Mësuesja Drita Topjana: Tani është koha për reflektim
Më mirë se asnjëherë tjetër po e kuptoni se shkolla qenka një vend, një institucion i shenjtë dhe si i tillë duhet të reflektojmë pozitivisht, për shkollën, për arsimin dhe për mësuesit në veçanti, ku mësuesit para së gjithash duhet t`i lëmë hapësirën e duhur për të shprehur talentin dhe aftësitë e tij.
Përshëndetje nxënës!
Ky vit shkollor do të mbahet mend gjatë gjithë jetës tuaj/tonë, se si sa hap dhe mbyll sytë, shkollimi juaj dhe mësimdhënia jonë kaloi nga shkolla në shtëpi. Megjithatë personalisht dhe duke ndjekur klasën time, mendoj se po ja dalim shumë mirë, falë punës dhe përkushtimit të prindërve, duke na pranuar, mbështetur me këto kushte dhe në këto kushte që na zuri kjo situatë e papritur. Gjithashtu mund të them se motivimi ka qenë i trefishtë, si rrjedhojë e trekëndëshit mësues-nxënës-prindër.
Tani le të kthehemi te situata në të cilën ndodhemi. Le ta mendojmë këtë që po ndodh si “lufta” ndërmjet të mirës ndaj të keqes. E keqja është kjo pandemi e cila kapi mbarë globin, botën dhe po zhduket gradualisht, falë rregullave dhe urdhërave që janë vendosur nga instancat shtetërore të çdo vendi dhe drejtpërdrejt nga ekspertë të fushës së mjeksisë.
Mbaj mend para disa vitesh se si një vajze të vogël në moshën 10-vjeçare i iku i ati në emigrim. Ajo ishte në klasë të katërt, ndërkohë që ishte pranverë si në këtë pranverë/periudhë që po kalojmë këtë vit. Ajo nuk dilte dot të shëtiste, të shkonte për vizita te të afërmit, as në plazh, pasi nuk ndjehej e sigurtë mami i tyre, sepse të rrisësh fëmijët vetëm është përgjegjësi e dyfishtë. Kështu ngelën brenda gjatë gjithë pranverës dhe verës. Vajza filloi të shkruajë poezi, ndër të tjera, disa vargje të saj ishin; “babi shumë na mungon, por durimi nuk është kot”.
Prandaj të dashur nxënës, bëni sa më shumë durim, duke zbatuar rregullat dhe udhëzimet që u japin të rriturit, sepse rregullat dhe urdhërat janë vendosur dhe vendosen për t`u zbatuar nga të gjithë dhe jo për të mbyllur njërin sy apo për t`u anashkaluar, siç bëjmë rëndom dhe pasojat flasin vetë. Për të keqen nuk është nevoja të flasim më gjatë.
Le të kthehemi te e mira, e mira është që gjatë kësaj kohe që po kalojmë, të gjithë po reflektojmë pozitivisht, pavarësisht humbjeve apo pikëllimeve që mund të kemi apo po përjetojnë njerëzit nëpër botë, e mira gjithmonë triumfon. Mendoni për një moment se bota pushoi së “ekzistuari”, por kuptojeni gjithmonë pozitivisht. Thoni me vete se, një diell i ri po rilind, një planet të ri do të na risjellë. Ai si një rreze e artë po pastron gjithësinë dhe mos harroni se dielli shndrit më shumë se në asnjë vend tjetër këtu në Shqipëri. Edhe Toka vërtetë kishte nevojë për ringjallje, edhe natyra ka nevojë për qetësi. Gjëja më pozitive është se ajri po pastrohet gjithandej në mbarë rruzullin tokësor.
Siç thashë pak më lart se rregullat janë bërë për t`u zbatuar dhe jo për t`u anashkaluar. Prandaj le ta mendojmë këtë situatë që po kalojmë edhe si pasojë e sjelljeve njerëzore në mbarë botën. Në këto moment na bie ndër mend fjala e urtë popullore se; “Çfarë do të mbjellësh do të korrësh” Dhe vërtetë njerëzimi me natyrën nuk është sjellë shumë pozitivisht. Njeriu gjithçka e mendon në interesin e tij, dhe harron se natyra mund t`ia kthejë me të njëjtën monedhë. Dua të marr disa shembuj sjelljesh, që më pas edhe të mund të reflektojmë më mirë.
Një ditë me diell, një fëmijë i vogël vetëm pesë vjeç, kur po lante duart e tij në një kovë të madhe me ujë, në oborrin e shtëpisë, e ëma nga ballkoni lart e qortoi; - Mos i laj duart aty se është ujë i ndenjur! Atë ujë e përdorim për të larë oborrin dhe për të ujitur lulet.
Fëmija iu përgjigj; Kur ma ke mësuar ti mami këtë? Kur ma ke thënë? Si do t`i dijë gjërat pa m`i mësuar? Ja tani po shkoj t`i laj duart me ujë të rrjedhshëm, me ujë të pastër te çezmja. Nuk e përsëris më. Dhe vërtetë fëmija kishte të drejtë, në mendimin e tij.
Një radhë tjetër prindërit i thanë; Ty do të dërgojmë në fshat të lëmë atje, se të pëlqen shumë fshati, do të bëhesh bari. Fëmija u përgjigj. Mua vërtetë më pëlqen fshati, por unë dua të bëhem bari njerëzish, dhe ta mendosh se ishte vetëm pesë vjeç. Nganjëherë fëmijët pa e ditur as vetë se për çfarë po flasin, na përcjellin vërtetë mesazhe befasuese, nëpërmjet gjuhës së engjëjve, ose më mirë të themi engjëjt shpesh na flasin nëpërmjet fëmijëve, na përcjellin mesazhe/kode, por që ne të rriturit nuk jemi aq të vëmendshëm që t`i lexojmë, t`i zbërthejmë këto kode.
