Mësuesi e ndryshon botën
Mësuesi i mirë është ai që i mëson nxënësit të jenë të përgatitur për të pritur gjithçka në jetë, sepse në jetë jo gjithmonë punët shpërblehen sipas meritës. Aftësitë jetësore duhet të integrohen në procesin mësimor...
Ditëve të sotme si në vendin tonë ashtu edhe në tërë botën mësuesit i jepen cilësi dhe vlerësime të ndryshme duke e ngritur atë në piedestalet më të larta të shoqërisë. Kështu, edhe juve po t’ju lus që ta përshkruani mësuesin me disa fjalë, dikush do ta quajë atë protagonistin më human në sipërfaqen e tokës, dikush do ta quajë bërthamë të shoqërisë dhe disa të tjerë madje do të shkonin edhe më larg duke thënë se ai është arma më e fuqishme për ta ndryshuar botën.
Sinqerisht, këto fjalë mua më gëzojnë ashtu siç do ta gëzonin çdo mësues tjetër, madje e kam përshtypjen se mësuesi është ai që meriton t’i adresohen fjalët më të shtrenjta dhe më të madhërishme. Megjithatë, ka një gjë që po më brengos! Nuk më brengos statusi i përgjithshëm social që gëzon arsimtari tek ne, e aq më pak më brengosë paga jo e volitshme mujore që merr arsimtari si kompensim për punën e tij. Por, mua më brengos diçka tjetër. Më brengos fakti që të gjithë këto fjalë të bukura dhe superiore që po i themi, i dedikohen arsimtarit që e përshkruan teoria dhe se në praktikë ne nuk jemi protagonistët më humanë të shoqërisë, ne nuk jemi bërthama e shoqërisë dhe ne nuk po e ndryshojmë dot botën. Nëse nuk bindeni në këtë që po e them, atëherë le të shohim se çfarë thonë statistikat për gjendjen e shoqërisë sonë dhe asaj botërore në përgjithësi.
Statistikat tregojnë se vitin e kaluar si shkak i dhunës dhe vrasjeve në botë kanë humbur jetën 560 mijë njerëz, apo thënë më mirë, për çdo minutë të humbasë jetën nga një njeri. Kurse në Maqedoni vitin e kaluar gjithsej janë regjistruar 26 mijë vepra penale, duke filluar nga mashtrimet e ndryshme, vjedhjet, dhuna e deri tek vrasjet. Nga ana tjetër, shikuar nga aspekti arsimor, miliona nxënës nëpër vende të ndryshme të botës e braktisin shkollën, kurse edhe ata që arrijnë ta përfundojnë shkollimin, nuk i arrijnë standardet minimale të të mësuarit dhe dalin nga shkolla pa diturinë e nevojshme për të gjetur dhe për të mbajtur një punë. Dhe jo vetëm kaq, statistikat thonë që 246 milion fëmijë dhe adoleshentë në vit kryejnë dhunë në shkollë, qoftë ajo dhunë fizike, psikologjike apo seksuale.
Tani, pyetja ime për ju është: A jeni të kënaqur me këto të arritura? Kush nga ju është i kënaqur me atë ku jemi sot? Dhe a mendoni se këto ndryshime janë pozitive në botën tonë? Natyrisht që përgjigjja do të ishte: Jo, nuk jemi të kënaqur. Në asnjë mënyrë! Dhe e dini përse ndodhin të gjitha këto gjëra? Të gjitha këto fatkeqësi shoqërore ndodhin për shkak se ne mësuesit nuk i përgatisim fëmijët për jetë. Ne po i përgatisim ata vetëm për teste, provime, për nota e diploma, kështu duke i shndërruar nga një krijesë me cilësi të larta intelektuale në robotë të koduar. Prandaj, që t’i përgatisim nxënësit tanë për jetë dhe për t’i ballafaquar dhe menaxhuar sfidat e lartpërmendura dhe të gjitha sfidat e së ardhmes, ne duhet që atyre t’ua mësojmë aftësitë jetësore. Pra, çelësi i të gjitha këtyre problemeve janë aftësitë jetësore.
Por, vetvetiu shtrohet pyetja se çfarë janë aftësitë jetësore dhe si mund të integrohen ato në procesin mësimor?
