“Më fal Erlis!”
“A e përkrahëm sa duhet Erlisin?”- kjo është pyetja themelore që ngre pas vetëvrasjes së nxënësit të tij, mësuesi Selim Tahiri nga Kosova, i cili në këtë rrëfim prekës jep mesazhe të mëdha për ndikimin që kanë mësimdhënësit, veçanërisht në momentet e vështira që mund të kalojnë nxënësit e tyre.
Ishte fillimi i vitit shkollor. U thashë nxënësve se do të bënim një diktim për të parë se si qëndronin me drejtshkrim.
Duke i korrigjuar diktimet, më ra në sy emri i një nxënësi që kishte më së paku gabime. Orën tjetër pyeta se cili ishte Erlis Kadriaj. U ngrit në këmbë. Një djalë i urtë, i qeshur por që rrinte shumë i tërhequr. E urova për notën 5 dhe bëmë një bisedë të shkurtër.
Pas disa ditësh Erlisi edhe në ese mori 5. "Krenohem me ty- i thashë- je një djalë shembullor. Por dua të të pyes diçka. Të shoh shpesh vetëm. Pse nuk shoqërohesh me të tjerët?".
Siç duket i pëlqeu pyetja sepse filloi të fliste:
"Nuk u besoj shumë njerëzve. Të gjithë të përqeshin, të ofendojnë. Nuk e kuptoj pse njerëzit më shikojnë në rrugë? Pse m'i ngulin sytë ashtu? Më beso edhe një plak dje u ndal e më shikonte me habi".
"Dëgjo Erlis, i thashë - jo gjithmonë njerëzit të shikojnë me sy të keq. Nëse dikush të shikon nuk do të thotë se ka mendim negativ për ty. Ndoshta ai plaku që të ka shikuar ka thënë me vete, 'I kujt është ky djalë kaq simpatik?!'".
Filloi të qesh. Më falënderoi për bisedën dhe më tha, "O profesor shyqyr bre që më në fund na erdh një profesor me të cilin mund të flasim e qeshim lirshëm. Sa do doja që edhe në fakultet të kemi së paku një profesor si ti".
Duke parë se atij i pëlqenin bisedat e sidomos shakatë të cilat i bëja shpesh, gjithmonë gjeja momente për t'i qëndruar pranë. Herë flisnim shqip e herë në anglisht, gjuhë të cilën e zotëronte për mrekulli.
Thjesht! Erlisi ka qenë një djalë me potencial. Një djalë që kishte aftësi të mbaronte me kohë çfarëdo fakulteti. Një djalë me të cilin do të krenoheshin familja e tij, mësuesit dhe gjithë shoqëria.
Por çfarë ndodhi? A e përkrahëm sa duhet Erlisin?
Një kolege sot në trajnim ma bëri një pyetje, "Ti e paske hetuar se ai paska pasur nevojë për ndihmë. A ke biseduar me prindërit e tij?".
Heshta. E ndjeva veten ngushtë, në faj, m'u mbushën sytë me lot.
Më fal Erlis!
Nga Selim Tahiri
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Letër falenderuese mësuesit
Ese: Mjedisi dhe njeriu
Festojmë 28-29 nëntorin!