Matura, sot afati i fundit për plotësimin e notës mesatare
Në udhëzimin e MAS-it përcaktohet se maturantët përpara se të bëjnë aplikimin në portalin e maturës, duhet të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2000 lekë në zyrat e postës apo në bankat e nivelit të dytë në llogari të AKP-së.
Sot është afati i fundit që maturantët kanë për të kryer pagesën e aplikimit në universitet prej 2 mijë lekësh dhe të hedhin notën mesatare në sistem. Ndërkohë që data 11 gusht do të jetë dita e fundit që maturantët do të kenë në dispozicion për të plotësuar formularin e aplikimit për në universitet.
Në kalendarin e publikuar nga AKP-ja, dita e fundit e aplikimit është data 10 gusht dhe u është përcaktuar si ditë për aplikimin në universitet maturantëve të këtyre DAR/ZA-ve: Kukës, Has, Tropojë, Dibër, Mat dhe Bulqizë. Ndërsa data 11 gusht është shansi i fundit për ata kandidatë që kanë kryer pagesën, por për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të plotësojnë formularin e aplikimit.
Kjo procedurë vlen për universitetet publike dhe private, pasi ata maturantë që dëshirojnë të vijojnë studimet e larta në institucione private, duhet patjetër të bëjnë aplikimin, në të kundërt nuk mund të ndjekin asnjë program studimi edhe në universitet private.
Në udhëzimin e MAS-it përcaktohet se maturantët përpara se të bëjnë aplikimin në portalin e maturës, duhet të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2000 lekë në zyrat e postës apo në bankat e nivelit të dytë në llogari të AKP-së. Pas dorëzimit të këtij mandati pagese, sekretaritë e shkollave hedhin në sistem notën mesatare për pranimin e maturantëve në ciklin e parë të studime.
Aplikimi nëpërmjet formularit të aplikimit në portalin e Maturës Shtetërore kryhet në cilindo mjedis që ka akses interneti. Kandidatët hyjnë në portal me kredencialet e tyre: ID-ja e kandidatit; emri, atësia, mbiemri; karta e identitetit; e-maili i kandidatit etj., duke zgjedhur deri në 10 programe studimi nga lista e programeve të studimit që ofrohen nga 34 universitetet publike dhe jopublike për vitin shkollor 2016-2017.
Universitetet shpallin listat jopërfundimtare të kandidatëve fitues me ID-në e kandidatit, në faqen elektronike brenda datës 5 shtator. Pas procesit të ankimimit, në datën 11 shtator universitetet shpallin listën përfundimtare të fituesve.
Hartimi i projektit kurrikular
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Kualifikimi i mësuesve sipas udhëzimit të ri