Intervistë

Lida, mësuesja e letërsisë që frymëzon gjimnazistët

Një intervistë me mësuesen e letërsisë në gjimnazin “Andon Zako Çajupi”, Elida Qenami për profesionin dhe frymëzimin që përçon ajo tek nxënësit.

Për të janë shkruar vargje, është frymëzim dhe model për nxënësit e saj, e duan dhe duan t’i ngjajnë. Quhet Elida Qenami dhe është mësuesja e letërsisë në gjimnazin “Andon Zako Çajupi”. Ne zhvilluam një bisedë me mësuesen për të kuptuar se si është ndërtuar kjo marrëdhënie me nxënësit dhe çfarë do të thotë për të të dijë që nxënësit ndikohen shumë nga ajo. “Besoj që jam një njeri që lufton përditë të përmirësojë veten dhe botën rrotull meje. Para se të jemi femra apo meshkuj, ne jemi njerëz, por ndoshta ata e cilësojnë kështu për shkak të shoqërisë ku jetojmë. Kjo shoqëri patriarkale, e frikësuar nga ndryshimet bën që një njeri mendje hapur të duket i jashtëzakonshëm. Besoj që tek unë nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, përveç ndërgjegjësimit të plotë për vlerën e jashtëzakonshme të lirisë së individit”, shprehet mësuese Lida.


Kënaqësi që u takuam së bashku mësuese Lida. Në konkursin e esesë ishin të shumtë nxënësit që shkruanin për ju, mësuese Lida i frymëzonte, i mbështeste, i këshillonte... Si ju bën të ndiheni ky fakt?

Së pari, dua t’ju uroj për nismën tuaj të konkursit eseistik për 7 Marsin. Ishte një mundësi e bukur për nxënësit, por edhe një kujtesë e bukur për të nderuar figurën e mësuesit që kaosi i vlerave dhe antivlerave të kësaj kohe e ka lënë disi në harresë. Tani po i kthehem pyetjes suaj. Përtej modestisë false, e di dhe e ndjej ndikimin tek nxënësit e mi, megjithatë e pohoj me bindje që ky ndikim nuk është i imi, por i lëndës sime të mrekullueshme. Letërsia të jep mundësi të tillë komunikimi që asnjë lëndë tjetër nuk i ka. Tek letërsia dhe jo tek unë ata gjejnë përgjigje për të gjitha pyetjet e tyre. Unë thjesht përpiqem t’i orientoj në këtë rrugë kërkimi që nuk mbaron kurrë. 


“Ajo është e mahnitshme kur shpjegon mësimin, kur bën analiza letrare dhe kur të "shkund" atëherë kur ti fillon ta lëshosh veten. Unë nëse do bëhem "dikush". Do bëhem dikush i mençur dhe i pamposhtur si mësuese Lida”, kështu shkruan një nxënës në esenë e tij, si ndiheni kur e lexoni dhe kuptoni mendimin e një nxënësi për ju?

Sigurisht  që ndjehem e emocionuar, nga ky fakt. Ndonjëherë madje kam frikë nga pohime të tilla. Edhe në orë realisht të shenjta të letërsisë, kujtohem t’ju them nxënësve pas analizash dhe interpretimesh të ndryshme, se ajo që ju them, nuk është e vërteta e fundme dhe absolute. Ata duhet të nxjerrin përfundimet e tyre, nga përvojat e tyre, vëzhgimet e tyre, bindjet e tyre mbi botën.

Është përgjegjësi e madhe që ata të të konsiderojnë si model për të ndjekur. Dhe këto pohime të vendosin përballë një përgjegjësie serioze ku nuk të lejohet të gabosh, edhe për të mos prishur tek ata modelin e krijuar. 


Çfarë e bën mësuese Lidën kaq të veçantë në sytë e nxënësve?

Ajo që më bën të tillë para tyre besoj se është mënyra sesi e shoh profesionin tonë, që për mua është mision. Në konceptin tim mbi mësimdhënien, mësuesi e sidomos ai i letërsisë duhet të artikulojë idenë e krijimit të një shoqërie të emancipuar, duhet të jetë në luftë të përditshme me format e vjetra të shoqërisë. Dhe besoj që duke i shtuar këtij koncepti pasionin për lëndën, komunikimin e ngrohtë, klimën e besimit, ata e duan këtë orë mësimi, e si pasojë më duan edhe mua.


A është e vështirë të ushtrosh një sërë “profesionesh” njëkohësisht para nxënësve? 

