Manastirliu me mësuesit e diasporës në Londër: Lartësoni identitetin kombëtar, mbështetje me libra falas dhe trajnime për mësuesit e gjuhës shqipe
Qeveria shqiptare financon rreth 5 mijë libra të “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” çdo vit për shkollat shqipe në diasporë. Përpos Niveli I të këtij teksti të unifikuar që tashmë është në duart e fëmijëve, së shpejti nis dhe shpërndarja e Niveli II dhe është hapur thirrja për tekstin e Nivelit III.
Gjatë vizitës së saj të fundit në Mbretërinë e Bashkuar, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim me mësuesit e gjuhës shqipe të mbledhur në Londër, për të kurorëzuar bashkimin e tyre në Lidhjen e Mësuesve Shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.
Ministrja Manastirliu shprehu kënaqësinë e saj për të qenë mes komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët jo vetëm që mbajnë gjallë gjuhën dhe kulturën shqipe mes brezave të rinj por edhe kontribuojnë në mënyrë aktive në përcjelljen e tyre.
“Është arritje e rëndësishme për të ardhmen e shkollave shqipe në Britaninë e Madhe bashkimi juaj në Lidhjen e Mësuesve në mërgatë. Jemi të angazhuar për t’iu mbështetur, jo vetëm me tekstet falas të gjuhës dhe kulturës shqiptare por edhe me trajnimet për mësuesit dhe certifikimin e këtyre trajnimeve”, tha Manastirliu.
Duke folur për bashkëpunimin e ngushtë me mësuesit në mërgatë, Ministrja e Arsimit dhe Sportit u shpreh se po punohet për plotësimin e regjistrit të mësuesve të diasporës për një bazë të plotë të dhënash, që do të lidhet më pas edhe me trajnimin e tyre të vazhdueshëm.
Mësuesit e gjuhës shqipe në Mbretërinë e Bashkuar kërkuan shkëmbim më të ngushtë me vendin amë, për të kontribuar në mënyre të ndërsjellë jo vetëm për mësimin e gjuhës shqipe në diaspore por edhe për të kontribuar në Shqipëri duke sjelle përvojat më të mira akademike që ata kanë në Mbretërinë e Bashkuar.
Qeveria shqiptare financon rreth 5 mijë libra të “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” çdo vit për shkollat shqipe në diasporë. Përpos Niveli I të tekstit të unifikuar “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” që tashmë është në duart e fëmijëve të diasporës së shpejti nis dhe shpërndarja e Niveli II dhe është hapur thirrja për tekstin e Nivelit III.
Kaltra Tafani
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Datat se kur do të bëhet zëvendësimi i orëve mësimore të humbura në muajin janar
“Njeriu lind i lirë, por kurdo ai është në pranga”
Roli i drejtorit në zhvillimin profesional të mësuesit