Manastirliu-Nagavci firmosin tekstin e unifikuar për Diasporën “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare" niveli II
Është nënshkruar nga MAS dhe MASHT vendimi i përbashkët për tekstin e unifikuar “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare" niveli II, për fëmijët shqiptarë në Diasporë. Kjo paketë vjen nga bashkëpunimi i dy shtëpive botuese, ndër më të njohura në trevat shqiptare, ALBAS dhe DUKAGJINI.
Është nënshkruar mes Ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, Arbërie Nagavci, vendimi i përbashkët për unifikimin e teksteve të mësimdhënies së gjuhës shqipe në Diasporë.
Ky vendim mes dy ministrive siguron që teksti i nivelit të dytë "Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare" të jetë i disponueshëm për fëmijët shqiptarë që mësojnë gjuhën shqipe në shkollat e Diasporës.
Kjo paketë që përmban një libër bazë dhe materiale të tjera plotësuese, vjen nga bashkëpunimi i dy shtëpive botuese, ndër më të njohura në trevat shqiptare, ALBAS dhe DUKAGJINI. Teksti është fitues i konkursit të shpallur nga Komisioni i Përbashkët i Shqipërisë dhe i Kosovës, MASR dhe MASHT, i koordinuar dhe i mbështetur nga Qendra e Botimeve për Diasporën.
Ministrja Manastirliu tha se grupmoshat e fëmijëve të klasave 4, 5 dhe 6, që jetojnë në vende të ndryshme në mërgatë, do ta kenë librin në duart e tyre në vitin e ri shkollor në 2024- 2025, ndërsa ajo pohoi se do të nis edhe konkursi për tekstin e Diasporës niveli III.
“Sot ne kemi pasur një kurorëzim të një pune të gjatë nga ekspertë dhe studiues të dy vendeve, të Shqipërisë dhe Kosovës në lidhje me tekstin e përbashkët ‘Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare’ për nivelin II, për grupmoshat e klasës së 4-6, i cili me vitin e ri shkollor në 2024- 2025 do të jetë në duar të fëmijëve, që janë në vende të ndryshme në mërgatë. Ne gjithashtu nisim konkursin për tekstin e nivelit të III, një punë që duam ta finalizojmë gjithashtu brenda këtij viti, duke përmbyllur kështu të gjitha ciklet e teksteve të përbashkëta”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, së Kosovës, Arbërie Nagavci duke falenderuar Ministren Manastirliu, vuri theksin te bashkëpunimi i mirë mes dy ministrive, rezultat i së cilës është dhe teksti i përbashkët “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare".
“Finalizojmë suksesshëm një punë të gjatë, jo të lehtë, që përfundoi me një produkt shumë të rëndësishëm dhe i vlefshëm për të gjithë fëmijët tanë në mërgatë”, - tha Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, të Kosovës Arbërie Nagavci.
Në vitin që Shqipëria e ka shpallur si Vitin e Gjuhës Shqipe, bashkëpunimi mes dy vendeve merr një rëndësi edhe më të veçantë. Aktivitetet e përbashkëta të zhvilluara, që përfshijnë seminare, konferenca dhe publikime të përbashkëta, dëshmojnë për konkretizimin e këtij bashkëpunimi.
Ministret e Arsimit të të dy vendeve, theksuan gjithashtu rëndësinë e aktiviteteve të përbashkëta në Diasporë dhe shfrytëzimin e potencialit të mësuesve dhe akademikëve në mërgatë. Kjo do të ndihmojë në përforcimin e identitetit kulturor dhe gjuhësor të diasporës shqiptare, si dhe në promovimin e vlerave kombëtare dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Festivali i Poezisë së Pabotueme
Shoku im Maksi
Writing competition “Fjalë grash”