INTERVISTË

Mësuesja Klevi Pove: Arti i pajis fëmijët me lente të reja për ta parë botën në versionin më të bukur

Klevi Pove, mësuesja që pasionin e ka shndërruar në profesion. Në një intervistë për Portalin Shkollor Albas, flet me një pasion të madh për të bukurën, pikturën dhe mësimdhënien.

Klevi Pove, mësuesja që pasionin e ka shndërruar në profesion. Në një intervistë për Portalin Shkollor Albas, flet me një pasion të madh për të bukurën, pikturën dhe mësimdhënien. Klevi, në profesion piktore dhe mësuese dëshiron që nxënësit e saj ta shohin botën përmes ngjyrash.



Klevi, ju jeni mësuese e Artit Pamor, por në fakt keni studiuar për pikturë. Pra nga njëra anë kemi të bëjmë me një piktore dhe nga ana tjetër me një mësuese. Pse keni zgjedhur që pasionin tuaj ta vini në funksion të mësuesisë? 


Kanë qenë disa arsye në fakt, por ajo që më dha një shtysë më të fortë drejt kësaj rruge, ishte dëshira për të mbjellë te fëmijët dashurinë për artin dhe kulturën, si dhe njëkohësisht për t’i pajisur ata me lente të reja për ta parë botën, për të parë pjesën më të bukur të saj, dhe pse jo edhe për ta ndryshuar atë.



Duket se edhe jetën tuaj e shihni përmes ngjyrash. Sa e lehtë është t’ia përçoni këtë nxënësve tuaj dhe sa e rëndësishme është që edhe ata ta shohin botën në po të njejtën mënyrë? 


Nëse arrin që nxënësit t’i duash, të të duan dhe t’i bësh të ëndërrojnë, asgjë nuk është e vështirë.



A ndikon arti i mirë në krijimin e një kulture solide të një fëmije? 


Jo vetëm kaq, por arti ndikon në shumë aspekte në formimin dhe jetën e një fëmije. Ai i ndihmon ata të shprehin ndjenjat dhe emocionet, duke kryer kështu një funksion terapeutik, u mundëson atyre të krijojnë raporte të shëndosha me të tjerët dhe gjithçka që i rrethon. Mbi të gjitha, arti i ndihmon fëmijët të njohin dhe pranojnë veten në përpjekje për t'u bërë vetja e tyre më e mirë.



Orët tuaja mësimore orientohen drejt lirisë. A ju lejon infrastruktura e shkollës ku jepni mësim të realizoni një orë mësimore me të gjitha kushtet e dëshiruara? 


Infrastruktura, si çdo strukturë mbështetëse në procesin e të nxënit është shumë e rëndësishme, por ajo që ka një rol vendimtar dhe që të jep krahë për ta bërë të pamundurën të mundur, janë kapacitetet njerëzore. Kur arrin të krijosh marrëdhënie të shëndosha me nxënësit, prindërit dhe komunitetin, dhe kur të prijnë drejtues apo drejtuese vizionare, që e vlerësojnë të bukurën dhe e mbështesin të renë, kushtet krijohen dhe asgjë nuk është e pamundur.



Në secilën temë, ju trajtoni artin e një epoke apo vendi të caktuar. Kjo është një zgjedhje juaja apo e programit të përcaktuar nga Ministria e Arsimit?


Përgjatë viteve të arsimit 9-vjeçar, nxënësi duhet të njihet me të gjitha periudhat e zhvillimit të artit, si edhe me drejtimet artistike përkatëse. Sigurisht që gjithçka kryhet duke u bazuar në programin e miratuar nga MASR, ku “Historia, arti dhe shoqëria” është njëra nga tre tematikat e lëndës së artit pamor. Ajo përfshin gjithë zhvillimin e artit, duke filluar nga parahistoria, deri në artin bashkëkohor.



A janë nxënësit tuaj të apasionuar pas artit dhe mbi të gjitha a ndikon një mësues i mirë në rrënjosjen e kësaj dashurie? 


