Sondazhi

Mësuesit e “rinj” kundër udhëzimit për Portalin 2021: Është diskriminues

Çfarë mendojnë mësuesit për ndryshimet në udhëzimin e ri të MASR mbi portalin "Mësues për Shqipërinë"?. Duket se shumica e tyre dhe veçanërisht ata që janë kandidat për mësues janë kundër këtij udhëzimi. Këtë vit vlerësimi i pikëve në dosje ka ndryshuar totalisht. Ata kanë ndërmarrë një peticion.

Në një nga temat e fundit që kemi publikuar për diskutim në faqen e Facebook të Portalit Shkollor Albas, ka qenë pikërisht: “Çfarë mendoni për ndryshimet në udhëzimin e ri të MASR mbi portalin "Mësues për Shqipërinë"?”.


Reagimet kanë qenë të menjëhershme dhe shumica kanë qenë të të njëjtit mendim se mësuesit e rinj janë të penalizuar këtë vit pasi ndryshe nga vitet më parë në dosjen e vlerësimit i janë ulur shumë pikë kjo përsa i përket viteve të punës, pra eksperiencës. Ndërkohë në udhëzimin e ri provimi i licencës nuk vlerësohet me asnjë pikë, po kështu edhe praktika profesionale, ndërsa rënie të konsiderueshme në pikë vlerësimi, sipas udhëzimit të ri, kanë pësuar edhe nota mesatare dhe certifikimi i gjuhës së huaj. 


Udhëzimi sipas tyre nuk është aspak i drejtë, diskriminues dhe penalizues. 


Disa nga komentuesit janë shprehur se mësuesit e rinj nuk mund të lihen të presin pafund dhe të paragjykohen më pas se janë pa eksperiencë. “Ku do ta fitojnë eksperiencën kur nuk i jepet mundësia!?”, shprehet njëra nga komentueset. 


Ndërsa një tjetër ndjekëse ka thënë se: “Unë jam me mendimin që, politikat arsimore dhe nxitëse për punësim dhe trajnim, të jenë pro mësuesve të rinj, sepse duke i lënë ata mënjanë, (se nuk kanë eksperiencë) atëherë, duke mos u punësuar, ku do ta krijojnë përvojën?! Nëse gjatë punës, nuk janë korrekt, ka masa administrative, por aman do janë vet mbase shkaktarë, për të qenë jashtë mësuesisë. Ndërsa kështu, digjen dhe mësuesit e tjerë të rinj, por që e duan profesionin dhe do përpiqen ta kthejnë atë në MISION!”. 


Disa të tjerë propozojnë uljen e moshës së pensionit për mësuesit si një mënyrë kjo që të punësohen më shumë mësues të rinj.

Komentet bruto 

 


“Tepër diskriminuese! Jo të gjithë mësuesit janë nga 40 vjeç e lart që të arrijnë të kenë mbi 20 vite punë”, thotë Jegeni Iris. 



“Mendoj se është një konkurrencë e padrejtë ndërmjet mësuesve dhe kandidatëve për mësues. Nuk duhet të mos vlerësohet me pikë licenca, është shumë më e vështirë se provimi i kualifikimit. Pse duhet të vlerësohet kategoria lll me minimumin 2 pikë dhe licenca zero pikë? Kjo është vërtetë padrejtësi”, thotë komentuesi Remi Bucuku. 

Komentet bruto 


Por ka pasur edhe nga ata komentues të cilët e kanë quajtur të drejtë udhëzimin e këtij viti për provimin e portali. “Shume i drejtë...përvoja bashkë me shkollën japin rezultatin”, ka shkruar Ben Mustafa. 

Komentet bruto 



Peticion: Mësuesit e "rinj" kundër udhëzimit nr.12 datë 12.06.2021

Një grup mësuesish kanë ngritur një peticion nëpërmjet të cilit kërkojnë:  

  1. Rivlerësim të notës mesatare të studimeve Bachelor dhe Master.
  2. Vlerësim të provimit të licencës ose provimit të rregulluar të profesionit të mësuesit. 
  3. Vlerësim të praktikës profesionale.  
  4. Vlerësim të gjuhës së huaj me më shumë pikë sipas niveleve që çdo mësues ka. 



Në një prononcim për Portalin Shkollor Albas, mësuesi nga Elbasani Kostandin Luçi (mësues me shtatë vite eksperiencë në arsimin 9-vjeçar për lëndët histori-gjeografi) është shprehur se e ka marrë këtë nismë në ndihmë të mësuesve të rinj. Sipas tij dëshira për të ndihmuar profesionistët e rinj në këtë fushë e ka shtyrë atë të ndërmarrë peticionin nëpërmjet të cilit mësuesit e “rinj” janë kundër udhëzimit nr.12 datë 12.06.2021. Ai bashkë me shumë mësues të tjerë janë kanë drejtuar këtë peticion në proces Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, ndërsa i kanë kërkuar edhe një takim zyrtar drejtueses së këtij dikasteri, ministres Evis Kushi. 


“Na duket i padrejtë udhëzimi i ri që ka dal për portalin e këtij viti. Kërkojmë të vlerësohemi për arritjet tona, për të drejtën për të fituar ndershmërisht një vend pune. Ju që dëshironi t’i bashkoheni këtij peticioni mund të firmosni në këtë link”, kështu është shprehur mësuesi Kostandin Luçi teksa thotë që shpreson të merren parasysh kërkesat e tyre të ngritura në peticion. 



Përgatiti: Kaltra Tafani 


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

9,360 Lexime
3 vjet më parë