Rregullat e reja

“Lëvizja paralele me detyrim dhe me dëshirë” procesi i shpjeguar nga eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku

Kjo është një guidë e thjeshtë për mësuesit në sistem që këtë vit dëshirojnë të kryejnë lëvizje paralele me dëshirë. Në ndryshim nga vitet e mëparshme, nuk është e nevojshme të noterizojnë dokumente apo t'i dorëzojnë ato më postë. Mjafton t'i ngarkojnë në Portal, në momentin që do të jetë aktiv.

 Lëvizja paralele me detyrim dhe me dëshirë nga Fiqiri Çifliku

“Sokrati: Lëviz vetë, përpara se të lëvizësh botën!”



Kreu V, i udhëzimit nr. 8, datë 3.5.2024, “Për procedurat e pranimit, të pezullimit dhe të largimit të mësuesit nga një vend pune, si dhe administrimit të portalit “Mësues për Shqipërinë”, i ndryshuar, rregullon procedura e lëvizjes paralele. 


Nëse në një institucion arsimor bie numri i orëve mësimore, kryhet vlerësimi i dosjeve për profilin/lëndën përkatëse me kontratë pune me afat të pacaktuar. Në shkollat e bashkuara vlerësimi kryhet për mësuesit e profilit/lëndës ku ka rënë ngarkesa mësimore në arsimit të mesëm të ulët ose në arsimit të mesëm të lartë, duke mos i përfshirë mësuesit AML dhe AMU në të njëjtën garë. (P.sh. nëse ngarkesa bie në AMU, atëherë gara zhvillohet vetëm me mësuesit që janë të emëruar në AMU dhe paguhen në AMU.) 


Lëvizje paralele me dëshirë kryhet vetëm brenda ZVAP-së ku mësuesi është i punësuar me kontratë pa afat të caktuar, pasi të kenë mbushur 2 (dy) vite në të njëjtin vend pune. Në qershor, mësuesi ngarkon në portal dokumentacionin, si më poshtë:


a) Libreza e punës; (Të gjitha faqet ku ka shënime. Kujdes, të jetë e plotësuar emërimi në institucionin ku punon!)

b) Certifikata e kualifikimit, e përfituar së fundmi që tregon nivelin më të lartë të kualifikimit;

c) Dëshmi të njohjes së gjuhës/ve të huaja;

d) Certifikatat me kredite. Mjaftojnë 3 kredite për të marrë tri pikë;

e) Vlerësimi i përfaqësuesve të prindërve;

f) Vlerësimi nga punonjësi/it e shërbimit psiko-social;

g) Vlerësimi i drejtorit të institucionit arsimor.


Nuk është e nevojshme të ngarkoni dokumente më shumë sa kërkohen më sipër, pasi nuk vlerësohen me pikë dhe nuk bëjnë asnjë diferencë, përkundrazi mund të ngarkojnë punën e anëtarëve të KVD-së që sjellin gabime në përllogaritjen e pikëve.


Edhe mësuesit e kulturës së përgjithshme të institucioneve të arsimit të mesëm profesional që janë punësuar nga portali “Mësues për Shqipërinë” ose para hyrjes në fuqi të udhëzimit për portalin, mund të aplikojnë për lëvizje paralele. Ndërkohë ZVAP-ja dhe shkollat profesionale koordinojnë punën për shpalljen e vendeve vakante për profilet e kulturës së përgjithshme edhe në institucionet e arsimit profesional. 


Në ndryshim nga vitet e mëparshme vlerësimi i dosjeve kryhet nga KVD-ja e DRAP-së, brenda muajit korrik dhe kandidatët renditen në lista të ndara. Vendet e lira të punës që janë krijuar brenda një ZVAP-je fillimisht u ofrohen për punësim mësuesve të cilët kanë ngelur pa ngarkesë mësimore (lëvizje paralele e detyruar) dhe më pas atyre të cilët kanë aplikuar për lëvizje paralele me dëshirë. 


Sipas këtij udhëzimi, në rast se në ZVAP-të e tjera të DRAP-së rezultojnë vende të lira pune, atëherë këto vende u ofrohen kandidatëve të papunësuar të të gjitha ZVAP-ve në juridiksion, të cilët kanë ngelur pa ngarkesë mësimore. Udhëzimi nuk e sqaron nëse lista e të gjithë kandidatëve do të jetë një listë të vetme për të gjitha ZVPA-të apo e ndarë.


Nëse në përfundim të këtij procesi mësuesi rezulton pa ngarkesë mësimore dhe mbeten të pasistemuar, i ndërpritet marrëdhënia e punës me të drejtën e konkurrimit vitin pasardhës nëpërmjet Portalit “Mësues për Shqipërinë”. 




©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,106 Lexime
5 muaj më parë