“Mami, u kënaqa sot! U solla mirë, do më marrësh sërish?”
Greisit i mjaftonte vetëm të ishte pranë meje. Nuk kishte rëndësi nëse ishte në një zyrë apo në një kënd me lojëra, nëse ishte në një klasë apo në dhomën e saj të ngrohtë. Mjaftonte që pranë saj të ndodhesha unë. Tani mjafton që pranë meje të jetë ajo.
Kur ngjitën shkallët dhe erdhën në sallën e trajnimeve në Albas menduam se ishin dy motra! Të dyja të bukura, të veshura me klas, kuptoheshin me një shikim dhe dukeshin plotësisht në harmoni me njëra-tjetrën. Por në fakt gabuam, ishte mësuese Eljana dhe vajza e saj Greis. Janë pothuajse të pandara dhe për to e vetmja gjë e rëndësishme është të jenë bashkë. Nuk ka rëndësi se ku, në seminar, në shkollë, në shtëpi, në rrugë... Ne biseduam me to dhe pamë se ato kanë shumë të përbashkëta. Njihuni me mësuese Eljanën dhe me 8-vjeçaren Greis.
Bashkëbisedim me mësuese Eljanën
Eljana ju jeni mësuese dhe nënë e dy vajzave. Ne kemi parë që shpesh herë ju shoqëroheni me vajzën në aktivitete të ndryshme? Përse?
Është e vërtetë, unë jam mësuese në shkollën e mesme “Sandër Prosi” ku jap lëndët Qytetari dhe Sociologji.
Jashtë punës time si mësuese unë jam një motër, jam një vajzë e dy prindërve të mrekullueshëm, jam një bashkëshorte dhe një nënë e dy vajzave të mrekullueshme siç janë Greis dhe Ajlin.
Me çfarë shoh, syrit tuaj nuk i ka shpëtuar fakti që unë në aktivitete të ndryshme jam pothuajse gjithnjë e shoqëruar nga vajza ime e madhe. Në fakt Greis është vetëm 8 vjeç, por për mua është një shoqe shumë e mirë. Gjithashtu, është bërë edhe një kritike shumë e mirë. Siç duket këtë e ka fituar nga eksperiencat që ka pasur. :)
Dikur, isha e detyruar që ta merrja me vete. Sa herë që unë largohesha për ndonjë angazhim timin, Greis mbytej në lot dhe nuk pushonte deri sa unë të kthehesha. Greisit i mjaftonte vetëm të ishte pranë meje dhe pastaj të tjerat nuk kishin më rëndësi për të. Nuk kishte rëndësi nëse ishte në një zyrë apo në një kënd me lojëra, nëse ishte në një klasë apo në dhomën e saj të ngrohtë. Mjaftonte që pranë saj të ndodhesha unë. Kurse tani që ajo është rritur disi, mjafton që pranë meje të jetë ajo.
Dëshironi që vajza juaj të njihet me“botën” tuaj jashtë dyerve të shtëpisë?
Më tepër se sa të njihet me botën time, do të preferoja që të njihej më mirë me botën e saj. Bota e fëmijëve është shumë e bukur. Ka kohë për botën e më të mëdhenjve. Është një botë disi e ashpër do të thosha. Por, unë mundohem t’ia bëj sa më të këndshme. Jo për t’i fshehur realitetin, por për t’i treguar se në botë ka gjëra si të bukura edhe të shëmtuara, varet se çfarë dëshirojmë ne të perceptojmë nga bota që na rrethon. Gjithnjë i them: “Mundohu të jesh pozitive, e çiltër, e thjeshtë, dhe ke për të parë që pranë vetes do të tërheqësh njerëz të tillë. Dhe kur të jesh mes tyre, do të shohësh se do të ndihesh mirë.”
Cilat janë komentet e vajzës teksa ju ktheheni në shtëpi pas një aktiviteti?
Në fakt është shumë interesant komenti i Greisit para aktivitetit. Kur duhet të shkojmë diku që përveç të tjerave duhet të kem dhe performancën bukur, Greis thotë: “Mami je bërë shumë e mirë sot.” Kjo vjen pasi jam konsultuar me të për veshjen, flokët, bizhutë etj. Në qoftë se ka diçka që nuk shkon, nuk kursehet të ma vërë në dukje menjëherë.
Ndërsa kur kthehemi për në shtëpi…-Mamiii… sa u kënaqa sot! Po u solla mirë do të më marrësh sërisht?
Ja si ju përgjigjet pyetjeve tona Greis.
Dëshironi t’i ngjani mamit? Përse?
Po dëshiroj, sepse mami im është shumë e mirë, e zonja, e zgjuar dhe më merr gjithmonë me vete.
Kur të rritesh do të bëhesh mësuese?
Jo. Sepse do shumë punë dhe kohë të jesh mësuese. Mami sa vjen në shtëpi duhet të merret me ditarin ose me provimet e nxënësve në shkollë dhe i ngel shumë pak kohë të luajë me ne.
Më pëlqen më shumë të bëhem piktore ose arkitekte sepse më pëlqejnë ngjyrat dhe rregulli.
Çfarë të pëlqen më shumë tek mami?
Më pëlqen se ajo është gjithmonë e gatshme për të më ndihmuar si mua, ashtu edhe motrën. Unë e di mirë që mami im është shumë e mirë, por këtë ma pohojnë gjithnjë edhe koleget e punës së saj sa herë që i takoj. Përveç të tjerave mami im është shumë e bukur dhe mendoj se ajo di gjithçka.
Si ndihesh teksa shoqëron mamin në aktivitet e saj?
Shumë mirë. Sepse për mua mjafton që jam pranë saj.
A të pëlqen të lexosh?
Po më pëlqen shumë. Sidomos librat e David Williams. Këtë verë kam lexuar librat: “Gjyshja gango” (D. Williams), “Dorëshkrimi misterioz i Nostramiusit”,“Një superfugon ngjyrë djathi” (Jeronim Stilton), “Fabulat e Ezopit”.
A t’i ka shkarkuar mami librat digjital në kompjuter në shtëpi?
Për momentin ka shkarkuar vetëm librin e saj Qytetari 10. Por, me ka premtuar se do të më shkarkojë edhe mua disa libra. Në fakt unë jam në klasë të tretë dhe edukata, gjuha apo teksti i diturisë së natyrës nuk janë të digjitalizuara. Do të më pëlqente shumë që të ishin të digjitalizuara dhe të kisha mundësi të merrja disa njohuri më shumë nga sa ka teksti.
Si të duket qytetaria që ke parë, të pëlqen libri i mamit?
Më pëlqejnë librat digjital se kanë kuriozitete dhe foto të cilat janë shumë interesante.
Çfarë do doje të kishe më shumë?
Do të më pëlqente të kishte më shumë figura dhe video.
Cili material i vendosur në librin digjital të pëlqen më shumë?
Më pëlqejnë kryesisht fotot.
Çfarë bën në kohën e lirë?
Bëj shumë gjëra si për shembull vizatoj, lexoj ndonjë libër jashtëshkollor, luaj me motrën me mamin, bëjmë maska ose luajmë shkollash. Por për motrën jam unë mësuesja.
(Portali Shkollor)
Hartimi i projektit kurrikular
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Kualifikimi i mësuesve sipas udhëzimit të ri