Seria

"Le të flasim hapur"

Kjo seri nxit fëmijët të zbulojnë ndjenjat e tyre dhe të flasin hapur për gjërat që ata i shqetësojnë. Edhe fëmijët shumë të vegjël kanë shqetësimet, frikërat e tyre, prandaj këta libra janë shkruar dhe janë ilustruar veçanërisht për ta

Edhe fëmijët shumë të vegjël kanë shqetësimet, frikërat e tyre, prandaj këta libra janë shkruar dhe janë ilustruar veçanërisht për ta. Prindërve dhe mësuesve u këshillohet t’i lexojnë këta libra me zë të lartë, ndërsa parashkollorët të dëgjojnë dhe të shikojnë ilustrimet me djem dhe vajza të çdo tregimi. Shumë fëmijë, në klasat e ulëta, mund t’i lexojnë vetë këto tregime.

A je i turpshëm?

Fëmijët të cilët janë të turpshëm, shpesh janë të shqetësuar dhe ndihen të keqkuptuar. Libri “A je i turpshëm?” i ndihmon djemtë dhe vajzat të kuptojnë se ka shumë mënyra me të cilat ata kapërcejnë ndjenjën e turpit. Ata nuk duhet të vihen në siklet, nëse u mbahet goja ose nëse skuqen kur pyesin për diçka. E rëndësishme është që ata të shprehin hapur mendimin e tyre. Libri “A je i turpshëm?” i ndihmon fëmijët të kuptojnë se ndjenja e turpit do të zhduket pak nga pak, nëse ata përpiqen të shprehin atë që mendojnë.

Atë ditë kur humba dhe më gjetën

Të humbësh në një vend publik, ku të duket e pamundur që mami dhe babi të të gjejnë, është e frikshme dhe e rrezikshme. Një përvojë të tillë mund ta kalojë edhe fëmija më i vogël i familjes. Libri “Atë ditë kur humba dhe më gjetën” tregon historinë e një vajze që humbet në një panair. Ajo qan dhe e kap paniku. Vajzën e ndihmon një polic, i cili e çon në një qendër, ku kujdesen për fëmijët e humbur. Pas pak, atje mbërritën mami dhe babi dhe të gjithë u ndien të lumtur. Libri “Atë ditë kur humba dhe më gjetën” i nxit fëmijët dhe prindërit të caktojnë një vendtakimi, sa herë shkojnë në një vend të madh.

Kujtoj qenin tim

Ne lindim, jetojmë dhe pastaj vdesim. E njëjta gjë ndodh edhe me kafshët shtëpiake. Libri “Kujtoj qenin tim” na njeh me dashurinë dhe gëzimin që kemi për një kafshë shtëpiake dhe më pas trajton përballjen me humbjen e saj, e cila është e dhimbshme për të gjithë familjen, por sidomos për fëmijët. Vdekja e kafshës shtëpiake përgjithësisht, përvoja e parë kur fëmijët ndeshen me dukurinë e vdekjes. Një ndodhi kaq tronditëse shkakton tek fëmijët një mori ndjenjash, të cilat ata nuk arrijnë t’i kuptojnë dot. T’i lejosh fëmijët që të shprehin ndjenjat e inatit dhe të trishtimit, është shumë e rëndësishme në procesin e shërimit të tyre shpirtëror.

A ke ndonjë sekret?

Sa mirë është të mbash një sekret... por nëse ky sekret të bën të ndihesh mirë ty dhe dikë tjetër. Ky është një sekret i mirë. Por, nëse ke ndonjë sekret që ty të mundon...një sekret që të shqetëson ose të frikëson... është më mirë t’ia thuash dikujt që ti i beson. Mund të jetë pak e vështirë t’ia rrëfesh atë mamit, babit ose mësueses. Por, është mirë të bëhesh trim dhe t’ia thuash. Sapo ta bësh këtë, do të ndihesh më mirë.

Ngjyrat e ylberit

Ylberi ka shumë ngjyra dhe secila ngjyrë është e ndryshme nga të tjerat. Edhe ne njerëzit jemi pak a shumë si ngjyrat e ylberit, sepse secili prej nesh është i ndryshëm dhe i veçantë. Forma e syve, ngjyra e lëkurës, madje edhe ushqimet që na pëlqejnë, janë ato që na bëjnë të ndryshëm. Por, gjithashtu, ne jemi shumë të ngjashëm. Ne kemi ndjenja, mendime, shpresa, dëshira dhe ëndrra; ne qeshim kur jemi të gëzuar dhe qajmë kur jemi të mërzitur. Kur njerëzit nga e gjithë bota bëhen bashkë, ata krijojnë një pamje të mrekullueshme, njësoj si ylberi. Ndaj le të bashkohemi, që të krijojmë një ylber! Le të festojmë për të përbashkëtat dhe ndryshimet tona!

Shoqja ime ka sindromën daun

Ky libër rrëfenhistorinë e dy vajzave që takohen në një kamp veror dhe zënë miqësi të ngushtë; pavarësisht se njëra prej tyre ka sindromën Daun. Të dyja vajzat tregojnë se janë të afta të bëjnë mirë diçka dhe kjo e ndihmon secilën të kapërcejë frikën dhe vështirësitë, duke arritur sukses. Libri “Shoqja ime ka sindromën daun” jep mesazhin se të gjithë fëmijët meritojnë t’u jepen mundësi për të shfaqur gjithë potencialin e tyre dhe për të krijuar marrëdhënie shoqërore afatgjata. Vetëm se duhen thyer disa nga kufinjtë që ekzistojnë midis fëmijëve; çdo fëmije, në çfarëdo rasti, i pëlqen të arrijë të përkryerën, duke bërë më të mirën për veten.

