Menaxhimi i orës së mësimit në kushte pandemie, probleme dhe mundësi zgjidhjeje
E di se do jeni të mbingarkuar dhe të pambështetur. Po nëse i ndajmë bashkërisht nevojat dhe filtrojmë së bashku atë çfarë duhet t’u japim nxënësve dhe mënyrën se si duhet tua përcjellim, mësimdhënia do jetë më cilësore.
Sot mësuesit dhe nxënësit, po vihen përballë një situate të re të mësimdhënies. Përgjatë ecurisë së punës së tij, mësuesi e di se mësimdhënia është një proces i vendosur përhershmërisht përballë ndryshimit, në aspektin metodik.
Detyrë e mësuesit është t’i japë përparësi çdo fëmije, ndryshe ajo mbetet shoqëri e dështuar. Potencialisht mësuesi do jetojë mes kërcënimeve më të mëdha për jetën po njëkohësisht dhe për vetë mësimdhënien. Skenarët e mësimit me turne, nën presionin e infektimit, do krijojë nivele të ndryshme mësimdhënie në mësimin e aftësive themelore të nevojshme për jetën. Nëse para pandemisë pwrqindja e nxënësve që nuk dinë të kuptojnë atë që lexojnë ishte pwrqindje jo e kënaqshme, pandemia, shto këtu dhe nivelin e përgatitjes së arsimtarëve, si dhe nevojave të tyre ka potencialin t'i përkeqësojë këto rezultate edhe më shumë nëse nuk veprohet shpejt.
Për çfarë duhet të shqetësohemi në këtë faze të mësimdhënies?
Për mësimdhënien, (pa llogaritur frikën e rritjes së numrit të të infektuarve nga personeli i mësuesve), është humbja në procesin mësimor pikësëpari për shkak të orës 30 min. Mos të harrojmë kërcënohemi çdo ditë nga braktisja (të rinjtë e shkollave të mesme, në këto kushte janë më të rrezikuarit), dhe tani në procesin e mësimit me turne, në një sistem arsimor të pabarabartë për kushtet e jetesës së nxënësve, do ketë ndikimet e veta. (Të tëra shkollat nuk e kanë luksin të kenë nxënës, që e kanë shkollën në zonën e tyre të banimit, shumë nga ata janë të detyruar të lëvizin me mjete automobilistike, për të ardhur në shkollë, si dhe shumë nga këto nxënës nuk kanë tavolinë, lidhje interneti, laptop në shtëpi ose prindër mbështetës, nëse zbatohet sipas rastit të pandemisë, skenari një javë në shkollë një javë mësim në distance, megjithëse Ministria ka parashikuar që çdo nxënës të ndjekë nga TV mësimet online, të njëkohshme me temën që zhvillon mësuesi në klasë).
Shkolla nuk është vendi ku vetëm mësohet gjuha, matematika dhe shkenca, por edhe vendi ku nxënësi ndërton marrëdhëniet e tij shoqërore. Shkolla është vendi ku rritet qytetari, për të zhvilluar te ai aftësitë shoqërore. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që mësuesi t’ia bëjë të qartë vetes e nxënësit pse ai duhet të qëndroje i lidhur me shkollën. Pse çdo mësues duhet t’i bëjë thirrje ndërgjegjes së tij, humanizmit të tij, aftësive të tij, për ta bërë mësimin sa më të këndshëm, pavarësisht pandemisë e kohës pandemike. Mësuesi pavarësisht natyrës së tij, i ftohtë i rreptë, akademik (i/e i interesuar vetëm për procesin mësimore dhe realizimin e temave, i duhet të nxjerrë në pah ato aftësi socio - emocionale, dhe të përcjellë te nxënësi që ai të mësojë se si të kontribuojë në shoqëri si qytetar. Rol të madh kanë prindërit, po në shoqërinë tonë, ku pjesa më e madhe e tyre, të dhënë mbas halleve të mbijetesës, e lënë fëmijën të tërin në dorën e mësuesit, puna e tij merr mision tjetër.
Një problem është aftësia dixhitale e disa mësuesve, përfshi dhe pamundësinë e shumë familjeve për të qenë të pajisur me mjete teknologjike (një familje me 5 fëmijë në shkollë dhe me një telefon), që mundëson mësimdhënien online, në rastet e skenarit një javë në shkollë një javë online. Mos të harrojmë se në këto kushte të mësimdhënies, prindërit do të përfshihen më shumë në procesin e arsimimit të fëmijëve të tyre, ndaj detyrë e jona është të planifikojmë me kohë (gjë që s’duket në horizont) që mësuesit të aftësohen në teknologji përmes trajnimeve në kuptimin e drejtpërdrejtë për të zvogëluar boshllëqet që sjell kjo sfidë e re e mësimdhënies (në lidhje me pajisjet, integrimin e tyre në përdorimin e mjeteve dixhitale në planprograme si dhe gatishmërinë e mësuesve në përdorimin e teknologjisë në mënyrë efektive). Është fakt se shkollat për një periudhë të gjatë kohore, kanë mungesa të mësuesve të informatikës, aq sa është fakt i patjetërsueshëm se shumë mësues i përgatitën videot me ndihmën e fëmijëve, si të parët të dhënë mbas teknologjisë, e shumë të tjerë mundësuan mësimdhënien online vetëm nëpërmjet bisedave whatsApp, gjë që u kthye në makth jo vetëm për nxënësit po dhe për mësuesit. Teknologjia mund të forcojë sistemin e ardhshëm arsimor në një vend po kurrë nuk mund të zëvendësojë didaktikën e mësimdhënies në shkollë, ndaj duhet të mendojmë në kohë që problemet të mos bëhen më pas shtysa të dështimit. Misioni i të gjithë mësuesve është i njëjtë. Të kapërcejmë krizën e të mësuarit që tashmë po jetojmë dhe t'i përgjigjemi pandemisë me të cilën po përballemi të gjithë.
