MESATARJA PËR NË UNIVERSITET

Mesatarja për në universitet, si dhe pse ndryshoi në vite

Një ndryshim i ri i përcaktuar nga MAS është se mesatarja do të rritet nga 6 në 6.5, ndërsa për degë të veçanta si mësuesia do të jetë 7.5 dhe për mjekësinë duhet të jetë 8. Kjo për të rritur nivelin dhe cilësinë.

Vetëm dy javë përpara provimeve, maturantët morën vesh vendimin e Ministrisë së Arsimit për ndryshimin e mesatares me të cilën do të mund të pranoheshin në universitete. Një ndryshim i ri i përcaktuar nga MAS ishte se mesatarja do të rritej nga 6 në 6.5, ndërsa për degë të veçanta si mësuesia do të ishte 7.5 dhe për mjekësinë duhet të ishte 8. Kjo u debatua edhe në interpelancën parlamentare të së enjtes, pasi deputetë të ndryshëm, ndër ta dhe Andi Përmeti nga Bindja Demokratike, e kanë cilësuar këtë vendim si të paligjshëm për shkak se maturantët janë lajmëruar për mesataren, vetëm dy javë përpara Maturës Shtetërore.


Në kundërshtim të kësaj ideje ministrja aktuale e Arsimit, Besa Shahini bëri me dije se ky është një projekt i cili është përcaktuar prej dy vitesh dhe tashmë po zbatohet, për të përcaktuar standarde më të larta në arsim.


Gjatë viteve ka pasur nivele të ndryshme mesatareje dhe po aq polemika të ndryshme se si do të funksiononin, maturat shtetërore dhe pranimi i nxënësve në universitet. Gjatë vitit 2016-2017, pati një ndryshim thelbësor për pranimin në universitete. Kriteri kryesor i pranimit tashmë do të ishte mesatarja 6 dhe kjo gjë u bë publike nga ish-ministra e Arsimit, Lindita Nikolla.


“Nota mesatare vendoset me vendim të Këshillit të Ministrave në nivel kombëtar, por ajo do të jetë në varësi të programeve të ndryshme. Besojmë fort që duke orientuar sistemin drejt performancës, nxisim gjithnjë e më shumë që institucionet e arsimit të lartë të jenë drejt tendencave jo vetëm për të zhvilluar procese mësimdhënieje cilësore, por edhe drejt tërheqjes në programe apo profile të caktuara,” tha ajo në një deklaratë për mediat, gjatë prezantimit të ligjit të ri për arsimin e artë në Komisionin e Edukimit.


Sipas Ministres, do të ishin vetë universitetet, që me ligjin e ri fitonin pavarësinë e përcaktimit të kuotave dhe studentëve, që do të rekrutonin në mesin e tyre. Kjo, sipas Nikollës, do të bëhej  vetëm me anë të notës mesatare të ndryshme për programe të caktuara, bazuar në cilësinë e studentëve që duan të zgjedhin. Ministra në atë kohë tha se mesatarja ishte tepër e rëndësishme për pranimin në universitet, pasi mundi 3-vjeçar i studentëve nuk mund të përcaktohej më së shumti nga provimet përfundimtare. Kjo pikë u cilësua e rëndësishme dhe një nga hallkat kryesore, për reformën në arsim. Por ligji i ri krijoi një sërë debatesh në parlament, pasi përpos mesatares përcaktonte edhe një sërë VKM-sh të tjera që më pas nxitën edhe protestat e studentëve.


Ndërsa në vitin 2013, nxënësit do të vlerësoheshin në bazë të procesit “meritë-preferencë”. Që prej këtij viti u bë me dije se në vitet e ardhshme, përveç matematikës dhe letërsisë, si provim i detyruar i maturës shtetërore do të ishte edhe  gjuha e huaj. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, aso kohe pranoi se njohuritë e gjuhës së huaj në shkollat e zonave rurale ishte problematike, por numri i maturantëve që kishin zgjedhur gjuhën angleze si lëndë me zgjedhje në provimet e maturës kishte ardhur në rritje. Ndërsa, pranimi në universitet do të bëhej me anë të përllogaritjes së një formule të veçante, të pikëve që nxënësit do të mblidhni nga provimet përfundimtare dhe mesatares.


Gjatë kësaj kohe, rëndësia binte mbi pikët dhe mesatarja e nxënësve do të përbënte vetëm 40 për qind të rëndësisë për llogaritjen e tyre. Më pas në vitin 2015 u përcaktua që testi i gjuhës së huaj të ndryshonte dhe do të bëhej më i vështirë, ndërkohë që rëndësia e mesatares mbeti e pandryshuar, duke arritur në ditët e sotme kur kjo çështje është kthyer në një debat shumë të rëndësishëm për cilësinë e arsimin dhe fatin e nxënësve.

 


Burimi: Matura Shtetërore 2019



(Portali Shkollor)

5,987 Lexime
5 vjet më parë