Matura Shtetërore

MAS publikon programet orientuese për maturantët

Janë 39 programe orientuese por maturantët do të testohen vetëm në 5. Ata mund të fillojnë të zgjedhin lëndët, pasi pjesa më e madhe e universiteteve kanë publikuar kriteret e pranimit.

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka publikuar programet orientuese për maturën shtetërore 2017-të. Pesë muaj para provimeve maturantët mund të fillojnë përgatitjet e tyre për tre provimet e detyruara dhe dy provimet me zgjedhje.


Janë 39 programe orientuese, por maturantët do të testohen vetëm në 5. Ata mund të fillojnë të zgjedhin lëndët, pasi pjesa më e madhe e universiteteve kanë publikuar kriteret e pranimit.

Lënda e gjuhës shqipe dhe e letërsisë është provim i detyruar i Maturës Shtetërore për të gjithë nxënësit që mbarojnë shkollën e mesme. Për këtë, ata i nënshtrohen një testi, në përbërje të të cilit janë njohuritë dhe aftësitë e fituara në këtë lëndë, gjatë viteve të shkollës së mesme. Ky test zhvillohet mbi bazën e programit orientues. Ky program i ndihmon nxënësit dhe mësuesit për t’u përgatitur për provimin e maturës. Programi, gjithashtu, u vjen në ndihmë inspektorëve të ISHA-s që të monitorojnë veprimtaritë e mësuesit për sistemimin dhe përforcimin e njohurive të nxënësve.


Programi orientues mbështetet në:

·        Programet e gjuhës shqipe dhe të letërsisë në kurrikulën bërthamë.

·        Udhëzuesin për zhvillimin e kurrikulës së re të gjimnazit, 2010.

·        Standardet e të nxënit dhe të arritjeve për fushën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë, 2012.

·        Udhëzimin e MAS-it “Për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore, 2017”.


Programi i shkollës së mesme nuk paraqitet me tema mësimore, por me objektiva të cilat e vënë theksin në rezultatet e të nxënit. Objektivat e programit të lëndës së gjuhës shqipe dhe letërsisë realizohen nëpërmjet teksteve (tekst tregimtar, tekst poetik, tekst dramatik, tekst bindës / argumentues, tekst përshkrues, tekst shpjegues, tekst informativ, tekst eseistik, tekst kulturologjik). Fakti që nxënësi përballet dhe ushtrohet në tekste të ndryshme, e bën më të lehtë “transferimin” dhe përdorimin e koncepteve, njohurive e aftësive edhe në tekste të tjera.

Kështu, testi i Maturës Shtetërore do të ketë në përbërje fragmente nga tekste të ndryshme (tekst tregimtar, tekst poetik, tekst dramatik, tekst bindës / argumentues, tekst përshkrues, tekst shpjegues, tekst informativ, tekst eseistik, tekst kulturologjik), jo patjetër të punuara në klasë.


Maturanti testohet për aftësitë intelektuale të vëzhgueshme dhe të matshme, të synuara nga programi dhe të zhvilluara në lëndën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë, të tilla si:

·        aftësia për të identifikuar dhe për të kuptuar (nivel bazë i aftësive intelektuale);

·        aftësia për të analizuar dhe për të zbatuar (nivel mesatar i aftësive intelektuale);

·        aftësia për të vlerësuar, për të gjykuar dhe për të mbrojtur qëndrime të caktuara (nivel i lartë i aftësive intelektuale).


Struktura e testit do të jetë:

Pjesa e parë: tekst letrar (45%)

Pjesa e dytë: tekst joletrar (55%)

Kjo do të thotë që në përgatitjen e maturantëve për provimin e Maturës Shtetërore do të punohet për përvetësimin e aftësive dhe teknikave zbuluese, shpjeguese, zbatuese, analizuese, sintetizuese dhe vlerësuese. Këto aftësi dhe teknika, nxënësit do t’i demonstrojnë dhe do t’i zbatojnë në tekste tregimtare, poetike, dramatike, bindëse / argumentuese, përshkruese, shpjeguese, informative, eseistike, kulturologjike, të punuara ose jo më parë në klasë.


Pra, nxënësit duhet të aftësohen për objektivat e programit orientues. Ata duhet të jenë të aftë të demonstrojnë arritjet e tyre në të gjitha llojet e teksteve.

Përgatitja për provimine lëndës së matematikës bërthamë bazohet në programet e matematikës bërthamë të gjimnazit sipas klasave të ndryshme dhe përfshin njohuritë dhe aftësitë më të rëndësishme të këtyre programeve.


Modelimi matematik, aftësia për të zgjidhur problema, aftësia për të përdorur njohuritë matematike në situata nga jeta reale dhe në problema me përmbajtje nga shkencat e tjera, aftësia e të menduarit kritik, aftësia për të argumentuar, për të gjykuar, për të vërtetuar, si dhe aftësitë ndërkurrikulare të kurrikulës së gjimnazit duhet të jenë në vëmendje përgjatë përgatitjes për provimin e matematikës. Programi orientues është hartuar sipas linjave e nënlinjave të njëjta me ato të programeve të matematikës bërthamë për gjimnazin.


Programi orientues për përgatitjen e provimit të lëndës së matematikës bërthamë është mbështetur në:

·        programet e lëndës së matematikës bërthamë për klasat 10-12;

·        udhëzuesin për zhvillimin e kurrikulës së gjimnazit (viti 2010);

·        standardet e të nxënit dhe arritjeve të fushës së matematikës (viti 2012).


Shkarko programet orientuse të Maturës Shetërore


(Portali Shkollor)

3,198 Lexime
7 vjet më parë