Matura

Maturantët mbetës, 4 ditë afat për plotësimin e Formularit A1Z

Maturantët duke filluar nga nesër, pra nga data 6 prill deri në datë 9 prill nisin plotësimin e formularit A1Z në gjimnazin ku kanë kryer studimet. Maturantët mbetës mbartin lëndët që i kanë marrë me notë kaluese nga matura e mëparshme

Maturantët që kanë mbaruar shkollën e mesme para vitit 2016, por kanë rezultuar mbetës në një ose më shumë provime të Maturës Shtetërore duhet patjetër që të plotësojnë online formularin A1Z. Fillimisht ata duhet të bëjnë regjistrimin në portalin qeveritar e-albania, por nëse për arsye të ndryshme ata e kanë të pamundur të bëjnë aplikimin në këtë portal, mund të bëjnë direkt regjistrimin online në shkollën ku kanë kryer gjimnazin.

Maturantët duke filluar nga nesër, pra nga data 6 prill deri në datë 9 prill (sipas kalendarit të AKP) nisin plotësimin e formularit A1Z në gjimnazin ku kanë kryer studimet. Në këtë formular maturantët mbetës mbartin lëndët që i kanë marrë me notë kaluese nga matura e mëparshme.

Nëse veç provimeve me detyrim, ata kanë ngelur edhe në lëndët me zgjedhje, ata kanë mundësi që të zgjedhin mes lëndëve të listuara në formularin A1Z. Edhe për këta maturantë, vlen të theksohet se nëse këtë vit do të konkurrojnë në universitetet publike, te provimet me zgjedhje nuk kanë rëndësi se çfarë lënde zgjedhin, por rëndësi ka nota që ata marrin.

Hapat e plotësimit të A1Z

Formulari A1Z plotësohet nga maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2016 dhe kanë detyrim për të dhënë një ose disa provime të Maturës Shtetërore. Po ashtu, edhe nga maturantët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit dhe pasi kanë bërë njehsimin e diplomës në komisionin përkatës të MAS, rezulton se kanë detyrim për të dhënë një ose disa provime të Maturës Shtetërore.

Mbikëqyrësi do të pajiset me kodin përkatës të hyrjes në sistem. Vetëm pasi mbikëqyrësi fut kodin në sistem, kandidati mund të përfundojë plotësimin e Formularit A1Z. Kandidatët për të plotësuar formularin A1Z, duhet të paraqesin te mbikëqyrësi një vërtetim të lëshuar nga shkolla ku ka dhënë provimet. Vërtetimi, veç gjeneraliteteve duhet të ketë edhe këto të dhëna:

a)      Provimet e detyruara dhe vlerësimet të secilit provim, nëse ato rezultojnë të fituara nga kandidati.

b)      Provimet me zgjedhje dhe vlerësimet e shkallëzuara të secilit provim, nëse ato rezultojnë të fituara nga kandidati. Pjesa e parë dhe e dytë e formularit ka të bëjë me të dhënat personale dhe ato të shkollës, të cilat kandidatët i plotësojnë në bashkëpunim me mësuesin. Ndërsa te pjesa e tretë përfshihen të dhënat lëndore, për provimet e mbartura nga vitet e mëparshme dhe provimet që do jepen sërish. Të dhënat në këtë pjesë të formularit A1Z, mbikëqyrësi i plotëson në bazë të vërtetimeve që ka dorëzuar kandidati. Tek ID e maturantit shënohet ID që maturanti ka marrë në maturat e mëparshme, nëse nuk ka marrë ID, fusha mbetet bosh.

Viti i përfundimit të shkollës së mesme, zgjidhet vitit i fundit i shkollës. Te paragrafi lëndët e detyruara që mbarten, te D1, shfaq ”Letërsi”, mbikëqyrësi shënon notën e përshkallëzuar të kësaj lënde; te lënda D2, shfaqet “Matematikë”, shënon notën e përshkallëzuar të kësaj lënde. Nëse kandidati një lëndë të detyruar do ta mbartë, pasi ka marrë notë pozitive, do shënojë vetëm lëndën që do japë provim, pra nëse mbart D1, do shënojë vetëm lëndën D2 që do japë provim. Nëse kandidati i mbart dhe D1 dhe D2, nuk zgjidhet asnjë prej lëndëve.

Provimet me zgjedhje

Sa i përket mbartjes së lëndëve me zgjedhje, te lënda Z1 zgjedh nga lista lëndën Z1, që do të mbartë dhe shënon vitin kur ka dhënë notën e përshkallëzuar të saj. Po ashtu veprohet edhe për lëndën Z2. Kandidati që mbart nga matura e viteve 2006-2015 dy lëndë me zgjedhje, nuk do japë asnjë provim me zgjedhje, kandidati që zgjedh mbart një lëndë me zgjedhje nga matura e mëparshme, duhet të zgjedhë për të dhënë provim vetëm një lëndë. Ndërsa kandidati që nuk ka mbartur lëndë me zgjedhje nga maturat e para vitit 2016, pasi ka marrë notë jokaluese, duhet të zgjedhë për të dhënë provim dy lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje në përputhje me udhëzimin nr.1 datë 11.02.2016 dhe 3.03.2016.

Lëndët me zgjedhje duhet të plotësojnë kushtin, jo më pak se 8 kredite. Kandidatët duhet t’i zgjedhin ato nga lista e 30 lëndëve, ku 27 lëndë janë për gjimnazin, ndërsa tri janë për shkollat artistike. Mbetësit e shkollave profesionale, një prej lëndëve duhet ta zgjedhin nga 14 lëndët me zgjedhe të lirë, ndërsa lëndën tjetër e kanë të detyruar ta zgjedhin nga 27 lëndët e pasqyruara te “Teoria Profesionale” e integruar me zgjedhje të detyruar.

(Nga Ermelinda Hoxhaj, GSH)

3,333 Lexime
8 vjet më parë