MAS hap garën për tekstet e klasës II dhe VII

Ministria e Arsimit dhe Sportit çel konkursin për tekstet e reja shkollore për klasën e dytë dhe të shtatë për vitin shkollor 2016-2017

Ministria e Arsimit dhe Sportit çel konkursin për tekstet e reja shkollore për klasën e dytë dhe të shtatë për vitin shkollor 2016-2017. Urdhri i MAS-it përcakton se për lëndët “Matematikë 2”, “Dituri Natyre 2” , “Matematikë 7”, “Fizikë 7” dhe “Biologji 6” duhet të jenë përkthim i teksteve shkollore të shtëpive botuese “Oxfrod University Press” “Pearson” dhe “Cambridge”. Në urdhrin e datës 23 shkurt 2016, MAS-i sqaron shtëpitë botuese se gara për hartimin e teksteve të reja shkollore do të jetë për 22 tekste, për 4 tekste të klasës II dhe 18 tekste të klasës VII. Sipas Ministrisë së Arsimit, hartimi i këtyre teksteve bëhet në përputhje me kërkesat e reja të programeve mësimore 2016- 2017 dhe standardet për tekstet shkollore.

Shtëpitë botuese kanë vetëm dy muaj kohë që të përgatisin tekstet e reja dhe të bëhen pjesë e konkursit, pasi sipas MAS-it, afati për të dorëzuar tekstet për t’u bërë vlerësimi nga Komisioni i Vlerësimit të Teksteve Shkollore janë datat 25, 26 dhe 27 prill 2016. Ndërkohë që fituesit do të shpallen në datën 20 mars 2016. KONKURSI & AFATET Vitin e ri shkollor 2016- 2017, veç nxënësve të klasës së I dhe të VI që po mësojnë me tekste të reja, edhe nxënësit e klasave të II dhe të VII do të mësojnë me tekste të reja. Ministria e Arsimit ka hapur konkursin për botimin e teksteve të reja për këto dy klasa të arsimit parauniversitar, ku lëndët ekzakte do jenë përkthim i librave të tri shtëpive të huaja botuese.

Në dispozicion për të hartuar tekstet e reja autorët e teksteve do të kenë vetëm 60 ditë kohë, pasi afati i dorëzimit të teksteve për t’iu nënshtruar vlerësimit janë datat 25-26 dhe 27 prill 2016. Në urdhrin e Ministrisë së Arsimit, i cili mban datën 23.02.2016, përcaktohet se hartimi i teksteve shkollore bëhet në përputhje me programet e reja mësimore 2016-2017 dhe në respektim të standardeve të teksteve shkollore, të miratuara nga MAS-i. “Nisur nga plotësimi i kritereve mbi përshtatshmërinë e programeve tona me tekstet e huaja, tekstet shkollore: Matematika 2, Dituri Natyre 2, Matematikë 7, Fizikë 7 dhe Biologji 7, të jenë përkthim i teksteve shkollore të shtëpive botuese ‘Oxfrod University Press’, ‘Pearson’ dhe ‘Cambridge’, dokumentuar me kontratë paraprake të lidhur mes subjekteve. Me lejen paraprake përkatëse nga botuesi i huaj, përkthimet mund të përshtaten në realitetin shqiptar për elementet që i përkasin realitetit të huaj. Formati fizik i tekstit të paraqitur duhet të jetë i njëjtë me tekstin origjinal (tekst, fletore pune, në rastin kur origjinali i ka fizikisht të ndara, si pjesë plotësuese e librit të nxënësit)”, saktësohet në urdhrin e Ministrisë së Arsimit.

Po ashtu, shtëpitë botuese kanë të drejtën të konkurrojnë vetëm me një alternativë nga tekstet shkollore të shtëpive botuese “Oxfrod University Press”, “Pearson” dhe “Cambridge” për lëndë/klasë, dhe të paraqesin tekstet origjinale përkatëse. Sa u përket teksteve shkollore “Gjuhë e huaj e parë” dhe “Gjuhë e huaj e dytë” (Anglisht 7, Frëngjisht 7, Italisht 7 dhe Gjermanisht 7), duhet të paraqiten në versionin e tyre origjinal, botim i shtëpive botuese të huaja, përkatësisht angleze, franceze, italiane dhe gjermane. Po ashtu, edhe në këtë urdhër, ashtu si ishte për tekstet e reja për klasën e parë dhe të gjashtë, edhe për tekstet e klasës së dytë dhe të shtatë për lëndët “Edukim për shoqërinë 2” dhe “Qytetaria 7” është lënë që disa kapituj dhe tematika të kenë autor “Junior Archivement”. Komisioni i Vlerësimit të Teksteve Shkollore në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në datën 20 maj 2016 do të bëjë shpalljen e fituesve, ndërkohë që përzgjedhja e teksteve dhe porosia e botuesit do të bëhet në datat 10-17 qershor 2016. Në këtë urdhër MAS-i përcakton se shitja e këtyre teksteve do të bëhet në periudhën 25 gusht-14 shtator 2016.

(Nga Ermelinda Hoxhaj, GSH)

4,513 Lexime
8 vjet më parë