Arsimi në Kosovë

Mësimdhënësit në Kosovë nuk e kanë marrë asnjëherë pagën e 13-të ose ndonjë shpërblim për festat e fundvitit

Paga e 13-të është një lloj shpërblimi që mësimdhënësit e Kosovës nuk e kanë marrë ende asnjëherë. Kjo gjë pritet të ndryshojë në vitin 2023, sipas kryetarit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj.

Një pagë e trembëdhjetë, ose bonusi i fundvitit, është një pagesë shtesë që u jepet punonjësve në fund të dhjetorit. Megjithëse shuma e pagesës varet nga një sërë faktorësh, ajo zakonisht përputhet me pagën mujore të një punonjësi.


As sivjet nuk pritet që ndonjë punonjës i sektorit publik në Kosovë të përfitojë pagën e 13-të, pavarësisht kërkesave të sindikatës së Korporatës së Energjisë së Kosovës (KEK) dhe Policisë së Kosovës. KEK-u ka mbajtur një protestë për këtë çështje, ndërsa Sindikata e Policisë së Kosovës kërkesën për pagën e 13-të e ka adresuar te ministri i Punëve të Brendshme, nëpërmjet një letre.


Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, në një intervistë për portalin Shkollor Albas, ka bërë të ditur se as në vitet e kaluara në sistemin arsimor nuk është praktikuar paga e 13-të, dhe në shumicën e rasteve është thënë se kjo po bëhet në mungesë të buxhetit. 


Ai bëri të ditur se nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) u kanë premtuar që nga viti 2023 do të futet në kontratë si element edhe paga e 13-të.


“Në kontratën e fundit që kemi lidhur me MASHT-in, me qëllim të nxitjes së mësimdhënësve të punojnë edhe me shumë, është paraparë si element në kontratë edhe paga e 13. Mirëpo duke e ditur buxhetin e Republikës së Kosovës, Ministria e Arsimit ka kërkuar kohë dhe mirëkuptim nga ne, dhe jemi pajtuar, dhe e kemi cekur edhe në kontratë që me këtë element të fillojmë nga viti 2023. Kështu, duke iu dhënë hapësirë komunave dhe institucioneve qëndrore që të sigurojnë mjete buxhetore në mënyrë që ky element të jetë i realizueshëm”, sqaroi kryetari Rrahmanaj.


Sipas kryetarit Rrahmanaj, pagën e 13-të nuk do ta gëzojnë të gjithë mësimdhënësit në arsim, por vetëm ata që dëshmojnë veten me arritje më të larta karshi të tjerëve, pra më të dalluarit. Kjo mënyrë është paraparë si element pozitiv, nxitës për ta ngritur cilësinë në arsim, dhe pritet të ketë rezultate të larta. 


Kryetari është shprehur se për këtë do të vlejë vlerësimi i brendshëm që do të bëhet nga vetë mësimdhënësit dhe drejtorët, dhe vlerësimi i jashtëm që do të bëhet përmes inspektorëve profesionalë. 


“Shembull, inspektori profesional i sektorit të gjuhës shqipe dhe letërsisë që ka gradë më të lartë arsimore, të shkojë në orë, t’i vizitojë mësimdhënësit e lëndës përkatëse dhe pastaj ata të japin një vlerësim për secilin mësimdhënës dhe ata që vërtet që janë të dëshmuar nga të dyja llojet e vlerësimeve, gjithashtu edhe nga aktivitetet jashtëmësimore, si aktivitetet me nxënës, drama, muzika, sporti etj., ata do jenë kandidatë që në të ardhmen t’ju takojë kjo dhuratë apo shpërblim që quhet paga e 13-të”, tha kryetari i SBASHK-ut.


I pyetur rreth imazhit të mësimdhënësve të krijuar së fundmi, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, është përgjigjur se: “Mësimdhënësit e Kosovës kanë nevojë për përkrahje, për mirëkuptim. Institucionet e shtetit përmes njerëzve të caktuar duhet ta ndalin praktikën shumë të gabuar që punëtorin e arsimit dhe figurën e tij ta lëndojnë në publik. Eshtë krijuar një bindje në Kosovë që mësimdhënësit nuk punojnë, se janë të dobët, pushojnë tre muaj dhe ka lëndime aq të mëdha sa thonë se mësimdhënësit janë analfabetë. Nëse është një deklaratë e tillë duhet argumentuar”. 


Jasharaj thekson se mësimdhënësit kanë nevojë edhe për kushte më të mira materiale.


“Këto kuadro kanë nevojë për mjete bashkëkohore, për laptopë dhe projektorë. Nuk bëhet betejë e vërtetë dhe garë me shtetet e Evropës me shpuza, shkumësa e me tabela të vjetra. Për nxënësit kjo nuk është atraktive aspak kur në shtëpi kanë telefonat e mençur dhe internet. Ata do të mësonin më shumë nëse në shkollë mësimet do të ishin të përgatitura nga mësimdhënësit dhe të bartura në projektor, dhe nëse do të përmendej një liqen i panjohur, do të mund ta shikonin brenda pak sekondash e gjithë klasa. 



Përgatiti: Era Baliu, gazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,843 Lexime
2 vjet më parë