Aftësitë jetësore janë ato aftësi që na nevojiten për t’i menaxhuar në mënyrë efektive sfidat e jetës së përditshme. Dhe integrimi i këtyre aftësive në procesin mësimor nuk kërkon që mësuesi të punojë jashtë programit mësimor, porse kjo kërkon që brenda të njëjtës përmbajtje mësimore të formohen dhe zhvillohen aftësitë e ndryshme jetësore.
1. Një mësues një ditë në orën e artit figurativ i angazhoi nxënësit që të vizatojnë dhe pikturojnë një fole, sepse kishte ardhur pranvera dhe foleja e simbolizonte ardhjen e zogjve në këtë stinë. Të gjithë nxënësit i përfunduan punimet e tyre me sukses. Më pas arsimtari i mblodhi të gjitha punimet dhe para nxënësve i grisi. Kurse nxënësit të habitur dhe të lënduar e shikuan veprimin e mësuesit duke mos thënë asnjë fjalë. Po, arsimtari me të vërtetë i grisi vizatimet dhe mundin e nxënësve që kishin dhënë gjatë asaj ore, por jo për t’i nënçmuar dhe për t’i lënduar ata, por për t’u dhënë një mësim jete dhe për t’u përçuar aftësi jetësore atyre duke u thënë se ashtu sikur që ju u ndjetë shumë keq dhe të lënduar, edhe më keq do të ndjeheshin zogjtë nëse ua prishim atyre folenë. Jo vetëm kjo, porse çdo padrejtësi, çdo dhunë, çdo vrasje dhe çdo vepër e keqe ndaj të tjerëve do t’i rrezikojë të drejtat, lirinë dhe jetën e të tjerëve. Pra dëmtimi i të tjerëve në çfarëdo forme qoftë ajo është padyshim prej punëve më të këqija.
2. Nga këndvështrimi i edukatës fizike mësuesi përveç diturive dhe aftësive akademike, tek nxënësit formon edhe shkathtësi jetësore. Kështu ai i mëson ata se edukata fizike dhe sporti nuk janë vetëm për ta gjallëruar trupin, porse sporti është për ta gjallëruar edhe mendjen dhe qëndrimet e një individi.
Kur fëmijët luajnë ndonjë ndeshje të caktuar sportive, ata ballafaqohen me ndjenjat e fitores dhe humbjes, por arsimtari i suksesshëm që u mëson shkathtësi jetësore, në këto raste i mëson ata se si t’i menaxhojnë ndjenjat e fitores dhe të humbjes. Dhe kjo në realitet i aftëson ata se si t’i menaxhojnë momentet e fitores dhe disfatës edhe në jetë. Më pas çdo lojtarë ka ndonjë rol në ekipin e tij, e kjo i përgatit nxënësit për të ushtruar një rol efektiv edhe në formimin dhe zhvillimin e shoqërisë.
Kurse nëse ndodh që trajnuesit të bëjnë përzgjedhjen e lojtarëve jo sipas meritës, atëherë mësuesi i mirë është ai që i mëson ata të jenë të përgatitur për të pritur gjithçka në jetë, sepse në jetë jo gjithmonë punët shpërblehen sipas meritës. Kështu, lënda e edukatës fizike do të shndërrohet në një lëndë që i përgatit nxënësit për jetë.
3. Në të njëjtën mënyrë ne mund t’i formojmë dhe zhvillojmë shkathtësitë jetësore tek nxënësit tanë edhe në lëndët tjera. Në matematikë mund të organizojmë lojëra në grupe dhe përpos diturive matematikore tek nxënësit të zhvillojmë edhe shkathtësitë e të punuarit në grupe, respektimin e njëri-tjetrit, respektimi i mendimeve divergjente, aftësitë komunikuese dhe ngjashëm.
Pra, vetëm në këtë mënyrë, të nderuar bartës të procesit të përgatitjes së individit për jetë, nxënësit tanë do të marrin pozicionin e tyre në shoqëri si mësimnxënës efektiv, profesionistë efektiv dhe si qytetarë efektiv, dhe kështu bota do të përjetojë ndryshimet e shumëpritura.
(Reshat Ahmeti; Portali Shkollor)
Festojmë 28-29 nëntorin!
Mesazhet më të bukura të nxënësve shqiptar për Ditën e Tokës në Portalin Shkollor
Letër falenderuese mësuesit