Marrëdhënia mes projektimit të punës, motivimit dhe ecurisë së mësuesve në institucionet arsimore
Rezultatet e studimit treguan se të gjitha karakteristikat e projektimit të punës shoqëroheshin nga një nivel i lartë i perceptimit të tyre nga ana e stafit akademik të shkollave të mesme. Kjo tregon se profesioni i mësuesisë është një profesion i cili i mbart këto karakteristika në një nivel të lartë.
Rritja e motivimit dhe arritja e një performance të shkëlqyer të punonjësve është pika fokale e shumicës së organizatave. Në institucionet arsimore, çështja e motivimit dhe performancës në punë është debatuar gjatë për shkak të subjektivitetit të saj.
Qëllimi i këtij studimi ishte për të hetuar marrëdhëniet që ekzistojnë mes projektimit të punës, një koncept shumë i rëndësishëm në menaxhimin e burimeve njerëzore, motivimit dhe ecurisë së mësuesve në punë. Ky studim është i bazuar në qasjen e motivuese të projektimit të punës që lidhet me teorinë e karakteristikave të punës (Oldham dhe Hackman, 1976). Shkalla e perceptuar e projektimit të punës është operacionalizuar në pesë dimensione (shumëllojshmërinë e detyrave,rëndësinë e detyrave, identitetin e detyrave,autonomia dhe feedback).
Subjektet për studim përbëheshin nga 152 mësues në 5 shkolla të mesme në qytetin e Ebasanit. Të dhënat e mbledhura iu nënshtruan analizës statistikore të përshtatshme duke përdorur koeficientin e korrelacionit Pearson, dhe të gjitha gjetjet janë testuar në 0.05 nivel të rëndësisë.
Rezultatet e studimit konfirmuan se projektimi i punës priret të ndikojë në mënyrë të konsiderueshme në motivimin dhe ecurinë e punës së mësuesve në shkolla. Studimi gjithashtu zbuloi se ekzistonte një marrëdhënie pozitive mes motivimit dhe ecurisë së punës së mësuesve.
Rezultatet e studimit treguan se të gjitha karakteristikat e projektimit të punës shoqëroheshin nga një nivel i lartë i perceptimit të tyre nga ana e stafit akademik të shkollave të mesme. Kjo tregon se profesioni i mësuesisë në vetvete është një profesion i cili i mbart këto karakteristika në një nivel të lartë.
Mësuesit pajtohen me faktin se ata duhet të bejnë gjëra të ndryshme për të kryer punën e tyre, përbën një punë kuptimplotë për ta, kanë autonomi në punën e cila shpjegon dhe fleksibilitetin e punës së tyre dhe vetë puna u jep informacion në lidhje me projektimin, performancën dhe motivimin në punë.
Projektimi i punës ndikon në mënyrë të konsiderueshme në performancën e mësuesve (r=0.434). Secili nga elementët( shumllojshmëria e detyrave, rëndësia e detyrës, identiteti i detyrës,autonomia dhe feedback) kanë një marrëdhënie pozitive me performancën. Autonomia në punë dhe autonomia në vendimmarrje kanë një marrëdhënie më të fortë me motivimin,përkatësisht r=0.401 dhe r=0.273.
Projektimi ka një marrëdhënie pozitive me motivimin, marrëdhënie që shoqërohet me një koeficient Pearsoni r=0.311 dhe p value 0.000. Pesë karakteristikat e punës që përbëjnë projektimin e punës kanë një marrëdhënie të fortë me motivimin. Ajo që vihet re është se ndryshe nga performanca që kishte një lidhje më të fortë me autonominë, feedback nga puna është ai që krijon një lidhje më të fortë me motivimin duke u shoqëruar nga një nivel i rëndësishëm statistikor p value 0.000.
Performanca në punë e mësuesve ndikohet në mënyrë të konsiderueshme nga indeksi i potencialit motivues të punës, që përbën në të njëjtën kohë dhe motivimin e brendshëm të punonjësve, e cila shoqërohet me një korrelacion të fortë pozitiv ku koeficenti i Pearson-it r=0.455 dhe p value 0.000 që do te thotë se lidhja është statistikisht e rëndësishme.
Ky studim ka përcaktuar nëse ekziston një marrëdhënie pozitive mes projektimit të punës,motivimit dhe performancës duke marrë parasysh qasjen motivuese të projektimit të punës,por nuk ka përcaktuar efektin e vërtetë të projektimit duke qenë se ka marrë parasysh vetëm karakteristikat motivuese të punës. Aplikimi i një instrumenti që do të merrte parasysh kërkesat sociale dhe fizike të punës do të shpjegonte akoma më mirë natyrën e projektimit të punës për mësuesit, por jo vetëm.
Gjithashtu duke qenë se studimi është kryer vetëm në sektorin e arsimit publik interesante do të ishin gjetjet në sektorë të tjerë,si ai i sektorit të arsimit privat.
Ky studim duhet të shihet si një kontribut për të kuptuarit e përgjithshëm të perceptimit të punonjësve duke përdorur modelin e karakteristikave të punës në sektorin e arsimit.
Nga Emanuela Dervishi, Punonjëse Sociale
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Tronditjet në shoqërinë tonë shqiptare/ Përse të rinjtë po rriten “të mbyllur” në një shoqëri të hapur?
Portofoli i praktikës profesionale, profili Gjuhë shqipe dhe Letërsi
Prindërimi i suksesshëm, sfida më e madhe e familjes së sotme!