Reflektim

Mentor Kikia: Mësuesi është arkitekti i shoqërisë

Mësuesi është arkitekti i shoqërisë. Ndaj t'u bëhemi krah në punën e tyre për arsimimin dhe edukimin e fëmijëve tanë. Mësuesit meritojnë respektin më të madh dhe vlerësimin më të madh.

Në vend të një urimi për 1(1) Shtatorin!


Unë nuk kam një foto me mësuesen e klasës së parë, në ditën e parë të shkollës, më 1 Shtator. Sepse atëkohë të bërit fotografi ishte një gjë e rrallë. Kjo është mësuese Shpresa, mësuesja e Ajlës në ditën e parë të shkollës në 11 Shtator(s’e marr vesh pse jo në 1, por në 11 Shtator, por s’ka gjë)…


Mësuesen time, 47 vjet më parë, e quanin Myzejen. Për rastësi, ajo ngjasonte me mësuese Shpresën. Kur unë shtrembërova turinjtë e po qaravitesha sepse u gjenda në një ambient të ri, me fëmijë të panjohur, ajo më përqafoi dhe më tha se më donte shumë, se në shkollë do të mësonin gjëra të bukura, do të luanim e do të gëzoheshim…. Dhe ashtu ishte vërtet. Katër vitet e fillores me mësuese Myzejenin, ishin të mrekullueshme. Në dimër, kur ne shkonim në shollë të lagur e me duart të skuqura nga i ftohti, ajo na rreshtonte pranë sobës fillimisht, të ngroheshim, e pastaj bënim mësim….


Miq!


Mësuesi është arkitekti i shoqërisë. Për fat të keq, ky profesion u përbuz e u braktis në dekatat postkomuniste, për shkak të pagave dhe rrënimit të përgjithshëm të shoqërisë, kur dija nisi të blihej me para si mall në pazar. Por pa mësuesin ne do të shkojmë edhe me keq. Ndaj t'u bëhemi krah në punën e tyre për arsimimin dhe edukimin e fëmijëve tanë. Mësuesit meritojnë respektin më të madh dhe vlerësimin më të madh.


Ndaj, nëse diku e dikur, mësuesi do t'i ketë ngritur zërin fëmijës tuaj, para se t'i jepni krahë fëmijës me shprehjen e famshme “S’ka lindur ai burrë nëne, apo bir k… ,ti bërtasë apo prekë me dorë fëmijën tim”, flisni më parë më mësuesen(in) se çfarë ka ndodhur.


Mos e edukoni fëmijën që t'i thotë mësueses që jam vajza apo djali i finalit e filanes, që punon këtu apo aty.


Mos e edukoni fëmijën t'u tregojë shokëve në klasë se çfarë makine ka babi, se ai jeton tek fshati i vilave të të pasurve dhe se ka edhe një shtëpi në Hamallaj e një në Vlorë.


Mësojini fëmijët të kuptojnë se ajo që thotë mësuesi është absolutisht e drejtë dhe, nëse mësuesi nuk ka patur të drejtë, zgjidheni ju më pas.


Suksese mësues dhe fëmijë!


Rruga është e gjatë dhe mundimshme. Por është një rrugë që duhet bërë patjetër.

Kjo është edhe rruga e vetme për ta ngritur shoqërinë mbi themele të shëndosha.



Nga Mentor Kikia

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,654 Lexime
1 vit më parë