Integrimi i të rinjve

Mbi 1 mijë të rinj të punësuar nga Programi Kombëtar i Praktikave të Punës

Nga MAS është deklaruar se deri tani nga në 6 thirrjet e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, janë bërë mbi 18 mijë aplikime, 3618 praktika tre mujore të suksesshme dhe prej tyre janë punësuar me kontratë 1 vjeçare 1252 të rinj nga mosha 21 deri 26 vjeç.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi së bashku me Ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi morën pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për Thirrjen e VI-të të Praktikave të Punës.


Gjatë fjalës së saj ministrja Kushi tha se ‘Programi Kombëtar i Praktikave të Punës’ nisi në vitin 2015 dhe nga viti në vit u konsolidua, dhe sot është kthyer në një mundësi reale për të rinjtë që të integrohen dhe të japin kontribut brenda vendit në administratën publike, institucionet qendrore, vendore dhe të pavarura.


Deri tani, në 6 thirrjet e bëra janë bërë mbi 18 mijë aplikime, 3618 praktika tre mujore të suksesshme dhe prej tyre janë punësuar me kontratë 1 vjeçare 1252 të rinj nga mosha 21 deri 26 vjeç.


Ministrja Kushi tha se nga ky program të gjitha palët fitojnë. “Nga njëra anë të rinjtë e të rejat  kanë mundësi që të ushtrojnë në praktikë njohuritë teorike të marra gjatë universitetit. Nga ana tjetër komunikojnë me profesionistë të fushave të caktuara. Por po ashtu kanë edhe një mundësi të veçantë për punësim sepse vetë eksperienca e ka treguar që një pjesë prej tyre nuk janë mjaftuar me një kontratë 1 vjeçare, por kanë mundur pastaj të sigurojnë një kontratë pa afat në këto institucione”- theksoi Kushi.

Ajo shtoi se nga ana tjetër edhe administrata, kompanitë, organizatat jo fitimprurëse (OJF-të) dhe bashkitë përfitojnë nga energjia e të rinjve, vizioni i tyre, kreativiteti krijohen ura ndërveprimi dhe sinergji të reja.


“Të rinjtë kanë disa aftësi të cilat janë aftësitë digjitale, njohuritë në gjuhët e huaja, ndërveprimi me njëri tjetrin. Prandaj ky program i jep një frymë të re institucioneve dhe kompanive”- tha ministrja.


Por ky program nuk është i vetëm në mbështetje të të rinjve. 

Programi i të diplomuarve ekselentë, të cilët gjithashtu mund të përfshihen apo aplikojnë pranë institucioneve të administratës publike pa kaluar në procedurat të departamentit të administratës publike siç ndodh normalisht. Edhe programi “Gati për Shqipërinë” e ndjekur nga Ministri i Shtetit për të Rinjtë dhe Fëmijët, nxit të rinjtë por edhe më të rriturit që kanë studiuar dhe japin kontribut jashtë vendit në institucione të huaja, të vijnë dhe të japin kontribut për Shqipërinë. 


Ministrja Kushi nënvizoi edhe panairin “Work and Study” që mundësohet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, si dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, i cili është zhvilluar pothuajse në të gjithë Shqipërinë dhe ka bërë bashkë ofertën dhe kërkesën për studime dhe punësim. Pjesë e këtij panairi janë pothuajse të gjitha universitetet, por ka dhe shumë kompani që ofrojnë mundësi punësimi për të rinj dhe të reja.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,192 Lexime
2 vjet më parë