MAS

Matura shtetërore, rezultatet përfundimtare pritet të dalin më 10 korrik

Në universitetet publike në vendin tonë do të aplikojnë vetëm ata maturantë që kanë një notë mesatare mbi gjashtë. Maturantët që nuk e plotësojnë këtë kriter do të mund të ndjekin studime 2-vjeçare

Rezultatet përfundimtare të provimeve të Maturës Shtetërore pritet të dalin më 10 korrik. Ndërkohë Ministria e Arsimit po përgatit udhëzimin për fazën e dytë, atë të aplikimit të maturantëve në universitete.

“Në 10 korrik, çdo maturant do të marrë dokumentacionin përkatës bashkë me certifikatën e notave dhe listën. Maturantët në këto 10 ditë kanë mundësi të bëjnë përllogaritjen e të gjitha notave që kanë marrë, sa është nota mesatare e cila pjesëtohet për dy, duke nxjerrë notën mesatare me të cilën ata do të hyjnë në garë”, tha zëvendësministrja e Arsimit Nora Malaj.

Rreth shtatë mijë maturantë pritet të aplikojnë për të ndjekur studimet e larta jashtë vendit. Këta maturantë do të kenë prioritet për të përgatitur në kohë dokumentacionin e nevojshëm për në universitet. 

Në universitetet publike në vendin tonë do të aplikojnë vetëm ata maturantë që kanë një notë mesatare mbi gjashtë. Maturantët që nuk e plotësojnë këtë kriter do të mund të ndjekin studime 2-vjeçare.

Maturantët do të aplikojnë online për studimet e larta, për më shumë detaje ata mund të informohen në faqen online të Ministrisë së Arsimit, universiteteve dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve.

2,067 Lexime
8 vjet më parë