Mami është sëmurë

Të mësosh se mami ka kancer është një përvojë e frikshme për një fëmijë. Djali i vogël i kësaj ndodhie pyet veten: “Mos është faji i tij që mami ka kancer? Si do të ndryshojë jeta e tij dhe e gjithë familjes së tyre?”. Ky libër nxit prindërit të jenë të hapur dhe të çiltër me fëmijën e tyre, edhe kur duhet të tregojnë se njëri nga prindërit ka kancer. Prindërit e djalit i shpjegojnë atij që mami do t’i nënshtrohet kimioterapisë dhe, duke luftuar sëmundjen dita-ditës, gjithçka do të shkojë mirë. Si përfundim, mami shërohet, por djali duhet të kuptojë se kanceri edhe mund të rikthehet. Ky libër i bën fëmijët të kuptojnë se kanceri është gjendje shëndetësore serioze. Po ashtu, i ndihmon ata të kuptojnë se po të mbështeten gjithmonë te prindërit, do ta kenë më të lehtë të largojnë ankthet dhe të shprehin emocionet e tyre. Nga ana tjetër, fëmijët ndihen të vlerësuar kur kuptojnë se dhe me sjelljet e tyre mund të ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes së të rriturit që është sëmurë.

Babi do të martohet

Fëmijët me prindër të divorcuar ndonjëherë çorientohen dhe shqetësohen, veçanërisht kur njëri nga prindërit vendos të rimartohet. Libri “Babi do të martohet” tregon historinë e një vajze, prindërit e së cilës janë divorcuar. Por ndërkaq, babi po martohet me dikë tjetër. Si ndihet vajza për këtë? Zakonisht, kur njëri nga prindërit martohet, fëmija ndihet i turbulluar. A duhet të gëzohet? A duhet të mërzitet? Mos prindi po e braktis? Libri “Babi do të martohet” i bën vajzat dhe djemtë të kuptojnë se, edhe pse prindërit rimartohen, ata përsëri do të vazhdojnë t’i duan dhe t’i takojnë ata.

Edhe mami punon

Të gjitha mamatë punojnë. Sido të jetë rasti, edhe nëse një mama zgjedh të punojë për shkak të problemeve financiare apo se ajo do të ndihet e plotësuar si grua në punën e saj, të gjitha këto arsye fëmija duhet t’i njohë, që të mos i vlerësojë si të gabuara. E rëndësishme është që asnjë arsye nuk duhet gjykuar si e mirë apo e keqe; ajo duhet matur me dobinë që sjell puna e prindit në shtëpi. Pikërisht këtë kuptim synon ky libër.

Kur mami dhe babi harruan të ishin miq

Prindërit e mi dikur ishin shumë miq dhe unë ndihesha e lumtur. Ne çdo gjë e bënim së bashku. Më pas, gjërat filluan të ndryshonin. Prindërit e mi ishin gjithnjë të mërzitur me njëri-tjetrin dhe vetëm grindeshin. Nisa të mendoj se ishte faji im që prindërit e mi nuk ishin më shokë; por tani e kuptoj se është më mirë që secili të jetojë në shtëpi më vete. Çfarëdo që të ndodhë, mami dhe babi im do të jenë prindërit e mi... dhe, për më tepër... ata gjithmonë do të më duan mua.

Gjyshërit e mi janë të veçantë!

Fëmijët ndihen shumë të veçantë, falë lidhjes së dashurisë dhe afrimitetit që kanë me gjyshërit. Ky libër tregon një histori të përzemërt të një fëmije dhe të gjyshërve të tij. Djemtë dhe vajzat nxiten të vlerësojnë marrëdhënien që ata kanë me gjyshërit dhe të ruajnë kujtime të dashura, ndërsa koha kalon dhe ata rriten. Libri i ndihmon fëmijët të mësojnë për sfidat e moshës me të cilat përballen gjyshërit e tyre, me qëllim që ata të kuptojnë dhe vlerësojnë të moshuarit në përgjithësi.

Vëllai im është autik

Të rritesh në një familje me një fëmijë me autizëm mund të jetë e vështirë, por pjesa më e madhe e familjeve, përpiqen ta kalojnë këtë sfidë. E rëndësishme është që fëmijët, vëllai ose motra, të kuptojnë sa më shpejt problemet që kanë lindur dhe të zbulojnë se dashuria, durimi dhe sensi i humorit, janë aftësi jetësore të qenësishme, tëcilat do t’u hyjnë atyre në punë gjatë gjithë jetës. Ky libër tregon për një djalë, vëllai i të cilit Beni, është me autizëm. Kur ai vihet në vështirësi nga sjelljet e tij në sy të shokëve të klasës, i kërkon mësueses t’u flasë atyre për autizmin. Me ndihmën e mësueses, fëmijët mësuan se shumë njerëz me këtë sëmundje kanë zhvilluar aftësitë e tyre të veçanta, duke u ndier të vlefshëm e të vlerësuar.


Blini online librin duke klikuar në www.librarialbas.al


(Portali Shkollor)

2,611 Lexime
7 vjet më parë