Intervistë

“Matematika është lojë, enigmë... hapësirë dhe jetë!”

Mësuesja e matematikës në shkollën “28 Nëntori” Burrel Flora Sulaj, gjatë një interviste na rrëfen më shumë për matematikën nga A-ja te Zh-ja, si dhe koordinatat ideale të dyshes mësues-nxënës. Për të, matematika është domosdoshmëri...

Ka 17 vite punë në arsim dhe është mësuesja e matematikës në gjimnazin “28 Nëntori” në Burrel. “Ju mundeni” kjo është përgjigja që ju jep mësuese Flora Sulaj nxënësve që ju duket e vështirë lënda e matematikës. Ajo thotë që brenda kësaj lëndë janë të përfshira të gjitha lëndët e tjera. “Matematika besoj se është nxitëse, zbavitëse, argumentuese, lojë, është letërsi, fizikë, kimi, muzikë, edukim fizik është hapësirë dhe jetë”, -shprehet ajo. 


Sa vite punë keni në arsim?

Në arsim kam 17 vite që punoj.


Si do ta përkufizonit matematikën?

Matematika është domosdoshmëri, zbavitje, lodhje për të gjetur enigmën, por edhe kënaqësi për gjetjen e saj.


A ju ka ndodhur që një nxënës t’ju thotë: “obooo matematikë, nuk e mësoj dot”, si keni reaguar? 

Më ka ndodhur të dëgjoj nxënësit teksa thonë obobo matematika, por unë ju them gjithmonë: “ju mundeni”. E keqja e një gare është të dorëzohesh pa marrë pjesë në garë. Garoni, jeta është një garë.


Si është ora ideale e matematikës?

Ora ideale e matematikës është kur të gjithë nxënësit ndjekin me gjithë dëshirë kur vërshojnë diskutimet, pyetjet: Pse? Po nëse....? Unë mendoj se....kur qëndrorët janë ato, dhe unë dirigjoj.


Çfarë metodash mësimdhënie përdorni në klasë?

T’u mësosh nxënësve matematikë është e lehtë dhe e vështirë. E rëndësishme është të dish t’u zgjosh interesin për të ndjekur duke praktikuar metoda të ndryshme mësimdhënie, gërshetimi i shumë metodave garanton sukses.


Letërsia konsiderohet si një lëndë që ju jep mundësi nxënësve të shprehen dhe krijon harmoni në klasë, nxit dëshirën për të lexuar dhe krijuar... Për matematikën çfarë mund të themi?

Matematika besoj se është nxitëse, zbavitëse, argumentuese, lojë, është letërsi, fizikë, kimi, muzikë, edukim fizik është hapësirë dhe jetë.


Cila është A-ja e matematikës? Po zh-ja?

A-> është dëshira për të hyrë në lojë, Zh -> është këmbëngulja për të zbuluar dhe për të kërkuar më thellë për to.


Matematika nganjëherë duket sikur nuk ka limite, -infinit, 0 dhe plus infinit, ky është boshti, sa u takon dijeve ku është vendndodhja e nxënësve në këtë bosht?

E rëndësishme është të jemi në rritje dhe mos të ketë zvogëlime në kordinata.


Cilat janë koordinatat ideale të dyshes mësues-nxënës?

Çdo lojë që ju luani, me çdo sport që ju merreni, çdo këngë që ju këndoni ka lidhje me matematikën, vetëm duhet ta pranoni si fakt dhe të eksploroni bukuritë e saj.


(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)

7,557 Lexime
7 vjet më parë