Mësuesi, drita që shëmbëllen
Roli i mësuesit është shumë i rëndësishëm edhe në formimin e kombit. Nëse mësuesit janë të shkëlqyeshëm, kjo gjë do të shëmbëllejë në formimin e qytetarëve të shkëlqyer dhe të një shoqërie të shëndoshë dhe shembullore.
Të shkruash për madhështinë dhe shenjtërinë e mësuesit dhe mësuesisë do të thotë t’i qasesh një pune sa të rëndësishme, po aq komplekse, sepse kjo përbën një tematikë që meriton një trajtim dhe konsideratë të veçantë.
Arsimimi konsiderohet si një nga armët më të fuqishme të jetës për të arritur deri te fitorja, gjegjësisht suksesi. Kjo përgjegjësi dhe punë e madhe i është dhënë pikërisht mësuesit, në mënyrë që ai ta ushqejë dhe zhvillojë jetën e gjeneratave të reja dhe të gjithë botës në përgjithësi. Mësuesi luan rol të madh në arsimimin dhe zhvillimin e së tashmes dhe ardhmërisë së shoqërisë, nëpërmjet nxënësit si pjesë përbërëse e saj. Mësuesit kryejnë një punë të madhe dhe unike duke formuar shoqëri të mirë e të shëndoshë nëpërmjet edukimit, arsimimit dhe udhëzimit të nxënësve. Mësuesit veçanërisht janë begati nga Zoti për t’i udhëhequr njerëzit në rrugën e drejtë gjatë jetës dhe në të njëjtën kohë për t’i aftësuar ata që të marrin vendime të drejta dhe të arsyeshme në situata të vështira. Pikërisht mësuesit janë ata që i udhëheqin fëmijët që nga fëmijëria e tyre dhe i fuqizojnë ata si nga pikëpamja intelektuale, po ashtu edhe nga ajo sociale, emocionale e psiko-fizike. Ata janë njerëz të zakontë nga mesi jonë, por që kanë vendosur për të kryer një punë madhështore – edukimin dhe arsimimin e fëmijëve.
Nuk ka fare dyshim që ardhmëria e botës është në duart e fëmijëve. Por, se a do të kenë një të ardhme pozitive apo negative, varet nga edukimi dhe arsimimi që fëmijët përvetësojnë. Nga kjo del që edukimi dhe arsimimi i fëmijëve është elementi kyç që e orienton jetën e tyre drejt suksesit. Me anë të diturisë këto mendje të ndritshme do të posedojnë fuqi për t’i shndërruar të gjitha qëllimet në realitet, kurse mësuesit janë pikërisht ata që duhet të ndihmojnë dhe kontribuojnë në realizimin e këtyre qëllimeve. Pra, është përgjegjësi e mësuesit t’u përçojë nxënësve arsimim cilësor, në mënyrë që nxënësit të fitojnë përvojë pozitive dhe të arrijnë sukses në jetë.
Përçimi i diturive nga arsimtari u ndihmon dukshëm nxënësve në pasurimin e jetës së tyre. Ç’është akoma më e rëndësishme, mësuesi e formon karakterin dhe personalitetin e nxënësve, me ç’rast atyre u jepet kulturë dhe qëndrim të drejtë në jetë. Megjithatë, tërë dituritë e përvetësuara nga nxënësit nuk e kënaqin një mësues të mirëfilltë, nëse ato dituri nuk e përqafojnë anën e tyre praktike, me çka do të shkaktohen aftësi dhe shkathtësi që do ta plotësojnë personalitetin e nxënësve. Kështu mësuesi është pikërisht ai që i mëson ata për ta parë, dalluar dhe vlerësuar të mirën dhe të keqen; për ta dashur të mësuarit, ndjekjen e diturisë dhe sfidat që ndoshta do t’i ballafaqojnë gjatë rrugës së përvetësimit të diturisë, dhe kështu të bëhen individë të pavarur të jetës së tyre.
