Mblidhet matura e vitit ’66, në apel mungojnë 18 “nxënës”
“Nuk e kemi parë njëri-tjetrin. Nuk e kemi ruajtur shoqërinë pas shkollës, pasi secili ka ndjekur drejtimin e tij. E kemi ruajtur shoqërinë vetëm në kujtesë. Unë 25 vitet e fundit jam vendosur në Greqi”
Jemi vetëm gjysma e djemve që kemi qenë, sepse nuk kemi pasur vajza në klasë. Vajzat ishin në klasën A, ne ishim D-ja. Kemi qenë 34 djem. Djemtë më të mirë të Politeknikumit janë këta që shikon dhe ata që mungojnë. Po të të nis t’i them emrat me radhë, njëri më i mirë se tjetri”, rrëfen Vladimir Jani nga Korça, njëri prej “nxënësve” të klasës 4D të Politeknikumit.
Pas një gjysmë shekulli janë takuar së bashku klasa e 4D, për të përkujtuar 50-vjetorin e mbarimit të Politeknikumit 7 Nëntori. Një takim mbresëlënës, dhe tejet i veçantë. Njëri pas tjetrit ata u drejtuan për tek vendi i takimit, te shkolla “Harry Fultz”, për t’u ulur në bankat e shkollës, në klasën që kanë aq shumë kujtime. Fytyra të njëjta, por tashmë të rrudhosura. U çmallën me njëri-tjetrin dhe filluan të bisedonin njësoj si adoleshentë.
Kujtonin momentet që kishin kaluar së bashku në vitin1966, qeshnin dhe ndjenin nostalgji. Disa prej tyre kishin ruajtur shoqërinë me dy ose tre shokë të klasës, ndërsa të tjerë shiheshin për herë të parë pas 50 vitesh.
“Gjatë këtyre viteve jemi mbledhur vetëm njëherë për 10-vjetorin. Ishim ne, mbase jo të gjithë, por u mblodhëm njëherë. Është një emocion shumë i veçantë”, shprehet Jani, i cili, sipas shokëve të tij, është edhe ideatori i ritakimit pas kaq shumë vitesh. “Falë teknologjisë gjetëm njëri-tjetrin, se pa të nuk do të lidheshim dot. Doli “Facebook”-u, i bënim “like” (pëlqime) njëri-tjetrit dhe kështu lamë edhe takimin. Biseduam dhe vendosëm që secili të lajmëronte një tjetër, që të mblidheshim të gjithë. E dinin që ishim 15-16 veta që mund të takoheshim, ndaj insistuam që të lajmëroheshin të gjithë. Kemi qenë gjithsej 34 djem”, tregon Stefanaq Tane.
“Nuk e kemi parë njëri-tjetrin. Nuk e kemi ruajtur shoqërinë pas shkollës, pasi secili ka ndjekur drejtimin e tij. E kemi ruajtur shoqërinë vetëm në kujtesë. Unë 25 vitet e fundit jam vendosur në Greqi. Secili ndoqi rrugën e tij, dhe unë sot jam gjysh 6 herë, po pres të shtatin”, vijon Jani,duke shkaktuar kështu humor te shokët e klasës. U takuan dhe u çmallën paksa me njërit-jetrin, por mendjen e kishin të bashkoheshin në klasë, aty ku kanë kaluar momente nga më të ndryshmet. Të gjithë së bashku hynë në godinë dhe klasën e 4D e gjetën menjëherë. Secili zuri nga një bankë, duke u munduar të zinin vendet njësoj si para 50 vitesh, kur zhvillonin mësimin. Pasi u sistemuan, filluan të bisedonin dyshe-dyshe. Kujtonin situata që kishin ndodhur në klasë. Njëri prej tyre përmendi një rast, dhe të gjithë filluan të qeshnin.
Brezi i viteve ’60 tashmë kishte kaluar një gjysmë shekulli, dhe dukej e çuditshme, por silleshin sikur të ishin ende 14-vjeçarë (në këtë moshë kanë filluar shkollën). Caktuan kujdestarin e klasës që të merrte fjalën dhe të hapte zyrtarisht takimin. Të gjithë filluan të drejtonin gishtin nga “kujdestari’. E mbanin mend.
