MAS: Vitin e ardhshëm, pagat e mësuesve dhe punonjësve psikosocialë rriten me 6%
Ministrja Evis Kushi ka dhënë lajmin se vitin e ardhshëm, pagat e mësuesve dhe punonjësve psikosocialë rriten me 6%. Do të ketë buxhet të dedikuar gjithashtu për ndërkombëtarizimin e universiteteve.
Në një komunikim për media pas mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Evis Kushi ka dhënë lajmin e mirë se vitin e ardhshëm pagat e mësuesve do të rriten me 6%, teksa nga kjo rritje do të përfitojnë edhe punonjësit psikosocialë.
"Së pari, unë dua të ndaj me ju lajmin shumë të mirë për të gjithë mësuesit dhe mësueset në të gjithë Shqipërinë për rritjen e pagave vitin e ardhshëm me 6%. Është një premtim i mbajtur, ne dhe në mandatet e kaluara e kemi rritur pagën e mësuesve herë pas here dhe këtë herë është hapi i parë i premtimit tonë që brenda këtij mandati, pagat e mësuesve të rriten me masën 40%. Për herë të parë në këto vitet e fundit, pagat nuk po rriten vetëm për mësuesit, por edhe për punonjësit psikosocialë në shkollat tona. Janë gjithsej 600 punonjës psikosocialë që japin një kontribut shumë të rëndësishëm në mbështetje të nxënësve dhe të mësuesve, sidomos gjatë periudhës së pandemisë kontributi i tyre ka qenë i jashtëzakonshëm dhe prandaj mirënjohjen, ashtu edhe sikurse për mësuesit dhe mësueset, edhe për punonjësit psikosocialë ne e shprehim jo vetëm me fjalë, por edhe me mbështetje financiare", u shpreh Ministrja Kushi.
Në kuadër të arsimit të lartë, Kushi ka dhënë lajm të mirë gjithashtu: "Ndërkohë, që lajme të mira me këtë buxhet vijnë edhe për arsimin e lartë. Siç e dini, një ndër objektivat tanë, nga prioritetet tona për arsimin e lartë është ndërkombëtarizimi i universiteteve me qëllimin final rritjen e cilësisë në arsimin tonë të lartë dhe dhënien e vlerës së vërtetë të diplomave në mënyrë që të diplomuarit tanë të kenë aftësi të konkurrueshme me te rinjtë dhe të rejat në Bashkimin Europian dhe më gjërë", tha ajo ndërsa nënvizoi se do të ketë një buxhet të dedikuar për të mbështetur këto projekte të universiteteve, projektet e bashkëpunimit me universitetet më prestigjoze europiane dhe botërore.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Sugjerime për përmirësimin e udhëzimit mbi ndalimin e telefonave celularë në mjediset shkollore
Hartimi i projektit kurrikular
Buxheti 2025 për arsimin dhe sportin rritet me +18%