OPINION

Mësimi në distancë: kur do të duartrokasim mësuesit?

Prindërit kanë rastin të reflektojnë për punën që bëjnë mësuesit me fëmijët e tyre. Në kushtet aktuale, ata mësues që janë angazhuar realisht meritojnë të duartrokiten në ballkone po aq sa mjekët.

Mësimi në distancë duhet të vijojë aty ku është e mundur. Argumenti që viti shkollor duhet mbyllur sepse jo të gjithë po mësojnë, nuk vlen. Mësimi ka vlerë për mbajtjen e nxënësve pranë dijes, por edhe për mbajtjen e tyre në një situatë psikologjike normale. Nuk duhet të sakrifikohet pjesa e shkollave që ia dalin të punojnë për “solidaritet” me ato që nuk punojnë. Është si të thuash që fermerët e Lushnjës duhet të hedhin perimet në plehra, sepse fermerëve të Korçës po u kalben mollët në magazina.


Mendoj se secila shkollë duhet të analizojë vetë efikasitetin e procesit dhe të përcaktojë cfarë duhet bërë pas daljes nga karantina. Për shembull te “Ernest Koliqi” puna vazhdon me orar të rregullt dhe me daljen nga karantina shkolla do të shtrijë mësimin edhe gjatë verës për përforcimet e nevojshme.


Ministria duhet të përcaktojë qëndrimin e shkollave publike sipas rastit. Është e qartë se shkollat e zonave më të varfra e të izoluara do të kenë më tepër nevojë për punë shtesë pas karantinës. Por një shkollë në qendër të Tiranës a Fierit nuk mund të trajtohet njësoj si një shkollë në një zonë malore të varfër.


Mësimi në distancë nuk mund të ndërpritet sepse nuk po funksionon sic duhet në shumë shkolla. Edhe në shkollat ku funksionon pak është më mirë të funksionojë pak sesa aspak.


Mësimi në distancë hedh poshtë mitizimin e përdorimit të teknologjisë me cdo kusht. Teknologjia është e dobishme, por nuk mund të zëvendësojë të mësuarit në mjedis social me ndërveprim fizik.


Provimet shtetërore për klasat e V dhe të IX mund të eleminohen plotësisht ose të shtyhen për shtator pa ndonjë problem. Provimet e maturës mund të shtyhen në muajt korrik apo edhe gusht, por vështirë se mund të eleminohen plotësisht, sepse përbëjnë instrumentin më të mirë matës të punës së nxënësit. Mesataret e shkollës janë tërësisht në varësi të drejtuesve të tyre dhe rrjedhimisht shpesh edhe fiktive. Matura e relativizon këtë fiktivitet, prandaj duhet ruajtur.


Ankesat e prindërve në rrjete sociale për ngarkesë janë përgjithësisht të tepërta. Është më mirë që fëmijët të jenë të zënë me mësime e detyra të zakonshme sesa të shohin bilancet e vdekjeve të përditshme në lajme ose të harxhojnë gjithë ditën në celular deri në çrregullim mendor.


Prindërit kanë rastin të reflektojnë për punën që bëjnë mësuesit me fëmijët e tyre. Tani kanë rastin të kuptojnë sesa e vështirë është të edukosh fëmijët e sotëm nga mëngjesi deri pasdite 180 ditë në vit dhe jo 1-2, por klasa të tëra. Është një rast i mirë për të vlerësuar e respektuar punën e mësuesit. Në kushtet aktuale, ata mësues që janë angazhuar realisht meritojnë të duartrokiten në ballkone po aq sa mjekët.



Botuar me të drejtën e autorit Ermal Hasimja, pedagog dhe administrator i shkollës "Ernest Koliqi"



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat erezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

 

5,113 Lexime
4 vjet më parë