MASR

Matura 2020-2021, do të rishihet efektiviteti i notës në shkollën e mesme

Në deklaratën e fundit të saj, ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini është shprehur se matura 2021 do të përballet me kontrollin mbi efektivitetin e notës në gjimnaz. Do të ndërmerren masa konkrete për nxënësit dhe mësuesit për notat e larta të pamerituara.

Ministria ka marrë këtë vendim, mbas disa kërkesave që i kanë ardhur nga universitetet, por dhe nga rezultatet që dalin çdo vit nga provimet e maturës. Ajo që pritet  të bëjë MASR lidhur me këtë fenomen është që, në maturën 2021 do të shihen nxënësit që kanë marrë katër nota më poshtë se mesatarja e tyre në provimin e maturës, duke punuar më pas me këta nxënës por dhe mësuesit e tyre, por duke marrë dhe masa ndaj këtyre të fundit. Në mënyrë që të parandalojnë këtë fenomen, të gjithë mësuesit duhet të kenë parasysh që prej këtij viti peshën e notave që ata i vendosin nxënësve.


"Kemi dhe një punë tjetër që  na pret këtë  vit, pasi kemi  hasur problem me efektivitetin e notave për shkollën e mesme. Ku nxënësit  me notë mesatare  10 nuk arrijnë të kapin hapin në universitet. Ku siç duket këta nxënës janë mbivlerësuar dhe kanë  marrë notë më shumë seç e kanë merituar", u shpreh Shahini. 


Gjatë daljes së  saj të fundit në media dhe bisedës me gazetarët, në fokus kanë qenë politikat e marra nga Ministria e Arsimit, dhe ato që do të ndërmarrë kjo e fundit për të tejkaluar vështirësitë e krijuara nga tërmeti dhe gjatë pandemisë.


Duke folur për hapat e ndërmarra deri më tani, ministria Shahini ka nënvizuar se deri në fund të 2020-ës janë planifikuar të rindërtohen 58 shkolla të dëmtuara nga tërmeti. Ku 20 shkolla të tilla ndodhen në Tiranë dhe 38 jashtë Tiranës, ku prioritet për t'u rikonstruktuar më herët do të kenë shkollat  më me shumë nxënës. Sipas kreut të MASR në përfundim të vitit 2020 do të kemi shkollat e para të reja.


Gjithashtu ministria Shahini ka përmendur dhe dy projekte të mëdha të kushtueshëm që pavarësisht presionit të krizës ekonomike, MASR do t’i ndërmarrë janë: së pari, zgjerimi i pakos mbështetëse me “libra falas" për klasat e gjashta dhe të shtata, si dhe për nxënësit që kanë  rrezikshmëri të lartë të braktisjes deri në shkollë të mesme; ndërkohë në synim është që kjo paketë vitin e ardhshëm të zgjerohet akoma më tepër duke mbuluar të gjithë ciklin e arsimit të detyrueshëm. Së dyti, projekti i dytë  shumë i kushtueshëm është pakti për universitetin dhe subvencionimi i tarifave për studentët dhe bursat për këta të fundit, për institucionet e arsimit universitar publik.


Ndërkohë, zhvillimi i mëtejshëm i kanalit mësimdhënës "RTSH" dhe "Blended Learning" ( mësimi i kombinuar), si dhe edukimi feminist me qëllim fuqizimin e të rinjve kundër dhunës dhe abuzimit kanë qenë temat e tjera të rëndësishme të trajtuara, që ne mund të përmendim.

"Kemi filluar projektin e  edukimi feminist për të  evidentuar kontekstin në të cilin jetojmë për të parandaluar dhunën, duke trajnuar fillimisht psikologët duke krijuar në shkollën në një ambient të sigurt", është shprehur më tej Shahini.


Përgatiti: Marina Kërçeli

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

5,055 Lexime
4 vjet më parë