Pavarësisht asaj se me çfarë ballafaqohen nxënësit në shtëpi apo në botën e jashtme, mësuesi e posedon aftësinë për të qenë pjesa më e mirë e ditës së nxënësve të tij. Kështu ai me punën e tij i ndërton nxënësit me përforcimin pozitiv, duke u ndihmuar atyre në zhvillimin e anëve të tyre të forta dhe përmirësimin e dobësive të tyre. Kur një nxënës ndjehet i dështuar apo “e godet murin”, mësuesi është ai që i ndihmon atij për ta rrëzuar atë mur dhe për të kaluar në anën tjetër të tij. Kështu nga kjo kuptojmë se marrëdhëniet mes mësuesit dhe nxënësve janë unike, sepse mësuesi është epiqendra e përgatitjes së nxënësve të tij për sfidat e arritjes së qëllimeve dhe objektivave të tyre drejt rrugës së suksesit në jetë.
Është fakt se nxënësit i mbajnë mend mësuesit e tyre gjatë tërë jetës kur ata impresionohen nga dashuria, sjelljet e mira, mësimdhënia e mirë, disiplina dhe cilësitë e tjera të mësuesit. Kur jeta e një nxënësi ndikohet nga mësuesi, ai nxënës është i frymëzuar për të bërë gjëra unike, sepse frymëzimi ndihmon në ndjekjen e ëndrrave të jetës, që në të kundërt do të ishte e pamundur. Kështu të jesh mësues shëmbëlltyrë nuk do të thotë vetëm të bëhesh mësimdhënës, por t’i frymëzosh dhe përgatitësh nxënësit që ata t’i arrijnë majat e shkëlqyeshmërisë.
Roli i mësuesit është shumë i rëndësishëm edhe në formimin e kombit. Nëse mësuesit janë të shkëlqyeshëm, kjo gjë do të shëmbëllejë në formimin e qytetarëve të shkëlqyer dhe të një shoqërie të shëndoshë dhe shembullore. Shikuar nga ana praktike, të gjithë njerëzit e suksesshëm në ndonjë profesion kanë mësuar nga ndonjë mësues. Ata jo vetëm që kanë përvetësuar dituri dhe shkathtësi akademike nga mësuesit e tyre, por i tërë personaliteti i tyre është formësuar nga një mësues i mirëfilltë dhe efikas. Prej kësaj vijon se mësuesi meriton piedestalin më të lartë në shoqëri.
Nga gjithë ajo që u tha më lartë, del të përfundojmë se mësuesia përbën një sakrificë të madhe dhe se roli i mësuesit është shumëdimensional. Mësuesi nuk është vetëm një edukator i rëndomtë, porse ai është arkitekt i jetës së fëmijëve dhe tërë shoqërisë. Një mësues mund të lërë ndikim unik dhe të thellë në jetën e nxënësve të tij, duke i futur ata në një sasi të pakufishme të potencialeve të së ardhmes. Një mësues i mirëfilltë mund ta ndryshojë tërë këndvështrimin e nxënësve mbi botën dhe jetën që qëndron para tyre.
Ndonëse e gjithë kjo duket një punë e vështirë dhe sfiduese, shpërblimi i një nxënësi të vetëm duke arritur sukses si rezultat i ndikimit të mësuesit, i jep kuptim dhe forcë mahnitëse tërë kësaj sakrifice. Mjafton të kuptosh se puna jote si mësues ka lënë mbresa dhe gjurmë të mëdha te nxënësi, që të sigurosh një arritje që asnjë trofe nuk do ta kishte kompensuar. Prandaj me të drejtë është thënë se mësuesi është dritë që shëmbëllen, madje edhe qiri që konsumon vetveten për ta ndriçuar rrugën e të tjerëve!
(Nga: Reshat Ameti, student në Fakultetin e edukimit, Portali Shkollor)
Festojmë 28-29 nëntorin!
Ese: Mjedisi dhe njeriu
Festat e Nëntorit, format që zgjodhën nxënësit për të treguar dashurinë ndaj atdheut të tyre