"Mësimdhënia është profesioni më i çmuar"
Luljeta Basha drejtoresha e shkollës “Sandër Prosi” në Sauk në një intervistë për Portalin Shkollor tregon se çfarë do të thotë për të të drejtojë një shkollë me 350 nxënës.
Me një përvojë 14-vjeçare në arsim, drejtuese në disa gjimnaze dhe e apasionuar pas profesionit të saj, sot drejton shkollën “Sandër Prosi” në Sauk. Një shkollë ku nxënësit edukohen dhe përgatiten për sfidat e jetës. E dashur me kolegët, e mirëkuptuese me nxënësit dhe dashamirëse me prindërit ia ka dalë të drejtojë me suksese këtë shkollë. Teksa tregon për momentin më të vështirë në punën e saj, është e thjeshtë të kuptosh se hera-herës ajo i trajton nxënësit si fëmijët e saj dhe e ka shumë të vështirë të marrë një masë disiplinore për ta. Njihuni me Luljeta Bashën.
Si është dita juaj e punës?
Dita e punës sime është mjaft e ngarkuar pasi kur ke të bësh me adoleshentët nuk mjafton të zhvillosh orët e mësimit por të duhet të ngarkohesh edhe me problemet, me emocionet si dhe me shqetësimet e tyre të cilat të them të drejtën nuk janë të pakta. Por, me gjithë vështirësitë dhe ngarkesën, puna jonë ka bukurinë e vet e cila na mban gjithmonë të rinj.
Sa nxënës ka në shkollën tuaj?
Shkolla jonë ka rreth 350 nxënës pra është një shkollë e vogël në një zonë periurbane sa afër po aq edhe larg qendrës së Tiranës.
Si është marrëdhënia juaj me mësuesit, po me nxënësit?
Që të jetë efektiv në punë drejtuesi duhet të krijojë marrëdhënie pune me të tjerët të bazuar në besim, respekt dhe kujdes. Gjithashtu duhet të tregohet i ndjeshëm ndaj opinioneve dhe interesave të tyre gjatë komunikimit.
Marrëdhëniet e mia me stafin janë pozitive. Mundohem t’i trajtoj me kujdes dhe pa paragjykime.
Gjithashtu jam e hapur ndaj pikëpamjeve të të tjerëve dhe e vlerësoj shumë kontributin e stafit gjë të cilën e shpreh në kolektiv apo edhe në mënyrë individuale.
Marrëdhëniet me nxënësit i kam shumë të mira. Ne, para se të jemi mësues, jemi prindër prandaj mundohem t’i dëgjoj, t’i mirëkuptoj dhe vlerësoj ata. Por si në ç’do familje, ka edhe gjëra që nuk shkojnë ashtu si do të dëshironim ne. Megjithatë, bashkëpunimi i vazhdueshëm e rrit shumë ndjeshmërinë ndaj nxënësve.
Cili është momenti më i vështirë për ju si drejtuese e shkollës?
Momenti më i vështirë për mua është kur jam e detyruar të marr një masë disiplinore për nxënësit. Po aq e vështirë është edhe komunikimi me prindin e nxënësit. Adoleshenca dihet që është një moshë e vështirë. Fëmijët ndryshe shfaqen në familje e ndryshe në shkollë, prandaj shkaktohen probleme në mirëkuptimin e prindërve.
Cila është motoja e shkollës tuaj?
Të edukojmë mendjen duke punuar për të përgatitur nxënës të aftë për jetën që i pret në të ardhmen.
Çfarë do të thotë për ju të drejtoni një shkollë?
Drejtori është përgjegjës për udhëheqjen e misionit, vizionit dhe drejtimit strategjik të shkollës. Drejtori duhet të modelojë një komunitet me respekt për të gjithë njerëzit i cili ndërton besimin. Drejtori është përgjegjës për drejtimin e shkollës, për të gjithë punonjësit dhe bazën material të këtij institucioni.
Çfarë metodash përdorni për të motivuar mësuesit, po nxënësit?
Ajo çka i bën punonjësit të jenë të motivuar është puna interesante dhe sfidat me të cilat ata do përballen. Mësuesit hartojnë një plan pune në trajtën e një kontrate me drejtorin ku pasqyrojnë objektivat të cilat do të realizojnë gjatë një viti mësimor. Megjithatë në punë ne tyre përkrahja, përkushtimi dhe mbështetja ime nuk u ka munguar asnjëherë.
Për çdo arritje dhe për realizimin e objektivave ata vlerësohen gjatë gjithë vitit dhe në fund të vitit shkollor. Ky vlerësim është si një pikënisje për vitin tjetër ku gjithsecili, mundohet të përmirësojë dhe kualifikojë veten e tij në çdo drejtim të mësimdhënies dhe edukimit.
Nxënësit… Ata janë fëmijë dhe fëmijët janë të gjithë të mirë. Por ata që kanë arritje më të mira në fusha të ndryshme vlerësohen rregullisht pas çdo aktiviteti. Atyre nuk u mungon mbështetja emocionale nga i gjithë stafi i shkollës. Kryesorja është vlerësimi në ceremoninë e Diplomimit të Maturantëve ku përfshihen shpërndarja e fletave të nderit dhe një dhuratë simbolike siç janë librat.
Nga koha kur ju ishit gjimnaziste dhe deri më sot kanë kaluar vite, teksa shikoni gjimnazistët sot çfarë kujtoni nga ajo kohë?
Shumë gjëra kujtoj nga ajo kohë. Është e pashmangshme. Bëj krahasime dhe mendoj se ka shumë gjëra të cilat kanë mbetur si në të kaluarën. Adoleshenca ka karakteristika të cilat nuk ndryshojnë me kalimin e viteve. Por është e vërtetë që këta të rinj janë shumë më të sinqertë dhe më të hapur se ne. Bota është zhvilluar dhe kjo ka sjellë një brez të rinjsh me një botë të brendshme të bukur ndoshta njëlloj të bukur si bota jonë, por ndryshimi është në mënyrën si e shpalosin këta të rinj këtë botë. Dhe kjo botë e brendshme kaq e bukur e cila ka nevojë që të edukohet dhe pasurohet është ajo që e bën profesionin e mësuesit të mrekullueshëm.
Cili është mesazhi juaj për mësuesit? Po për nxënësit?
Mësimdhënia është profesioni ndoshta më i çmuar dhe më i dobishëm për bashkësinë që ka ndikimin më të madh në lumturinë e përbashkët.
Prandaj le të vazhdojmë të punojmë për të zhvilluar besimin dhe dëshirën për jetën dhe punën. Puna dhe përgjegjësia të na karakterizojnë dhe të bëhen virtytet tona. Si rrjedhojë kjo të reflektohet në arritje të mëtejshme individuale dhe të përbashkëta, por që i shërbejnë shoqërisë.
Për ju nxënësit e mi kujtoj se jeni një brez i fuqishëm sepse keni aftësinë dhe mundësinë në të cilat jua jep mosha. Sigurohuni që do ta përdorni këtë fuqi për qëllime të mëdha. Shkoni përpara, për të krijuar një botë e cila do të jetë më e bukur për ju, për prindërit tuaj dhe për të gjithë ne.
(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)
Letër falenderuese mësuesit
Për Klodin: Një udhëtim i paharruar mirësie...
Ese: Mjedisi dhe njeriu