Mësuesi Shkëlzim Pepaj, një jetë dedikuar Arsimit Fillor
Shkëlzim Pepaj është mësuesi që ka nisur punën në këtë profesion në vitin 1993, konkretisht në Arsimin Fillor. Ai rrëfen mbi sfidat e tij në profesion, dedikimin, duke parë sistemin arsimor shqiptar në një këndvështrim analitik.
Shkëlzim Pepaj është mësuesi që ka nisur punën në këtë profesion në vitin 1993, konkretisht në Arsimin Fillor. Me një dedikim të jashtëzakonshëm, ai numëron një numër të konsiderueshëm trajnimesh ku është pjesmarrës e jo vetëm. Prej fillimi, ai ka dhënë kontributin e tij në shkollën “Adem Haxhija”, Postribë. Prej kohësh një bashkëpunëtor besnik i Portalit Shkollor Albas, rrëfen mbi sfidat e tij në profesion, dedikimin, duke parë sistemin arsimor shqiptar në një këndvështrim analitik.
Z.Shkëlzim, ju prej vitesh i jeni dedikuar mësimdhënies. Si një mësues i arsimit fillor, cilat janë bazat që formësojnë një individ gjatë kësaj periudhe?
Unë si mësues i arsimit fillor jam i mendimit se bazat që formojnë një nxënës në ciklin e ulët janë:
Korniza kurrikulare -- Është baza që përmbush arritjen e kompetencave kyçe dhe të kompetencave të fushës për të gjithë fëmijët e ciklit të ulët në arsimin parauniversitar. Kjo kërkon që të kemi një proces efektiv të sigurimit të cilësisë dhe të moderimit të procesit.
Sigurimi i cilësisë -- Ndihmon për të mbështetur mësuesit, për të ndërtuar kapacitete në sistemin arsimor, për të arritur rezultate pozitive për fëmijët e ciklit të ulët dhe më tej. Sigurimi i cilësisë në arsim është pjesë e punës së përditshme të shkollave, autoriteteve lokale dhe kombëtare. Mësuesit duhet të përdorin një gamë të gjerë aktivitetesh për të siguruar mbajtjen e standardeve të larta për nxënësit e ciklit të ulët. Këto aktivitete përfshijnë monitorimin, vetë-vlerësimin dhe planifikimin për përmirësim. Sigurimi i cilësisë krijon besim në gjykimet e mësuesve, jep siguri te prindërit dhe te të tjerët që të gjithë nxënësit i kanë arritjet e tyre në përputhje me pritshmëritë që ato kanë.
Moderimi -- Përdoret për të përshkruar metodat për arritjen e standardeve dhe pritshmërive për të gjithë sistemin arsimor. Ai përfshin mësuesit dhe profesionistë të tjerë të cilët punojnë së bashku për planin e të nxënit, përshtatshmërinë e veprimtarive të vlerësimit me mundësitë e nxënësve për të përmbushur standardet dhe pritshmëritë, progresin e nxënësve dhe hapat e mëtejshëm në të nxënë. Moderimi ndihmon për të rritur standardet, pritshmëritë dhe nivelin e qëndrueshmërisë tek mësuesi. Kjo siguron që fokusi të jetë në rezultatet e pritshme, të nxënit të jetë në nivelin e duhur dhe nxënësit të zhvillojnë aftësitë e duhura në punë dhe jetë, të cilat do t’i lejojnë ata që të jenë të suksesshëm në të ardhmen.
Motivimi – Me termin motivim kuptojmë ata faktorë, të cilët e vënë në lëvizje individin dhe e orientojnë atë në realizimin e qëllimeve të caktuara.
Kontrolli -- Ka të bëjë me përfundimin e të mësuarit. Ai shprehet në forma të ndryshme dhe realizohet në çdo çast mësimor. Gjatë kontrollit realizohet: ç’dinë (çfarë u arrit) dhe çfarë nuk dinë nxënësit (çfarë nuk u arrit).