Një ditë në oborrin e shkollës një mësuese, i thotë një fëmijë të klasës së parë në sy të mamit të tij, “përse sillesh kështu, edhe mamin e mërzit”? Fëmija vetëm shtatë vjeç, shtrin dy duart e tij të vogla përpara duke iu përgjigjur. -Po s`e di, -baba Zoti më ka bërë kështu mua. Mësuesja qeshi, duke i thënë se prindërit ty të kanë shumë xhan ty, ti ke lindur dhe je një fëmijë shumë i mirë, por nëse nuk u bindesh prindërve, nëse prindërit nuk të bindin, ta “tërheqin” veshin deri në moshën 12-vjeçare për sjelljen tënde, atëherë baba Zoti që vetë e kujtove, do t`ua tërheqë veshin atyre për sjelljen tënde. Kuptove apo jo?
Një edukatore e këshilloi prindin derisa të mbarojë klasën e katërt fëmija, derisa ta marrë veten, mos ja lësho dorën. Po pastaj të rrinë prindërit pa punë?!.. Epo ose punën, ose fëmijën iu përgjigj edukatorja, që ishte në prag pensioni. Duke e rritur vetë dhe shihe se si po të ecën...
Nejse kalojmë te të mirat që po na sjell kjo situatë. Duke zbatuar rregullat dhe qëndruar pranë njëri-tjetrit në këto momente të vështira, ju nxënës po kuptoni se çfarë është liria? Çfarë është jeta? Çfarë është vetmia? Çfarë janë rregullat? Çfarë janë urdhërat? Çfarë janë premtimet, që premtoni dhe disa prej jush nuk i mbani, i harroni sapo t`i ktheni shpinën prindit.
Ju po vlerësoni se çfarë është dashuria për familjen, për të afërmit, për shokët dhe shoqet e klasës, për librat, për shkollën, për gjithçka të bukur që ndodhet në shkollë dhe jashtë saj me ato kushte që ka.
Ju po mësoni se çfarë është dashuria për natyrën, për gjithësinë, për gjithçka që na rrethon. “Edhe sendet kanë jetën e tyre vetiake,- shpallte arixhiu me zë gurgullues. Puna është vetëm të dish t`ua zgjosh shpirtin!” shkruan në librin e tij, Njëqind Vjet Vetmi”, Gabriel Garsia Markes fitues i Çmimit Nobel për Paqen në Botë.
Tani e di se ju mezi prisni që të dilni dhe të vraponi nëpër fusha dhe lëndina, te parku i lodrave, të filloni shkollën, të takoni shokët dhe shoqet, të përqafoni mësuesit tuaj, të vraponi në oborrin e shkollës, nëpër shkallë dhe koridore, ju ka marrë malli për gjithçka të bukur që ka në shkollë.Shumë prej jush keni ndarë vazon me lulen më të bukur që keni në shtëpi, që kur të riktheheni në shkollë ta dhuroni atje, pasi lulet në shkollë duket që kanë filluar të vyshken pa zhurmën dhe cicërimat tuaja të ëmbla pranë.
Pra më mirë se asnjëherë tjetër edhe ju vetë po e kuptoni se shkolla qenka një vend, një institucion i shenjtë dhe si i tillë duhet të reflektojmë pozitivisht, për shkollën, për arsimin dhe për mësuesit në veçanti, ku mësuesit para së gjithash duhet t`i lëmë hapësirën e duhur për të shprehur talentin dhe aftësitë e tij.
Prandaj të dashur fëmijë si nxënës ju ftoj që të reflektoni dhe ta doni shkollën përditë edhe më shumë, pasi shkollimi vazhdon gjatë gjithë jetës, edhe pasi të mbaroni universitetin, “Jeta është shkollë”,- thotë pedagogu i madh Pestaloci, dhe unë po shtoj se leximi është ripërtëritja natyrale e trurit të njeriut, sepse “kush nuk lexon, harron së menduari”, na thoshte një pedagog në universitet. Ndërsa si fëmijë ju kërkoj që në këtë kohë disa prej jush të merrni laps dhe letër, edhe të rendisni të gjitha gabimet që keni bërë, t`ua lexoni prindërve dhe t`u kërkoni falje. Ta kuptoni njëherë e mirë se fjala e prindit është urdhër, është ligj dhe si e tillë duhet zbatuar dhe duhen mbajtur premtimet. Prindi është mësuesi juaj i parë, kështu ka qenë dhe do të jetë gjithmonë. Edukata fillon në familje, nëse nuk keni prindër që t`u edukojnë, (varet edhe nga ekonomia, apo stili i jetesës, sepse disa prindër janë në punë dhe vetëm për fundjavë mund të arrijnë të kalojnë pak kohë me fëmijët e tyre) derisa të arrini te mësuesit është tepër vonë. Në këtë periudhë mësuesit u vunë në shënjestër të punës së tyre, të profesionalizmit dhe të aftësive të tyre, prandaj prindër më shumë se kurrë, ju jemi mirënjohës dhe ju falenderojmë për mirëkuptimin dhe mbështetjen që po u jepni si fëmijëve tuaj ashtu edhe mësuesve dhe shkollës në përgjithësi, në këto ditë sfide që po përjetojmë. Shpresoj që së shpejti e mira të triumfojë dhe të rikthehemi në bankat shkollore me energji pozitive dhe me ide të reja.
Ju faleminderit!
Drita (Gjaci) Topjana, Mësuese
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)
Familja sot dhe roli i saj në shoqëri
Në ndihmë të mësuesit kandidat ose praktikant