Pikësynimi është të zvogëlojmë ndikimet negative, ndaj duhet të ndërtojmë në kohë përvojat për të rikthyer besimin më të shpejtë tek të mësuarit. Shumica jemi të ndërgjegjësuar për nevojat, po këto nuk janë vetëm në dorën e mësuesit, po dhe të mundësive që instancat e duhura duhet të ofrojnë, janë ato që duhet të mendojnë se si mund të rikuperohen këto mangësi, me një ndjenjë përgjegjësisë për të gjithë aktorët dhe me një kuptim më të thjeshtë për nevojën e mbylljes së hendekut me qëllimin e vetëm t’ju sigurojmë të gjithë nxënësve që të kenë të njëjtat shanse për një arsim cilësor.
Ndaj mendoj se së pari është shumë i rëndësishëm planifikimi. Mësues i dashur bëj të mundur së pari që temat që zhvillon sipas programit lëndor të miratuar tashmë, tua përshtatësh nxënësve të tu. Kombino informacionin që mund ta ndjekë përmes TV, me informacionin tënd. Faktori kohë mes teorisë dhe leximit është shumë i rëndësishëm, nëse orën e mësimit do e kthesh vetëm në një orë detyruese vetëm për të shpjeguar, shumë shpejt do e bësh mësimin dështues e jointeresant, kombino i dashur koleg metodat që të zhvillosh një mësim sa me më shumë me aktivitete, kjo do mundësojë mësimin më mirë se 10 herë dërrasat plot që do i mbushësh me fjalë.
Ndërroni aktivitetet nëse nxënësi juaj është i shqetësuar dhe i trazuar, kur jeni duke u përpjekur të ndiqni një program mësimi vetëm informues, hidhni një mundësi që t’i bëni aktiv. Provoni të jeni në përshtatje me nevojat e tyre. Diskutimet e hapura janë një mënyrë e dobishme në procesin mësimor. Inkurajoi nxënësit që të bëjnë pyetje dhe të shprehin mendimet e tyre me ju. Mos harroni se nxënësit kanë reagime të ndryshme ndaj stresit, prandaj i dashur koleg bëj durim dhe mirëkuptoi. Filloni mësimin duke e ftuar nxënësin të flasë për këtë çështje. Është e natyrshme që dhe ata të jenë të frikësuar.
Filloni dhe kombinoni informacionin përmes dhënies së një pjese të tij online, bëni durim disa ndoshta nuk e lexojnë, jemi përballë nxënësit që më shumë nuk lexon, po ky kombinim shumë shpejt do japë frutet e veta. Shumë ushtrime në formë loje mund t’i japësh si detyra online, ku nxënësit zhvillojnë disa nga kompetencat që ju i quani të nevojshme të merren në shtëpi.
Problemi ynë është i njohur, hapni librin, lexoni, tingëllon e zakonshme, në këtë formë i dashur koleg ne vrasim krijimtarinë, mësimdhënien nëse e vendos përbri kuriozitetit, të krijon hapësirë që nxënësi të pyesë gjithmonë “pse” duke shmangur përgjigjet mbi pyetjet klishe, dhe mësimin e ndërtuar vetëm me folës mësuesin. Nëse kemi një çelës në dorë për të ndryshuar jetën e nxënësve tonë, është mësimi përmes mendimeve divergjente, ku gjëllon krijimtaria.
Mos këmbëngulni të dashur kolegë në aftësinë e nxënësit për të memorizuar data, emra apo histori, dhe mos i nxitni që informacioni që merr ta mësojë përmendsh, po nxitini që ata të mendojnë në mënyrë krijuese, kritike dhe të ndërvarur.
E di se do jeni të mbingarkuar dhe të pambështetur. Po nëse i ndajmë bashkërisht nevojat dhe filtrojmë së bashku atë çfarë duhet t’u japim nxënësve dhe mënyrën se si duhet tua përcjellim, mësimdhënia do jetë më cilësore. Secili nga ne e di që stilet më tërheqëse të të mësuarit janë ato që janë ndërthurëse dhe se të mësuarit ballë për ballë është më i mirë se sa 100 për qind të mësuarit në internet. Ndaj në këtë situatë ndërthurja në marrjen e informacionit mendoj se do jetë një hap i mirë në rritjen e cilësisë së mësimdhënies.
A e kemi të vështirë? PO. Po asgjë s’është e pamundur.
Nga Dr.Ermira Ymeraj
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Bukurie A Hajdarmataj: Letërsia dhe ndikimi i saj në formimin e karakterit të nxënësit
Rolet gjinore në familje
Një mësues mund të ndryshojë botën