Prononcimi

Mësimi online edhe në shtator? Drejtori i ASCAP, Gert Janaqi: Po punohet për t’i paraprirë çdo skenari

MASR pritet të dalë shumë shpejt me një njoftim zyrtar përsa i përket rifillimit të vitit të ri shkollor. Por në një prononcim të fundit për një media online, Drejtori ASCAP, Gerti Janaqi ka pohuar se po punohet për kurrikulat dhe programet e reja të mësimit për t’i prirë çdo lloj skenari për shtatorin.

Janë të shumtë ata që duan të dinë se çfarë do të ndodh me mësimin për vitin e ri shkollor 2020-2021, kryesisht në institucionet parauniversitare. Ende nuk dihet se si do të zhvillohet mësimi për fëmijët, por pritet që shumë shpejt Ministria e Arsimit të dalë më një njoftim zyrtar, referuar një komunikimi të Portalit Shkollor Albas me zyrën e shtypit të kësaj ministrie. 


Por Gert Janaqi, Drejtor i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), i pyetur për “Faktoje”, pohon se ky institucion së bashku me Ministrinë e Arsimit po punon për kurrikulat dhe programet e reja të mësimit online për t’i prirë çdo lloj skenari për shtatorin.


“Ne jemi marrë me manualet e mësimit online dhe në fakt puna vazhdon edhe tani, ku jemi bazuar në manualet ndërkombëtare. Nuk është vendosur asgjë se çfarë do të ndodhë në shtator pasi është ende herët. Një opsion është rikthimi në shkollë me protokollin strikt të masave anti-çovid, i dyti është që nxënësit të bëjnë gjysmën e mësimit në shkollë dhe pjesën tjetër online, ndërsa alternativa e tretë është aplikimi vetëm i mësimit online.”- ka thënë Janaqi për “Faktoje”. 



N.Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

13,750 Lexime
4 vjet më parë