NDRYSHIMI

Letërsia shqipe, lënda e veçantë në arsimin parauniversitar

Futja e letërsisë si një lëndë më vete dhe shkëputja e saj nga gjuha, prej kohësh është diskutuar. Specialistët e fushës i kanë vërejtur të gjitha pasojat negative apo pozitive. Erget Cenolli, mësues i kësaj lënde sjell argumentat e tij.

Futja e letërsisë si një lëndë më vete dhe shkëputja e saj nga gjuha, prej kohësh është diskutuar. Specialistët e fushës i kanë vërejtur të gjitha pasojat negative apo pozitive, të kësaj ndarjeje. Erget Cenolli, mësues i kësaj lënde sjell argumentat e tij, pse kjo ndarje duhej të kishte ndodhur me kohë. 


Ecuria dhe zhvillimi i njerëzimit ka lëvizur me hapa të shpejtë ose të ngadaltë sipas ndryshimeve dhe ecurisë së kulturës. Dëshira për dije dhe zhvillim të mjeteve është cilësi vetëm e njeriut. Zgjerimi i njohurive është rezultat i shpikjes dhe përsosjes së mënyrës të të shkruarit. Pa mitet, legjendat, baladat, tabutë eufemizmat etj, njeriu nuk do ta kishte kapërcyer nivelin e gjallesave të tjera. Përosja e imagjinatës që u priu dhe udhëhoqi përsosjen e llogarive dhe veglave, e ka bazën tek lindja dhe zhvillimi i letërsisë. Sot ku shoqërinë e ka përmbytur etja për fitim, kjo tingëllon pak si e habitshme, por nëse hapim kapakun e të kaluarës së largët shohim se jemi bërë njerëz falë letërsisë dhe disi më pak edhe prej arteve të tjera.


Hapësira ku sot jetojmë, pra gadishulli Ilirik, ka qenë një prej vendeve të para ku lindi dhe u zhvillua letërsia. Kjo hapësirë në themel të saj gëlon nga mitet e krijimet e tjera të mëvonshme. Në këtë siujdhesë u ngritën shkollat dhe universitetet e para. Jo rastësisht fjala skoli (shkollë) lidhet me fjalën skop (shkop) skeptër etj dhe këto ndoshta janë një varg që fillon nga fjala skip e skipëtar. Me fjalën skop lidhet edhe fjala stil (që ishte një  shkop i vogël me anë të cilit romakët shkruanin mbi disa pllaka dylli); vetë skopi polli mjete të tjera shkrimi dhe të gjitha këto pa asnjë mëdyshje lidhen me letërsinë, pra gjërat e shkruara në gur, papirus, lëkurë dashi e më pas në letër, për të mbërritur sot në “letrën” digjitale.


Kur të vijmë tek fillimet e krijimtarisë letrare, nuk kemi si të mos ndalojmë tek mitet, legjendat e baladat për krijimin e mureve mbrojtës, që njeriu ngriti, sapo doli nga shpella. Edhe në këtë hap të prehistorisë mjedisi ku ne jetojmë është nga të parat vende që ngritën mure. Shembulli i qartë është  shpella e Trenit në krahinën e Devollit (qarku Korçë) e cila është banuar  shumë herët, aty gjenden nga qeramika gri deri tek ajo  e pikturuar. Arkeologoët kanë vërtetuar se, kodra nën të  të cilën ndodhet ajo shpellë  ka qenë rrethuar me mure shumë të hershme. E thënë me fjalë të tjera, porsa njeriu i fiseve (vëllazërive) të Trenit doli nga shpella, kapi majën e atij vendi dhe rreth tij ngriti mure mbrojtëse. (Shih vepren e Gj. Karaiskajt “5000 vjet fortifikime në Shqipëri. Logjika na çon në përfundimin se bashkë me muret e gurtë, njeriu ngriti edhe pirgjet shpirtërore, pra tabutë, eufemizmat, mitet, baladat. Një nga më të lashtat balada të njeriut është balada e murimit. Një krijimtari ku ngërthehen në vetvete poezia dhe romani. Më pas nga toka shqiptare kanë mbirë pafund metafora që krijuan një letërsi me shumë ide, ngajrje e personazhe. Sot këto na kanë ardhur në formë gojore, por besoj se janë të shkruara nëpër libra që duhen kërkuar, pasi një “dorë e fshehtë” është munduar të mos  i ekspozojë ndaj lexuesve. Fakti që bibliotekat shqipare kanë qenë mjaft të pasura, na e rrëfen prifti Guillelmus Adae (Brocardus Monacus), në librin me titull “Directorium ad passagium facienda”, botuar në vitin 1332 ku midis të tjerash, thuhet: “Shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinishtja, kanë alfabetin latin në përdorim dhe në tërë librat e tyre.” (Cituar sipas veprës së Dh.S. Shuteriqit “Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850”, Tiranë 1976). Pra, ashtu si gojëdhënat e para kanë lindur në këtë truall edhe janë shkruar këtu.


Nëse sot vendi dhe shoqëria shqiptare po përjetojnë një farë pengese në ecjen përpara, një prej shkaqeve kryesore është mosnjohja sa duhet e letërsisë shqipe. Mosnjohja e letërsisë kombëtare i bën njerëzit më pak të përgatitur për përballjet e jetës, pasi është një prej ushqimeve kryesore shpirtërore  të njeriut dhe dihet se, pa një përgatitje shpirtërore aftësitë e tij nuk janë të mjaftueshme. Kjo mosnjohje është rrjedhojë e programit shkollor për letërsinë, që është shumë i mangët në lëmë të studimt të letërsisë shqipe. Vetëm rreth 25% të këtij programi janë letërsi shqipe. Në këtë përqindje përfshihen pak autorë dhe vepra, të cilat merren e rimeren klasë pas klase, sidomos prej klasës së gjashtë deri në atë të dymbëdhjetë, vite në të cilat formohet individualiteti shkencor i nxënësve. 


Për ta riparuar këtë mangësi është e domosdoshme që letërsia shqipe të vendoset  krejtësisht më vete prej lëndëve të tjera me titullin: “Lënda e letërsisë shqipe prej klasës së gjashtë deri në klasën e dymbëdhjetë”.


 këtë lëndë duhet të analizohet pedagogjikisht, në mënyrë shumë të zgjeruar dhe të detajuar, letërsia shqipe e të gjitha kohërave. Një vend të rëndësishëm e të gjerë duhet të zërë letërsia gojore, me të gjitha shtresat dhe nënshtresat e saj. Më pas të gjitha të tjerat të ndara në etapa kohore. Është e rëndësishme përfshirja shumë e gjerë e autorëve dhe veprave të nga lashtësia, në ditët e sotme. Ka rëndësi studimi i veprave në original me të folmet dhe të shkruemet përkatëse, për të rrokur gjithë nuancat e dialekteve dhe nëndialekteve të gjuhës shqipe.


Studimi duhet të zhvillohet katër herë në javë. Po aq e domosdoshme është që libri i kësaj lënde të jetë unik dhe jo me alternative, si lëndët që zhvillohen sot në shkollë. Hartuesit duhet të jenë një grup i madh studiuesish dhe sidomos mësuesish qëtë kenë, të paktën, dhjetë vite përvojë në mësimdhënien e gjuhës shqipe dhe letërsisë. Gjithashtu kjo lëndë duhet të përfshihet në provimet e lirimit dhe maturës. 


Një pesëvjeçar pas futjes së Lëndës të Letërsisë Shqipe në arsimin parauniversitar, shoqëria jonë do të ndjejë frytete begata të kësaj pune. Shoqëria shqiptare do të bëhet më atdhetare, më e ndjeshme dhe më e motivuar në drejtim të ecjes përpara. 



(Mësuesi Erget Cenolli; Portali Shkollor)

5,642 Lexime
4 vjet më parë