Ku e çojnë energjinë 5000 nxënësit e moshës 15-18 vjeç? (“Maratona Rinore”, çfarë më tregoi)
Plani për të rinjtë duhet të jetë plan ekonomik që të bëhet qyteti për ta e jo se ku do luajmë shah meqë nuk kemi fuqi të vijmë vërdallë. Nëse punë nuk ka, nëse shkolla nuk është pika më e fortë e shtetit tonë, çfarë i ofrojmë të rinjve?
Nga Migena Kapllani
Gati pothuaj gjithë muajin maj e kam përjetuar si një muaj plot lëvizje e gjallëri rinore. Kam patur aktivitete të miat me nxënësit, por dhe të nxënësve me mua.
Ndodhi që këtë vit, pas gati 7-8 viteve ndërprerje, të rifillojë maratona, një spektakël konkurrues midis shkollave në disa kategori si: prezantim, këngë, humor, kërcim, aktrim, sfilatë bukurie. Pjesa më e lodhshme pas kaq vitesh heshtjeje, ishte krijimi i grupeve. Është e vështirë për ata që nuk kanë eksperimentuar në këto forma, të thonë “po, dua të jem pjesë”. Me një dëshirë të mirë që këto aktivitete të bëhen (se vërtet i ndihmojnë nxënësit), hyra dhe unë. Si rrallëherë, këtë maratonë u ngjita në skenë me Klarën për të interpretuar marrëdhëniet e nënave me vajzat sot, marrëdhënie që ndikon shumë në jetën e tyre përballë patriarkalizmit shoqëror. Mendoj që ishte një dialog i vërtetë (kujtoj Herën e vogël që besonte se Klara kishte marrë vërtet 6 dhe ishte vajza ime).
Por aty ku doja të ndalesha më shumë në këtë aktivizim edhe timin, ishte “Energjia e të rinjve tanë”, forca e tyre për të përballur skenën dhe publikun e zhurmshëm, adrenalina që merrnin nga skena dhe luftërat e brendshme me veten shoqëruar me shprehje të shpejta sapo mbaronin pjesën e tyre: “Hë si t’u duk? Mirë dola?”, apo “bukur ishte?”, apo “sa inat që nuk e thashë kështu!”… “e hoqa”… “o Zot sa frikë kisha”…. “dolëm shumë bukur!”, apo impresionet e fjalëve të të tjerëve “ma bukur ju e kishit”, “kënga jote më e mira, do fitosh”, “na thanë që dolëm shumë mirë” etj. Një energji e fuqi që çdokush ia njeh të rinjve e më bënte dhe mua aq sa ata.
Një tjetër, energji ishte dhe spektatori që vetëm ulërinte kur bëhej tifo e zhurmonte gjatë gjithë kohës, sidomos kur duhet të rrinte urtë (nuk dëgjoheshin fare zërat e atyre që nuk kishin mikrofon.) Po ashtu një energji ishte dhe ajo e të tjerëve që donin të hynin për të parë shfaqjen me sjellje aspak të një personi që vjen për spektaklin (dikush ulërinte pas një dere, një tjetër shtynte rojën apo hynte fshehurazi). Në mendjen time qarkullonte vetëm mendimi: “Ku e çojnë gjatë ditëve të tyre të rinjtë gjithë këtë energji?!”.
Në Elbasan (qytet) ka gjithsej afërsisht 5000 15-18-vjeçarë që studiojnë në shkollat e mesme. Çfarë u ofrohet atyre përveç orëve mësimore? Sa shkolla kanë salla për aktivitete dhe prezantime? A funksionon ShQK (Shkolla Qendër Komunitare) me sporte pas mësimit, shkolla me hapësira për të konsumuar energjinë në drejtimin e duhur? (Po mendoj që energjisë së tyre rinore u shtohet edhe fakti që pinë pa kontroll pije energjike).
Sa të rinj ushtrohen në grupe të ndryshme ku konsumojnë energji të tepërta dhe i çojnë në produkte, punë, aftësi. Shkolla të ngujon në bankë 6 orë… e pastaj?! Përsëri në shtëpi për të mësuar 6 orë?!
Pse të rinjtë shijojnë ato kafet më shumë se ekskursionet në natyrë apo grupimet sipas hobeve?
Sigurisht që përgjigjja është te sjelljet e të rriturve, te ne. Sa prej të rriturve konsumojnë pasdite me sport, biseda libri, teatër apo film, shëtitje në natyrë, piknik me ushqim me vete? Sa ambiente sportive për sporte të ndryshme gjen në qytet? A ka çdo lagje një hapësirë për basketboll, futboll, ping-pong, skateboard, tenis? A kemi teatër çdo muaj? A kemi kinema? Qyteti flet vetë. Ku shkon energjia e 5000 të rinjve?
Prindërit duhet të jenë më të gjallë e më prezent me fëmijët. Prindërit nëse shumë gjëra nuk i dinë, le të kërkojnë ndihmë se si duhet të sillen me fëmijët. S’ka më forma me frikë e me dhunë. Boll më me autoritetin e shpullave. Boll më me “mbylle gojën”! Boll më me “duhet mesatarja” se nuk u zgjidh asnjë problem, por të kërkojnë bindshëm që fëmijët e tyre të fitojnë aftësi për jetën. Të dinë të bëjnë gjëra, të njohin disiplinën e punës, të jenë aktivë, të jenë të organizuar me orare të mirëcaktuara se si do e kalojë ditën. Edhe nëse nuk shkëlqejnë në shkollë, merren me sport, merren me këngë, i bien kitarës, përdorin skateboard dhe biçikletën çdo ditë kaq orë etj. etj. Mos ia bëjmë qejfin vetes pa na dalë djersa çdo ditë e energjia të shkojë për mirë, të kthehet në aftësi që na largon nga kafet, nga duhani etj., nga pijet energjike etj.
Shpresa sjell gëzim në jetë, dhe ne kemi humbur shpresën prandaj të vetmet lajme që dëgjojmë janë dhuna, sherret, vrasjet, bullizmi e ofendimet.
Plani për të rinjtë duhet të jetë plan ekonomik që të bëhet qyteti për ta e jo se ku do luajmë shah meqë nuk kemi fuqi të vijmë vërdallë. Nëse punë nuk ka, nëse shkolla nuk është pika më e fortë e shtetit tonë, çfarë i ofrojmë të rinjve?
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Ceremonia e ndarjes së “Medaljeve të Arta” për 188 maturantë, Manastirliu: 80% e ekselentëve studiojnë në universitetet shqiptare
Dita e Diasporës, Manastirliu: Nis nga Janari programi “Mësues për Greqinë”, mbështetje financiare për mësuesit e diasporës
Pasurimi i bibliotekave shkollore, Manastirliu: Mbi 20 mijë libra për nxënësit në gjithë vendin