“E si të mos e mbajmë mend”, tha njëri prej tyre, “ai gjithmonë na mbronte ne”. “Në këtë klasë dhe në këto banka jemi ulur ne që familjet na sollën për të mësuar dhe edukuar, për të fituar dijet profesionale, për të punuar e ngritur ekonominë e vendit tonë, pasi në vitet ’60 kishte nevojë për vende të reja pune, për specialistë e teknikë të shkolluar, për përmirësimin e ekonomisë, mirëqenies dhe prosperitetit të vendit”, u shpreh Adriatik Mukaj.
“Në atë kohë kemi qenë të rritur para kohe”, vijoi më tej Adem Bajramaj, i pari në regjistër. Më pas, filluan të bënim apelin, njësoj sipara 50 vitesh. Nuk ishin të gjithë, ata e dinin këtë, megjithatë nuk nguruan të përsërisnin këtë ritual që e bënin çdo ditë, përgjatë viteve të shkollës. Apelin e bëri mësuese Drita Tane, që punon në shkollën ku kanë studiuar 34 djemtë. “Këtu, mungon, mungon..., nuk jeton më”, dëgjoheshin. Ishin vetëm 16 nga 34 djem. Disa prej tyre nuk jetonin më, e me të tjerët nuk kishin kontaktuar dot.
“Mirënjohje për ata që janë dhe ata që s’janë”, tha njëri prej tyre. “Me këtë rast le të kujtojmë edhe trupën pedagogjike të periudhës sonë si, mësuesin e popullit dhe drejtorin e Politeknikumit "7 Nëntori", Gjergj Canco, mësuesin e detaleve të makinave, Jak Gjoni, mësuesin e mekanikës, Feim Carcani, mësuesin e vizatimit teknik, Rezhep Saracie Sami Kumi, shefin e degës mekanike dhe përpunimit të metaleve, Mensur Kodra, mësuesin e fizikës, Tomi Panilla, mësuesin e matematikës, Gaqo Xhara, Vangjel Romano etj., instruktorët e talentuar të praktikës mësimore, kujdestarët e konviktit dhe shumë të tjerë. Dhe në mënyrë të veçantë le të kujtojmë kujdestarin e klasës sonë, Ivan Koka, që vite më vonë ushtroi detyrën si drejtor i Politeknikumit "7 Nëntori".
Kemi qenë në moshën e adoleshencës dhe rinisë sonë, kur u ulëm për herë të parë në këto banka dhe tani jemi po ne, por në moshën e pensionit dhe jemi bërë gjyshër. Kemi shumë gjëra për të kujtuar dhe treguar me njëri-tjetrin, si për vitet e shkollës, ashtu edhe për vitet e mëvonshme të punës sonë.” Dhe më pas dolën nga klasa për të vizituar ofiçinën, që sipas tyre, ka mbetur po e njëjta. E pas kësaj, u nisën të drekonin së bashku e të çmalleshin, duke kujtuar vitet që kishin lënë pas.