Matja -- Ajo që u kontrollua duhet të matet. Nxënësi ka nevojë të dijë rezultatin e kontrollit. Këtë matje e bën mësuesi. Ajo shprehet me pikë, me përqindje ose me një evidencë të thjeshtë, e formuluar me shprehje, shenja dalluese etj., e krahasuar me një standard të bazuar në kritere.
Vlerësimi -- Të vendosësh një vlerë gjykimi sasiore ose cilësore, bazuar në matje. Kjo bëhet nga mësuesi me notë ose me shprehje. Nëse kontrolli bëhet gjatë gjithë orës së mësimit, matja e cila shpesh është e pandarë nga vlerësimi dhe bëhet në etapa të caktuara të tij. Jo çdo kontroll shoqërohet me matje.
Çfarë përfaqëson secili fëmijë për ju?
Për mendimin tim, çdo fëmijë përfaqëson objektivin bazë të punës së çdo mësuesi. Për të bërë një krahasim, çdo fëmijë është si një “qelizë” e një “trupi” të caktuar, e cila duhet të jetë funksionale, ku mësuesi duhet të jetë rregullator dhe katalizator për të vënë në funksion lëvizjen e kësaj “qelize”. Duke qenë aktive “qeliza”, edhe “trupi”, pra klasa, shkolla, grupi, shoqëria, komuniteti dhe kombësia do të jenë më të shëndetshme.
A jeni ndjerë ndonjëherë të dyjëzuar për përgjigjet që duhet t’i jepni nxënësve, pasi dihet që kuroziteti i tyre në këtë moshë është mjaft i madh.
Pavarësisht kuriozitetit të nxënësve brenda një ore mësimore në ciklin e ulët, unë nuk jam ndier asnjëherë i dyjëzuar në përgjigjet që kam dhënë në lidhje me pyetjet që ata mund të kenë bërë rreth një teme apo lënde të caktuar, sepse një mësues i cili dyjëzohet apo nuk është i sigurtë në përgjigjet e tij brenda një ore mësimore, nuk mund të them se ka një përgatitje shkencore të plotë në lidhje më lëndën që jep apo përgatitjen që ka në formimin e përgjithshëm si mësues në profilin e tij.
Si pasojë e pandemisë globale, mësimi për disa muaj u zhvendos online e më pas me turne. Çfarë u realizua mirë dhe çfarë jo mirë, sipas mendimit tuaj.
Vitin e kaluar shkollor, Shqipëria, njëlloj si vendet e tjera të botës, në këtë kohë pandemie, mbylli shkollat dhe arsimin e mbështeti tek mësimi në distancë (online), kurse këtë vit shkollor po e mbështet me mësimin online të alternuar me prezencë fizike me turne, kurse në ciklin e ulët me turne (kjo në varësi të numrit të nxënësve). Kjo gjë ka shfaqur disa probleme që u ndeshën nxënësit, prindërit, por edhe ne mësuesit, siç është: mësimnxënia, mungesa e teknologjisë, aparatit celular, aksesi në internet, interneti i pamjaftueshëm, mosaktivizimi i plotë i nxënësve, unifikimi i temave, mospërputhja e teksteve shkollore me shpjegimin në Radio Televizionin Shqiptar, tani edhe minimizimi i orës mësimore. Të gjithë këto faktorë kanë krijuar probleme në mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Nuk mund të them se procesi mësimor në këtë formë është kryer me sukses, pavarësisht se ne si mësues kemi qenë aktiv, jo vetëm në orarin mësimor, por pothuajse gjatë gjithë ditës dhe nganjëherë edhe deri në mesnatë, duke prezantuar dhe riprezantuar videot dhe audiot mësimore për lëndë të ndryshme, sipas orarit mësimor ditor apo me sqarimin dhe paraqitjen e detyrave nga nxënësit dhe vlerësimin e tyre, gjithashtu edhe me konkluzionet ditore për secilin nxënës.
