Tropojë

Mësuesia, profesioni që u trashëgua në tre brezat e një familjeje

Tre breza mësuesish! Lidhjen e fortë me arsimin duket që kjo familje e ka në gjak, të trashëguar brez pas brezi. Mbetet për të parë nëse kjo traditë e bukur do të vazhdojë edhe në brezat e ardhshëm.

“Nesër në shkollë përsëri, për të filluar sezonin e 32-të, nga të cilët një pjesë të madhe në këtë dhomë, ku kam mbledhur në vite materiale shkencore si dhe për të nisur prapë të shkruaj në tabelat ku nxënësit e mi nënshkruajnë fundin apo fillimin e çdo viti shkollor!”, ky është postimi i mësuesit, krijuesit dhe intelektualit Lulzim Logu. Teksa viti i ri shkollor po afron dhe mësuesit po përgatiten për të pritur nxënësit e tyre, mësuesi i kimisë dhe biologjisë Lulzimi ndihet i emocionuar.


Mësues Lulzimi është shumë i lidhur me profesionin dhe me nxënësit. Çdo fillim viti shkollor ai ndjen të njëjtat emocione, duket sikur për të vitet nuk kanë kaluar dhe çdo ditë shkon në shkollë duke pasur objektiva të qarta, në fund të vitit shkollor nxënësit duhet të kenë marrë gjitha dijet e programuara.


Lidhja e kësaj familje me arsimin është shumë e fortë. Mësues Lulzimi është rritur nga dy prindër mësues. I ati, mësues Idrizi dhe ëma, mësuese Lumja kanë kaluar breza të tërë nxënësish të cilët ende i kujtojnë me shumë dashuri, ndonëse nxënësit e tyre tashmë janë thinjur.


Duket që profesor Lulzimi ka marrë shumë nga prindërit e tij, pasi edhe bashkëshorten e ka zgjedhur në të njëjtin profesion. Hedie Logu është mësuese dhe drejtuese e përkushtuar, aktualisht është drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare “Konferenca e Bujanit” në Bajram Curri.

E në këtë familje nuk mund të ndodhte ndryshe, edhe djali i mësues Lulzimit, Klajdi është diplomuar dhe është pedagog në një universitet në Tiranë.


Tre breza mësuesish! Lidhjen e fortë me arsimin duket që kjo familje e ka në gjak, të trashëguar brez pas brezi. Mbetet për të parë nëse kjo traditë e bukur do të vazhdojë edhe në brezat e ardhshëm.

Në foto shikoni zyrën ku punon mësues Lulzim Logu.

(Nga: Gjon Neçaj, Tropojë)

(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)

3,649 Lexime
8 vjet më parë