Apeli, mungesat dhe të pranishmit
Pasi u bë apeli i klasës 4D, tashmë të pensionistëve të kësaj klase, mungesat ishin të shumta. E megjithatë, ata ishin tepër të gëzuar dhe të emocionuar që, të paktën ishin mbledhur 16 prej tyre. Lista e këtyre djemve të mëdhenj në moshë, vijon si më poshtë sipas rendit analfabetik në regjistër:
Adem Barjamaj
Adnan Kerpi
Adriatik Mukaj
Daniel Furxhiu
Dhimitër Bakalli
Eqerem Bundo
Eqerem Dashi
Ethem Brahimaj
Fatos Jareci
Gavril Lole
Harallamb Aleksi
Ilia Naqellari
Jovan Bardhi
Ksenofon Zhupa
Kujtim Cara
Kasem Mullaj
Lulëzim Terbaci
Metush Fisheku
Maksim Murani
Maksim Manushi
Muharrem Stojku
Muharrem Hysi
Ndriçim Biqiku
Nikolla Profka
Roland Madhi
Petrika Tanka
Sherbet Harizi
Stefanaq Tane
Thoma Kërxhalli
Vladimir Jani
Veli Tuqi
“Të më falni nëse kemi harruar ndonjë”, u dëgjua në klasë. E në fakt, ishin harruar 3 emra të tjerë. Por që askujt nuk i kujtoheshin. Disa prej tyre u shprehën se, në atë kohë, ata rrinin me 2-3 shokë të ngushtë dhe shumë prej tyre nuk i mbanin mend, e madje as nuk i kujtoheshin fytyrat dhe emrat. E kjo ishte shumë nostalgjike! Shumë buzëqeshje shihje në fytyrat e tyre. Admirim për kohën që kanë jetuar. E sigurisht, jeta vazhdon po njësoj për ta, por ky takim ishte i domosdoshëm për të rikthyer një kohë mjaft të bukur, të jetuar nga ata.
Shoqëria 50-vjeçare e Adriatik Mukajt dhe Daniel Furxhiut
“Vazhdova inxhinierinë mekanike dhe punova njëkohësisht. Më vjen fletëthirrja për ushtar. Një miku i babait më thotë: “Do shkosh ushtar apo do shkosh në shkollën e marinës”. Megjithëse nuk doja për ushtar, u qetha dhe vesha uniformën ushtarake, se shkolla e marinës në Vlorë ishte ushtarako-detare.(Qesh) Mbaroj shkollën dhe kam punuar 29 vjet në dete dhe oqeane. Kam parë 60 vende të botës, që nga Singapori e më tej, gjithë jetën. Në ’98-n kam dalë nga deti. Kapiten anije jam bërë në vitin ’83, me anijen “Gjirokastra”, anija më e madhe e prodhuar në kantierin detar në Durrës, 2750 ton. Pasi dola nga deti u vendosa te mjetet detare. Mbas një viti oficer i thjeshtë, bëhem drejtor në vitet 2001-2004, me 120 punëtorë. Pas 50 vjetësh takohem me këta shokë, që nuk pata mundësi t’i takoj gjatë këtyre viteve, sepse unë isha nëpër dete e oqeane. Tani mblidhemi dhe kujtojmë me nostalgji vitet e shkuara”, shprehet Adriatik Mukaj, i cili ndan një pjesë të rëndësishme të punës së tij edhe me shokët e klasës.
“Nga të gjithë shokët e klasës, me Daniel Furxhiun ose Leksi siç i thoshim, kam pasur marrëdhënie familjare, hyrje-dalje, dhe kur kam martuar djalin e dytë, ka qenë i pranishëm në dasmën e djalit. Gjithë jetën më ka shoqëruar në jetën time Danieli. Ky sot (i drejtohet Danielit) është biznesmen në fushën e mekanikës, më parë ka qenë arbitër basketbolli dhe shef klubi i Fierit”, përfundon Tiku (siç e thërret Danieli), duke i kaluar fjalën Leksit. “I tha të gjitha ça ishin për të thënë. (Qesh) Është një kënaqësi që takohemi pas 50 vjetësh. Normalisht që grupi nuk është i gjithi, arsyet janë të shumta, edhe jetësore, disa prej tyre nuk jetojnë më, siç mund të përmend Muharrem Stojkun, i cili edhe pse mbaroi degën mekanike, çuditërisht u specializua më vonë edhe dha shumë edhe në nivel kombëtar, në fushën e energjetikës, që arriti edhe të drejtonte KESH-in, padyshim me rezultate të jashtëzakonshme. Por gjithsesi për aq sa jemi mbledhur sot është kënaqësi e madhe. Mund të jetë një rast i rrallë që takohen adoleshentë të asaj kohe”, kujton me nostalgji Daniel Furxhiu, i lumtur për takimin pas 50 vitesh.
(Anxhela Devole, Shekulli)
Letër falenderuese mësuesit
Për Klodin: Një udhëtim i paharruar mirësie...
Ese: Mjedisi dhe njeriu