Mund të them se shumë tema në lëndë të ndryshme janë trajtuar mirë gjatë mësimit në distancë (online), por ka patur edhe nga ato tema, të cilat nuk janë trajtuar në mënyrën e duhur për të mos thënë fare, për mungesë kushtesh dhe mjetesh. Ndërsa këtë vit shkollor në të cilin punojmë me turne, koha për zhvillimin e procesit mësimor në dispozicin është e minimizuar, kështu që, ne jemi të detyruar të huazojmë pak minuta të disa lëndëve për t’i dhënë rëndësi lëndëve prioritare, siç janë: gjuha shqipe, matematika, dituria natyre etj, por duke mos lënë mënjanë edhe lëndët e tjera që përmban kurrikuala.
Cili është ai moment që ju e kujtoni me nostalgji nga arsimi fillor, apo që mund të lidhet me ndonjë arritje profesionale.
Çdo ditë është e bukur në punë dhe në jetë kur suksesi të vjen pas. Por një ditë të veçantë e kujtoj me nostalgji të madhe. Ajo është dita e parë e punës si mësues dhe përkon të jetë 7 janar 1993. Në këtë ditë, unë realizova ëndrrën time për profesionin tim që unë doja dhe vazhdoj ta dua, duke punuar me ndërgjegje dhe përkushtim të lartë në edukimin e brezave.
Si vijnë nëpër kujtime breza të tërë fëmijësh që janë edukuar prej jush?
Të punosh 28 vite në arsim, padyshim do të kesh edhe kujtime të shumta brezash. Koha ecën, vrapon dhe kurrë se ndalon hapin e saj. Kështu që, nuk ndalon as kujtimet tona. Na sjell në rrugëtimin e gjatë të saj, kujtimet më të bukura të ish - nxënësve të mi, prej shumë vitesh, të cilët duke i shikuar sot me kënaqësi, ata punojnë, jetojnë dhe mësojnë, duke më lënë përshtypjen se arrijnë të jenë menaxhues të mirë të situatave në këtë kohë, sipas përzgjedhjes që ata kanë bërë në lidhje me veprimtaritë që sot kryejnë në jetën e përditshme.
A keni një mesazh që ia përsërisni vazhdimisht nxënësve tuaj?
Mesazhi që vazhdoj t’ua përsëris vazhdimisht nxënësve të mi është: “Nëse nuk kuptoni diçka, pyesni. Më mirë pranoni të dukeni për një çast i paditur sesa të mbeteni i tillë gjithë jetën.”
Përpos problematikave me të cilat hasemi çdo ditë, ku mendoni se konsiston pika e fortë e sistemit arsimor shqiptar?
Për mendimin tim, vitet e fundit arsimi shqiptar ka shënuar progres të qëndrueshëm lidhur me hartimin dhe harmonizimin e politikave të saj arsimore me ato të Europës. Në veçanti, në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim dhe në Strategjinë e Zhvillimit të Arsimit Parauniversitar, Shqipëria ka shprehur nevojën për gjithëpërfshirje dhe akses të barabartë në arsimin për të gjithë. Për sa i përket modernizimit të sistemit të saj arsimor, Shqipëria mund të krenohet me ndërmarrjen e një sërë reformash arsimore të rëndësishme dhe ambicioze në Arsimin Parauniversitar, duke i cilësuar si pika të forta, si për shembull:
• Ngritjen e një platforme për gjithëpërfshirjen sociale
• Prezantimin e kurrikulës së bazuar në kompetenca
• Rikonceptimin e formimit të mësuesve
• Përmirësimin e drejtësisë, barazisë, cënueshmërisë dhe aksesit jodiskriminues për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët që vijnë nga grupet minoritare.
Për Portalin Shkollor Shkëlzim Pepaj
Intervistoi Parajsa Shtini
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Për t'u edukuar nuk mjafton arsimimi
Prindërimi i suksesshëm, sfida më e madhe e familjes së sotme!
Vlerësimi i mësuesve dhe formati që duhet të plotësoni