MAS

Mësimi me dy turne, plan për ndërtimin e 20 shkollave

Ministrja e Arsimit, znj. Lindita Nikolla, theksoi se projekti për ndërtimin e 20 shkollave të reja në kryeqytet i jep zgjidhje përfundimtare mësimit me dy turne.

Ministria e Arsimit dhe e Sportit në ambientet e shkollës “Fan Noli” nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Bashkinë e Tiranës për projektin e ndërtimit të 20 objekteve të reja arsimore në kryeqytet, ku në tre prej të cilave puna tashmë ka nisur.

Në fjalën e saj ministrja e Arsimit, znj. Lindita Nikolla, theksoi se projekti për ndërtimin e 20 shkollave të reja në kryeqytet i jep zgjidhje përfundimtare mësimit me dy turne.

“Ky investim, këto 20 shkolla të reja, mbajnë premtimin tonë qeverisës për të mos pasur klasa me dy turne, sepse Tirana është ajo që ka peshën më të madhe të këtij problemi. Ne do të vijojmë me mbështetjen tonë ndaj mësuesve, nxënësve dhe prindërve për të ecuar përpara në rrugën e reformës në të gjitha shkollat e vendit. Do të vijojmë me reformën e gjimnazit që ka nisur këtë vit për të mundësuar një histori të re suksesi për të përmbylluar atë fazë të dhimbshme të kalimit nga gjimnazi në universitet apo në arsimin profesional duke mundësuar kështu lidhjen e shkollës me tregun e punës.”

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla në fjalën e saj vlerësoi punën e kryeashkiakut Erion Veliaj për qytetin e Tiranës dhe për përmirësimin e infrastrukturës arsimore.

“Kam një lëvdatë të madhe gjithashtu në emër të mësuesve dhe të shkollave për Erion Veliajn, për gjithçka ka mundur të sjellë përmes modelit të tij të punëve dhe jo të fjalëve, për mbështetjen që u jep fëmijëve në nevojë, për një transport cilësor të mësuesit dhe nxënësit e gjithë Bashkisë së re të Tiranës. Projekti është një vlerë e shtuar që do ta bëjë të suksesshme edhe më shumë reformën tonë në arsim. Kualifikimi i mësuesve pa mbështetjen e Bashkisë së Tiranës nuk do të krijonte klimën e nevojshme që një shkollë duhet të ketë.”

I pranishëm në aktivitet ishte Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama i cili theksoi se 1 miliard investime është një program që do të sjellë shumë më afër të ardhmen në raport me disa nevoja jetësore shumë të rëndësishme për infrastrukturë arsimore, shëndetësore, infrastrukturë rrugore të niveleve të ndryshme si dhe nga ana tjetër do t’i japë një shtysë të jashtëzakonshme ekonomisë dhe punësimit në vend.

2,734 Lexime
7 vjet më parë