Kjo pyetje plotëson idenë e pyetjes së mësipërme. Letërsia është e tillë që kërkon të japësh edhe psikologji, sociologji, filozofi dhe histori e mbi të gjitha kërkon që mësuesi i letërsisë të jetë një njohës i mirë i shpirtit dhe mendjes së njeriut. Është një situatë komplekse, por nuk është e vështirë kur e dashuron atë që bën. Kur je para nxënësve dhe ndjen vështrimet e tyre të etur për dije që presin nga ty, gjithçka vjen ndryshe. Sidomos në një kohë të tillë kur shkolla, dija, vlerat e saj janë në pikëpyetje, mësuesi duhet të dalë nga kornizat e ngurta skolastike dhe të bëhet një udhëheqës shpirtëror i qytetërimit dhe vlerave njerëzore.


Ata të cilësojnë “një femër të jashtëzakonshme”, po ti mësuese Lida si e konsideron veten?

Besoj që jam një njeri që lufton përditë të përmirësojë veten dhe botën rrotull meje. Para se të jemi femra apo meshkuj, ne jemi njerëz, por ndoshta ata e cilësojnë kështu për shkak të shoqërisë ku jetojmë. Kjo shoqëri patriarkale, e frikësuar nga ndryshimet bën që një njeri mendje hapur të duket i jashtëzakonshëm. Besoj që tek unë nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, përveç ndërgjegjësimit të plotë për vlerën e jashtëzakonshme të lirisë së individit. 


Gjatë viteve të punës çfarë jeni përpjekur shumë që ta arrini?

Në gjithë këto vite do doja shumë që vizioni përparimtar që ofron letërsia për botën të përputhej me tre mjediset ku edukohet individi; shkolla, familja, shoqëria. E di që kjo është utopike, por nëse këto përputhen do të kishim një shoqëri të emancipuar, plot energji pozitive.

Përpiqem vazhdimisht që nxënësit të duan letërsinë, të nxiten të lexojnë sepse vetëm një mendje e hapur do ta bëjë jetën e tyre më të realizuar. Për këtë kërkoj vazhdimisht pjesët më interesante tek autorët që përcakton programi, për t’i bërë nxënësit kureshtarë që t’i drejtohen veprave të tyre. Megjithatë lënda e letërsisë është sa e bukur aq edhe e vështirë dhe ndonjëherë krijon keqkuptime të mëdha. Prandaj gjatë këtyre viteve, një nga gjërat më të vështira është mirëkuptimi i metodave të mësimdhënies përtej kornizave të ngurta dhe mirëkuptimi i temave dhe ideve delikate që prek letërsia. Duke përfituar nga kjo pyetje gjej rastin këtu të falënderoj drejtoreshën time aktuale për klimën e krijuar në shkollë që më mundëson të zbatoj programin në një formë jo të ngurtë që zakonisht huazohet nga traditat dhe sistemi i kaluar. 


Një mësuese që është shembull dhe frymëzim për nxënësit e saj, kë ka ajo frymëzim dhe shembull në jetë? Ju i ndryshoni nxënësit, po tek ju kush solli atë ndryshimin që ju bën kjo që në të vërtetë jeni?

Është e vështirë të kesh vetëm një shembull, një model me emër të përveçëm. Është një mozaik idesh e personazhesh të takuara në letërsi e në jetë që gradualisht bëhen modeli yt jetësor. Megjithatë unë jam rritur në një familje ku lexohej, e ku ende për ditëlindje apo festa dhurohen libra me dedikime të mrekullueshme nga im atë. Ndoshta këtu filloi edhe ky lloj modelimi që nuk do të mbarojë kurrë deri sa të kem frymë, pra në një fare mënyre modeli im është krijuar si një sintezë e vlerave të gjetura në bibliotekë. 


Nga të gjithë librat që keni lexuar cilin do të veçonit? Përse?

Është kaq e vështirë të veçosh mes klasikëve të papërsëritshëm, mes modernëve tronditës, mes poetëve drithërues.

Vazhdoj të mahnitem duke zbuluar pena gjeniale që shkruajnë aktualisht. 

Megjithatë tronditja e parë e fortë, ka qenë letërsia e Alber Kamy, të vërtetat ekzistenciale dhe zbulimi, ose më saktë artikulimi i absurdit prej tij, që më ndihmon të përballoj absurdin jetësor të përditshëm.


Çfarë do të donit t’u thoshit nxënësve nëpërmjet Portalit Shkollor?

Do të doja t’i ftoja drejt zbulimit të mrekullueshëm të leximit. Sigurisht që prirja drejt një bote virtuale është tendencë e kohës dhe ata nuk i shpëtojnë dot, por le t’i kërkojnë nëpër libra përgjigjet e kaosit që kanë brenda vetes sepse do t’i gjejnë udhëheqjen e duhur.

Letërsia është një rrugë shpëtimi, nuk është thjesht një lëndë mësimore edhe pse gjatë orës të mësimit ne detyrohemi të qëndrojmë në kornizat e programit.


(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)

20,676 Lexime
7 vjet më parë