, sot janë nevojat e fëmijës në qendër, por gjithmonë duke respektuar figurën e mësuesit, që e "imponon" respektin me shembullin që paraqet. Sigurisht që kundrejt një figure të formuar, specializuar në mënyrë të vazhdueshme dhe pranë koncepteve të brezit të ri, nxënësi do priret drejt një respekti më se të natyrshëm. 


Andaj, le të shërbejë ky shkrim si thirrje kundrejt strukturave të posaçme në fushën e arsimit, që mungojnë specializimet e mësuesve. Kemi nevoja të theksuara në këtë drejtim. Jo të gjithë mund të veshin përparësen e bardhë e të japin dije. Dija është art më vete, që kërkon punë, përkushtim dhe lexim të vazhdueshëm. Po e mbyll me këtë mesazh: Kush guxon të japë mësim, nuk duhet të resht kurrë së mësuari!




Shkroi mësuesja Malvina Lamçe Rista

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,465 Lexime
1 vit më parë