Më shumë kuota sesa studentë aplikues
Numri i kandidatëve për të fituar të drejtën e studimit në universitetet rezulton rreth 27.700 ose gjashtë mijë më pak nga sa mund të presin IAL-të në Shqipëri.
Koment
Pas përmbylljes së fazës së parë të aplikimeve, numri i kandidatëve për të fituar të drejtën e studimit në një nga universitetet e vendit rezulton rreth 27.700 ose gjashtë mijë më pak nga sa janë të gatshëm të presin institucionet e arsimit të lartë (IAL).
Në raport me kuotat që ofrohen në universitetet shtetërore dhe private, mbi 34 mijë në total, probabiliteti i aplikantëve për të fituar të paktën një nga dhjetë preferencat e hedhura në formularet e aplikimit në IAL është shumë më i madh.
Sipas një vështrimi të së përditshmes “Panorama”, kufiri i notës mesatare gjashtë si kusht për të aplikuar dhe numri i konsiderueshëm i nxënësve mbetës në provimet e maturës shtetërore janë dy nga arsyet e numrit relativisht të ulët të aplikuesve në universitete.
Faza e parë e aplikimeve është mbyllur zyrtarisht dhe universitetet do të kenë në dorë listën e plotë të kandidatëve dhe të dhënat e tyre deri në fund të muajit, që të mund të zgjedhin më pas kandidtatët më të mirë, në bazë të kritereve të përcaktuara më herët.
Prej dy javësh, të gjitha universitetet kanë bërë publike numrin e studentëve që do të pranojnë për çdo pragram studimi, përkatësisht 24,915 në universitetet shtetërore (bashkë me trojet) dhe 9158 në ato private.
Lufta “më e fortë” për një të drejtë studimi në universitet pritet në Tiranë, veçanërisht në degët që e kanë ulur numrin e kuotave të pranimit. Ndër to do të jenë edhe degët e Universitetit të Mjeksisë, pasi, sipas Gazetës “Panorama”, në auditore do të ulen vetëm 888 studentë të rinj.
Ndryshe nga Fakulteti i Mjeksisë, Universiteti i Tiranës, ai Bujqësor dhe Universiteti Politeknik kanë rritur kuotat totale të pranimit nga 5% deri në 10%.
Universiteti më i madh në vend do të pranojë këtë vit rreth 5589 studentë, për t’u pasuar nga Universiteti Bujqësor me 1974 kuota dhe Politekniku me 1819 kuota pranimi për studentët e rinj.
Ndonëse ende nuk janë publikuar përzgjedhjet e kanditatëve, trendi i degëve sipas ekspertëve të AKP-së mbetet i njëjtë: Drejtësi, Administrim Biznes, Teknologji Informacioni etj.
Ligji i arsimit të lartë parashikon që fituesit do të zgjidhen nga vetë universitetet, pasi të kenë marrë nga AKP-ja të gjitha të dhënat e aplikantëve për të bërë renditjen e atyre me më shumë pikë, bazuar në formulën e përllogaritjes që është e ndryshme për të gjitha unviersitetet.
Sipas Udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, fituesit duhet të shpallen deri në datën 5 shtator dhe më pas të regjistrohen për t’i hapur rrugën fazës së dytë të regjistrimit në universitete, që do të nisë në 23 shtator deri në 1 tetor.
Hartimi i projektit kurrikular
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Kualifikimi i mësuesve sipas udhëzimit të ri