Mësues dhe prindër për të njëjtin qëllim!
“Sikur të rikthehesha e të rikthehesha disa herë...përsëri do të rizgjidhja këtë profesion! Çelësi i suksesit gjendet në bashkëpunimin mësues-nxënës-prind. Është magjike të ecësh përkrah brezave të rinj në rrugëtimin më të bukur, të këndshëm dhe dinjitoz!”- Nga Msc.Manushaqe Hoxha Laçi.
Arsimtari/ja është personi që merret me edukimin e fëmijës duke filluar nga kopshti, arsimi fillor, arsimi i mesëm i ulët, i lartë. Ky proces i bashkohet atij që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë prindërit pasi është një rrugëtim i përbashkët që nuk mund të ndalet.
Prindërit dhe vetë fëmija përjetojnë emocione nga dita e parë që shkojnë në institucionin arsimor. Mendjen dhe zemrën bashkë me fëmijën ia lënë mësuesit/es. Është një lutje e brendshme, një dëshirë që ka lindur nga momenti që u bë prind, një kërkesë e shpirtit për fëmijën e tij: “tani ti je prindi i dytë" thotë dhe nëse nuk e shpreh. Në fillim të vitit shkollor kur e fusin fëmijën në klasën e parë, pavarësisht se mund të mos e kenë për herë të parë, kur largohen nga shkolla dhe lënë fëmijën aty marrin me vete merakun se si do të jetë, si do t'i shkojë, si do t'i përjetojë rregullat në ambientet shkollore. Një ambient i ri me persona të panjohur me të cilët do të familjarizohet me kalimin e kohës.
Bota e fëmijëve është e pasur dhe e larmishme. Mësuesi/ja bën përpjekje të vazhdueshme për t’i njohur sa më mirë nxënësit, kushtet që ndikojnë në temperamentin e tyre, vështirësitë me të cilat mund të jenë përballur apo vazhdojnë të përballen duke e ditur që familje të ndryshme kanë probleme të ndryshme.
Ne arsimtarët jemi prindër për të gjithë nxënësit! Sillemi me fëmijët ashtu siç dëshirojmë që dikush tjetër të sillej me fëmijët tanë! E vendosim veten në pozicionin tuaj të nderuar prindër! E kuptojmë shqetësimin që keni! I mirëkuptojmë dëshirat dhe mundësitë në lidhje me të ardhmen e fëmijës suaj. Bashkëpunoni, flisni hapur, konsultohuni me ne! Të gjithë bashkë për një qëllim! Fëmijët janë e ardhmja! Të punojmë së bashku që ajo të jetë sa më e mirë! Karakteri formohet ngadalë. Një pemë që prodhon fruta dikur ishte filiz.
Ne trokasim butësisht në zemrën e çdo fëmije duke i dhënë një mesazh të thjeshtë, të ngrohtë dhe shumë të rëndësishëm: që kujdesemi për të. Kujdesemi për çdo nxënës me vetëdije të plotë dhe me idenë se zemra dhe mendja e çdo fëmije është gjëja më e shtrenjtë që na është besuar të mbajmë brenda mureve të shkollës dhe jo vetëm.
Mësuesi/ja përpiqet të frymëzojë, të ndikojë duke zgjuar mendjet e fëmijëve duke i edukuar me vetëbesim këta nxënës që kanë një potencial të pallogaritshëm në të ardhmen e secilit prej tyre e rrjedhimisht të kombit dhe vendit. Punojmë për t’u zgjuar aftësinë të krijojnë, të rrëfehen, të ndjehen mirë, të shpresojnë, të kenë hapësirë të argëtohen dhe të mësojnë duke pasur përballë mësuesin/en që i frymëzon dhe i motivon për të ecur përpara. Te mësuesi/ja duhet të mbizotërojë dashuria për të nxitur vetëbesimin tek nxënësit, dëshira për t’i parë të qetë dhe të lirë. Është një ndjesi e brendshme, një zgjedhje që nuk kërkon shumë energji por përkundrazi ne marrim kënaqësi shumë të madhe nga përfundimi që jepet si shpërblim nga zemrat rinore që shprehet në fytyrat e qeshura. E dimë që nuk edukohet vetëm mendja por dhe zemra. Mësuesi/ja duhet të shërbejë si nxitës për të prodhuar kurajë, entuziazëm, vrull, liri dhe kënaqësi që bën të ketë një bashkëpunim të mirë mes tyre. “Ku hyn dielli nuk hyn mjeku” thuhet. Kujdesi e dashuria hyn dhe vepron në skutat më të errëta duke ndriçuar rrugën. Ne po edukojmë brezin e ri dhe synojmë që të jenë në radhë të parë qytetarë që vetëbesojnë, që krijojnë, që flasin të lirë, që shpresojnë e që ndjehen të vlefshëm aty ku jetojnë e veprojnë.
Sikur të rikthehesha e të rikthehesha disa herë...përsëri do të rizgjidhja këtë profesion! Çelësi i suksesit gjendet në bashkëpunimin mësues-nxënës-prind.
Është magjike të ecësh përkrah brezave të rinj në rrugëtimin më të bukur, të këndshëm dhe dinjitoz!
Nga Manushaqe Hoxha Laçi, Mësuese kimie në gjimnazin "Skënderbeu", Krume
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)
Bukurie A Hajdarmataj: Letërsia dhe ndikimi i saj në formimin e karakterit të nxënësit
Përditësimi i kurrikulave, sugjerime nga eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku