Intervistë

Matura 2018, masa më të forta për administrimin e provimeve

Në një intervistë për Portalin Shkollor Rezana Vrapi, ka informuar të interesuarit për vijueshmërinë e realizimit të maturës për këtë vit, duke saktësuar se ndryshimet e mëdha do t´i takojnë maturës 2019.

Për administrimin e provimeve të maturës shtetërore 2018 do të ketë masa më të forta, ndërsa të forta do të jenë edhe penalitetet për çdo maturant i cili do të thyejë rregullat e paracaktuara gjatë zhvillimit të testeve. Kjo është pohuar nga drejtuesja e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi, për Portalin Shkollor. Në një intervistë, Vrapi, ka informuar të interesuarit për vijueshmërinë e realizimit të maturës për këtë vit, duke saktësuar se ndryshimet e mëdha do t´i takojnë maturës 2019 ku maturantët do të japin vetëm katër provimeve dhe jo pesë sikundër ka ndodhur më parë. Në fakt udhëzimi për një ndryshim të tillë ka pak ditë që është bërë publik, kështu që kjo gjë nuk ka pse t´i konfuzojë aspak ata të cilët do të testohen për të vazhduar shkollën e lartë. 


Si po realizohet matura e vitit 2018? 

Matura shtetërore 2017-2018 po realizohet sikurse maturat e kaluara. Përmbajtja dhe struktura e testeve nuk do të ndryshojë. Nxënësit do t'i nënshtrohen serish 5 provimeve: tri të detyruara dhe dy me zgjedhje. Testi i detyruar do të jetë 50 pikë dhe do të ketë 13 pyetje me alternativa dhe 12 me shtjellim. Testi me zgjedhje do të jetë 40 pikë, 10 pyetje me alternativa dhe 10 me shtjellim. Që nxënësi të quhet kalues ai duhet të marrë të paktën 20% të pikëve të testit. Nga IZHA (Instituti i Zhvillimit të Arsimit) janë publikuar programet orientuese, mbi bazën e të cilave do të hartohen nga specialistët e QSHA testet e çdo lënde. Ndërkohë që nga MASR është publikuar rregullorja e MSH.


A do të ketë ndonjë risi? Nëse po, cila do të jetë? 

Për maturën 2018 do të ketë disa masa më të forta që lidhen me administrimin e provimit në ambientet e shkollës, ndërsa do të ketë penalitete më të forta për maturantët që i thyejnë këto rregulla.


Ndërkohë flitet se për vitin 2019 do të ketë ndryshime sipas një udhëzimi të fundit të dalë nga MASR. Si do të procedohet konkretisht për testimin e maturantëve në katër lëndë dhe jo në pesë sikundër ka ndodhur më parë? 

Matura 2019 do të sjellë disa ndryshime. Këto të fundit lidhen me ndryshimin e kurrikulës dhe si pasojë si përmbajtja ashtu edhe forma e testeve do të ndryshojë. MASR ka marrë të gjitha masat që maturantët e vitit 2019 të informohen në kohë për çdo ndryshim që do të ketë sistemi i provimeve të MSH (Udhëzimi i MSH 2019 është përgatitur që më 14 shkurt 2018 dhe shkollat po informohen). Më konkretisht, do të jenë 4 provime të MSH 2019: tre të detyruara dhe një me zgjedhje. Provimet e detyruara do të jenë Gjuha shqipe dhe Letërsia, Matematika dhe Gjuha e Huaj. Provimi me zgjedhje do të përzgjidhet nga një listë lëndësh dhe në përmbajtje do të ketë pyetje nga lënda e detyruar dhe me zgjedhje. Modeli i testit te MSH 2019, për të gjitha lëndët, do t'u vendoset të gjitha shkollave në dispozicion nga QSHA në një kohë tepër të shkurtër, me qëllim që maturantët ta dinë kohë më parë se si do të jetë natyra dhe përmbajtja e testit.


Po me "maturantët e vjetër" si do të veprohet?

Për këtë vit do të veprohet sikurse vitet e kaluara. Ndërkohë për vitin 2019 ende nuk kemi një saktësim apo udhëzim, mbase është  pak herët për të folur.


(Nanila Biçaku, Portali Shkollor)

10,193 Lexime
6 vjet më parë