MAS garanton zgjedhje të drejta në universitetet publike
"Në Universitetin e Tiranës, por besoj në të gjitha universitetet publike, procesi zgjedhor do të gjenerojë drejtues që do të çojnë përpara arsimin e lartë , duke përballuar sfidat që kemi"
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte e pranishme në një tryezë diskutimi me rektorët e universiteteve publike në lidhje me procesin e zgjedhjeve të autoriteteve dhe organeve drejtuese në institucionet e arsimit të lartë.
Pasi falënderoi rektorët për gjithçka që kanë realizuar duke qenë në krye të universiteteve, ministrja Nikolla shpalli garën e re zgjedhore në institucionet e arsimit të lartë publik, për të vijuar me procesin zgjedhor në datën 20 prill.
“Lejomëni të përsëris vendosmërinë e qeverisë dhe timen personale për të filluar një histori të re, që na ndan nga historia e vjetër e prekjes së zgjedhjeve në universitete nga politika. Universitetet janë të studentëve, të Profesoratit. Ne besojmë fort tek universiteti, tek liria akademike, ndaj dhe shpresojmë që në fund të kemi një proces të drejtë, sipas ligjit të arsimit të lartë. Pas një procesi të ndershëm ku vendos vota e profesorëve dhe studentëve në do të kemi edhe njerëzit e duhur me të cilët do bashkëpunojmë fort për të bërë të mundur atë që është kryefjala e punës sonë, një cilësi të re në institucionet tona të arsimit të lartë”, deklaroi Nikolla.
Ministrja vlerësoi bashkëpunimin e rektorëve për procese si, verifikimi i kritereve të ligjshmërisë dhe ligji i arsimit të lartë dhe shprehu gatishmërinë e saj për të bërë të mundur, një proces zgjedhor të drejtë dhe të ndershëm.
“Lejomëni të zotohem dhe t’ju garantoj që do të jetë një proces model, i ndershëm, një proces komunikimi serioz, sipas ligjit të arsimit të lartë dhe rregullores së zgjedhjeve në IAL, për të mundësuar një histori të re suksesi, në mënyrë që njerëzit që do të zgjidhen në gjithë hierarkinë e institucioneve të arsimit të lartë, të jenë ata që mishërojnë më së miri zgjedhjen e lirë, por të jenë edhe profesionalistët e duhur që do të çojnë përpara arritjet në institucionet e arsimit të lartë”, u shpreh ministrja Nikolla.
I pranishëm në tryezën e diskutimit, Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule vlerësoi bashkëpunimin që Ministrja Nikolla ka treguar në raport me universitetet.
“Vlerësimet që Senati i Universitetit të Tiranës i ka bërë projekt rregullores për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet e arsimit të lartë, janë marrë në konsideratë nga ana juaj. Për këtë më vjen mirë se edhe kjo është pjesë e bashkëpunimit mes nesh. Në Universitetin e Tiranës, por besoj në të gjitha universitetet publike, procesi zgjedhor do të gjenerojë drejtues që do të çojnë përpara arsimin e lartë , duke përballuar sfidat që kemi”, tha Kule.
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Hartimi i projektit kurrikular
Rritja e pagave të punonjësve të arsimit dhe udhëzime për zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave