Dedikim

“Letër dashurie drejtuar mbesës time në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor!”- nga Nora Malaj

“Ke emocione të forta se do të takosh shoqet e shokët dhe mësuese Julianën, me të cilën ke një komunikim për t’u admiruar. E do shumë, por asnjëherë nuk përfiton prej saj dhe respekton me korrektesë kodin etik të raportit, aq sa hera - herës më mahnit mënyra sesi vendos raportin e masës”.

Nga Nora Malaj 

(Leter dashurie drejtuar Soleit ne diten e pare te fillimit te vitit te ri shkollor! Tirane 2024, 9 shtator) 


Solei,

Ti je motivi më i bukur i jetës! 

Ylli i nënës, këtë foto e bëmë së bashku, një shkrepje e çastit teksa zbrisnim me ashensor, për të dhënë përqafimin e një nate të qetë, se nesër do nisje shkollën. 

E lexova emocionin e fortë që të kaploi teksa hapje dhuratat që të kishim blerë për fillimin e vitit të ri shkollor! 


Gëzimi të rrezatonte në çdo pjesë të trupit tënd dhe vështrimi yt ishte vështrimi i një njeriu të lumtur që do të shkoj te shkolla që aq shumë e do. 


Emocione të forta se do të takosh shoqet  e shokët dhe mësuese Julianën, me të cilën ke një komunikim për t’u admiruar. 


E do shumë, por asnjëherë nuk përfiton prej saj dhe respekton me korrektesë kodin etik të raportit, aq sa hera - herës më mahnit mënyra sesi vendos raportin e masës, ndonëse je shumë e vogël, ende nuk ke mbushur 9 vjeç! 


Ylli im dhe dashuria më e madhe në botë, teksa po te shkruaj këtë letër, në prag  të këtij viti të ri shkollor dua të shpreh tërë dashurinë që t’i na fal çdo ditë! Kam vendosur ta shkruaj këtë letër të parë, të këtij lloji për ty, pasi t’i tashmë di jo vetëm të shkruash e lexosh, por di dhe të interpretosh letrën.


Ti e vogla jonë, na lumturon e na bënë të ndjehemi krenarë! 

Po po, nga ty ne, gjyshërit e prindërit e tu mësojmë shumë. 

Kjo është një letër dashurie dhe mirënjohjeje për të treguar se sa shumë të duam.

Më pëlqen shumë, po shumë fare, që ti nuk lodhesh së dhëni dashuri dhe nuk kursehesh kur të kërkojnë ndihmë të rriturit. 


Të kujtohet sa u lodhëm të dyja atë ditë kur unë kisha vendosur të laja mbulesat e kolltukëve e t’i më the: “Nëna të ndihmoj unë, se ti nuk ke fuqi te duart“. Dhe e vërtetë, ti jo vetëm më ndihmove, por edhe më the, ma lër mua fshesën me korrent, se do t’i fshijë unë qoshet dhe të dyja bashkë në fund, kur u lodhëm, u ulëm në parket, pasi kishim larë e pastruar tërë ditën dhe e kishim lamburisur në çdo cep shtëpinë dhe kemi qeshur me të madhe, nga lodhja se nuk kishim fuqi të qëndronim në këmbë, aq sa na dolën lot nga të qeshurat...ha, ha, ha! 


Ti je vajza më e mrekullueshme dhe ne jemi gjyshërit më fatlum! 

Unë jam shumë po shumë krenare për ty e bukura ime, për tregimet dhe fantazinë tënde admiruese, për mënyrën sesi ti e sheh realitetin dhe e jeton kohën. 


Tregimi që ti ke krijuar në këto pushime me titullin “Akullorja bullizuese” është një shkrim fantastik, me një fantazi dhe me një situatë të jashtëzakonshme, që më bënë të jem shumë, po shumë krenare dielli im i bukur, për mënyrën sesi ti përshkruan dhe analizon situatat nëpërmjet fantazisë tënde. 

Te ti, zemra e artë e nënës, dashuria, gëzimi, hareja dhe serioziteti janë elemente që të bëjnë ty, ashtu si ccdo fëmijë tjetër, unik në botë! 


Nesër, ti diell i bukur do fillosh rishtazi shkollën. Teksa të shihja sesi sistemoje librat që i kishe mbështjellë aq me kujdes me ndihmën edhe të mami Stelës e të nëna Tanës, e teksa rregulloje fletoret, më tregoje me entuziazëm orarin dhe sesi do të ishte nesër dita jote e parë. Dhe unë të thashë: “Nuk ka gjë më të bukur sesa shkolla. Ajo do të mësojë që nesër ti ta shohësh botën me sy plot dritë dhe me besim te vetja!“. 


Më pas më bëre një pyetje: “Nena po ti kishe emocione kur ishe e vogël kur të fillonte shkolla?!“

Unë qesha me të madhe e të thashë: 

“Unë dhe tani kam emocione kur fillon shkolla. Kam emocione për ty, për shokët e tu, për mësueset e tua, për prindërit e tu, për të gjithë nxënësit e studentët e mi. Pse kot më thërrasin të gjithë “zysh Nora”, dhe të shkela syrin!”. 


Ti qeshe me atë të qeshurën tënde që nuk e ndërrojë me asgjë në botë dhe më the: 

“Hajde të zbresim tani se na pret Ari poshtë. Se argumenti im nuk të bindi shumë. Dhe më dhe leje të bënim këtë foto te ashensori, si kujtim të një dite para fillimit të vitit të ri shkollor dhe më dhe edhe leje ta publikoj, pasi ti i njeh të drejtat e autorit!


Po e mbylle këtë letër dashurie në prag të fillimit të vitit shkollor duke të thënë: 

Faleminderit për ekzistencën tënde, për guximin e mirësinë që të karakterizon! Faleminderit për dashurinë që na fal! 

Je e mrekullueshme dhe unë jam krenare që jam gjyshja jote dhe ne të gjithë jemi të bekuar me ty e shtrenjta jonë! 


Ta dish, zemër e bukur, se ne të gjithë jemi krahë teje për të të ndihmuar në sfidat e vështira, për të të inkurajuar në betejat e jetës, për të të falur dashuri pa kushte, për të rrugëtuar së bashku, duke të falur kujtime në rrugëtimin tënd në jetë dhe për të të dhuruar dashuri, që kur të rritesh, ta jetosh jetën me forcën e shpirtit, me zemrën e ngrohtë, por me mendjen e ftohtë, duke e shijuar atë, jetën, si muzikën e Vivaldit plot mirësi e begati! 


Suksese nesër në fillimin e Vitit Shkollor! 

Unë besoj te ty dhe ëndrrat e tua! 

Qofsh e bekuar e mira jonë! 

Të dua shumë Soleil! 

Vit të mbarë shkollor dielli im!

Le të shoqëroj tërë jetën tënde buzëqeshja jote diellore! 

Suksese dritë diellore!

Nga shoqja jote e ngushtë fareeeeee 

Nëna Nora

Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,174 Lexime
3 muaj më parë