VËZHGIM

Lejojini mësuesit të jenë të lumtur dhe të pasionuar pas punës që bëjnë...

Mësuesit e lumtur dhe entuziastë janë mësues të efektshëm. Rishikimi i pagës dhe avancimi në karrierë duke u shpërblyer, janë faktor të rëndësishëm për lumturinë e tyre. Por lumturia e vërtetë krijohet kur ata lejohen dhe nuk "pengohen" të japin mësim.

Funksioni kryesor i mësuesit është mësimdhënia dhe askush nuk mund ta zëvendësojë atë në klasë. 

Duhet të krijohet një mjedis i favorshëm pune që mësuesit të kryejnë punën e tyre. Qëllimi i punës mësimore përfshin planifikimin e mësimeve, përzgjedhjen e materialeve mësimore, vlerësimin e punës së nxënësve, menaxhimin e disiplinës dhe mbikëqyrjen e veprimtarive jashtëshkollore.


Por sot mësuesit kalojnë më shumë kohë se më parë në detyra didaktike shtesë. Dhe lista e këtyre detyrave është befasuese! Edhe pse lidhen me punën e tyre, ata harxhojnë kohë për t'u përgatitur dhe bashkëvepruar në klasë përballë nxënësve të tyre. 


Mësuesit dëshirojnë të zvogëlojnë ngarkesën e punës në shkolla. Ata kanë shumë nxënës, shumë shkresa dhe shumë pak kohë për të përgatitur literaturën dhe shumë takime, kurse dhe afate këto që krijojnë stres të shtuar. Shumë prej tyre janë të stresuar nga dokumentet dhe afatet e vendosura nga institucionet përkatëse arsimore. 


Mësuesit nuk duhet të jenë administratorë. Shkollat duhet të punësojnë administratorë ose asistentë për të menaxhuar këtë lloj pune. Shumica e shkollave shprehin nevojën për të hequr praktikat burokratike dhe dëshirën për të  përmirësuar mësimdhënien, e dëshmia më e mirë për këtë janë ankesat e shumta nga mësuesit. 


Mësuesit kanë ndikimin më të madh te nxënësit. Infrastruktura e mirë, objektet dhe pajisjet bashkëkohore në shkolla janë vetëm një plotësim i mësimdhënies së mirë. Sidoqoftë, këta faktorë nuk mund të zëvendësojnë rolin thelbësor të mësuesve në klasa.


Prandaj, lejoni mësuesit të mësojnë dhe shpërndajnë njohuri, aftësi dhe përvojë. Lejoni që ata të formojnë mendjet e reja, të transformojnë personalitetin e të rinjve dhe të zhvillojnë potencialin njerëzor. 

Dëshira e tyre e vetme është që t’i lejoni të jenë vërtetë të kënaqur dhe të pasionuar pas punës që bëjnë!


Mësues, viti 2021 ju qoftë i mbarë! 



Nanila Allkja Biçaku, kryeredaktore e Portalit Shkollor 



(Portali Shkollor) 

8,474 Lexime
3 vjet më parë