Nxënësit janë të ndryshëm dhe dihet që secili ka prirjet dhe pasionet e tij, por arti pamor, ndoshta edhe për vetë specifikën e lëndës, i jep hapësira gjithsecilit për ta gjetur veten. Pa dyshim që roli i mësuesit është shumë i rëndësishëm për ta bërë nxënësin që ta dashurojë lëndën. Duke ju kërkuar ndjesë për mungesën e modestisë (qesh), dua të ndaj me ju disa fjalë zemre nga një nxënëse, që më erdhën ndërmend tani. Teksa po përshëndeteshim pasi nuk do t’i jepja më mësim, ajo më tha: “Nxënësit që do të kenë do të jenë më fat. Shpresoj që t’i bësh edhe ata të lumtur, ashtu siç na bëre ne”. Aty kuptova se sa i rëndësishëm është roli i një mësuesi në jetën e një nxënësi, pasi ata kanë nevojë sigurisht të jenë të aftë, ta duan dijen, ta vlerësojnë të bukurën dhe artin, por mbi të gjitha, kanë nevojë të jenë lumtur. Dhe janë pikërisht këto fjalë, të cilat më japin forcë të ngrihem, sa herë që rrëzohem. Faleminderit, Sara!



Dukshëm ju jeni nga ato mësuese që thyeni çdo “tabu”, apo standard formal, të asaj që ne jemi mësuar ta shohim një mësuese. Nuk jeni mësuesja me përparësen e bardhë, e vrenjtur dhe me një shkumës në dorë. A jeni ndjerë ndonjëherë e paragjykuar për  këtë fakt, apo keni ndjerë mbështetjen e kolegëve? 


Sot, mjafton fakti i të qenit pjesë e fushës së artit dhe i gjithë opinioni, përfshirë këtu edhe kolegët, e marrin të mirëqenë që ti do jesh pak ndryshe (qesh). Sigurisht që ndryshimet nuk pranohen aq lehtë dhe në mënyrë të menjëhershme, pasi të bëjnë të dalësh nga zona e rehatit, por megjithatë gjithmonë jam ndjerë e përkrahur dhe e vlerësuar nga kolegët, për mënyrën e të parit dhe të realizuarit të gjërave. Nuk mund të lë këtu pa përmendur një nga koleget e mia më të mira, motrën time Inën, me të cilën më bashkon i njëjti pasion për artin dhe mësimdhënien. Edhe pse në qytete të ndryshme gjithmonë konsultohemi me njëra tjetrën dhe ndajmë njëkohësisht problemet dhe emocionet e përditshmerisë, që na ofron puna jonë. Në fakt periudha e distancimit fizik që përjetuam nga pandemia, në mënyrë paradoksale, na afroi më shumë me njëra-tjetrën, duke na frymëzuar edhe për disa bashkëpunime në distancë. E me këtë rast dua t’u jap edhe një mesazh nxënësve, të cilët mund të hasen me vështirësi jo të pakta në etapat e ndryshme të jetës. Për t’i përballuar ato, është shumë e rëndësishme që nga çdo situatë, sado e keqe, të dijnë të marrin më të mirën e mundshme. Është e vërtetë që jeta na ofron shume sfida, por është shumë interesant fakti se si me optimizëm, kembëngulje dhe pak kreativitet, ne mund t’i kthejmë ato në mundësi.



Edhe një pyetje të fundit. Si do t’i motivosh nxënësit për periudhën e verës, në mënyrë që dita e tyre të jetë e mbushur me aktivitete?


Dua t’i them vetëm që në art, mësuesja më e mirë është natyra. Të dalin sa më shumë në natyrë, sidomos pas kësaj periudhe të një lirie të munguar. Ta shijojnë atë, ta vështrojnë me vëmendje dhe ta pikturojnë. Dhe mos të harrojnë, që hapi i parë për t’u bërë një vizatues i mirë, është të jesh një vëzhgues i mirë.


Ju ftojmë të ndiqni disa prej videove mësimore, të realizuara artistikisht.

Intervistoi: Parajsa Shtini

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,241 Lexime
4 vjet më parë