
Albas pjesë e trajnimit në Athinë me temë “Metodat e mësimdhënies në kushtet e dygjuhësisë”
Shtëpia Botuese Albas mori pjesë në seminarin "Metodat e mësimdhënies në kushtet e dygjuhësisë" në Athinë, organizuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën dhe Ambasada e Shqipërisë. Gjatë trajnimit, u diskutua për përdorimin e teksteve "Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare" në mësimdhënie.
Shtëpia Botuese Albas mori pjesë në seminarin e organizuar në Athinë me temë "Metodat e Mësimdhënies në Kushtet e Dygjuhësisë", i cili u zhvillua gjatë fundjavës që lamë pas. Ky seminar u realizua nga Qendra e Botimeve për Diasporën në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Greqi.
Ky seminar bëri bashkë 85 mësues të kurseve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe nga e gjithë Greqia, të cilët ishin prezentë fizikisht dhe virtualisht, si dhe ekspertë nga Shqipëria dhe diaspora shqiptare.
Në hapje të seminarit, të pranishmit i përshëndetën figura të rëndësishme të fushës së arsimit dhe kulturës, mes të cilëve znj. Luela Hajdaraga, ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Greqi; znj. Marina Kaishi, profesore dhe koordinatore akademike e Universitetit “New York College” në Athinë; znj. Mimoza Hysa, drejtoreshë e Qendrës së Botimeve për Diasporën; dhe znj. Klarita Selmanaj, kryetare e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi.
Një pjesë e rëndësishme e këtij trajnimi ishin seancat informuese dhe trajnuese të mbajtura nga ekspertë të fushave të ndryshme.

Znj. Rita Petro, bashkautore e teksteve “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” për nivelet I dhe II, së bashku me znj. Ervisa Paloka, redaktore e këtyre teksteve, dhe znj. Aurela Konduri, autore e librit të mësuesit, ndanë përvojat e tyre në lidhje me përdorimin e këtyre materialeve gjatë procesit mësimor, duke ofruar udhëzime të dobishme për mësuesit që punojnë me nxënës që mësojnë në dy gjuhë.


Ato gjithashtu u ndalën edhe te digjitalizimi i paketave për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare kudo në botë, aq të pasura me materiale audio, video etj.

Pjesëmarrja e Shtëpisë Botuese Albas në këtë trajnim vjen si pjesë e një serie të ngjashme aktivitetesh, të zhvilluara në qytete të tjera europiane si Cyrih dhe Milano, dhe thekson angazhimin e saj të vazhdueshëm për përmirësimin e arsimit dhe kulturës shqiptare jashtë vendit.
Ndërkohë gjatë trajnimit në Athinë, fjalën e morën edhe specialistë të tjerë në fushën e mësimdhënies në kushtet e dygjuhësisë.
Znj. Linda Mëniku, profesoreshë e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës, në seancën “Metodat e Mësimdhënies në Kushtet e Dygjuhësisë”, prezantoi metoda të avancuara për mësimdhënien e gjuhës shqipe në kushte dygjuhësie, duke theksuar rëndësinë e integrimit të elementëve kulturorë dhe didaktikë.
Znj. Erida Koleci, përfaqësuese e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, i njohu pjesëmarrësit me udhëzuesin “Për zhvillimin e mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në kuadër të programit mësues për Greqinë”, duke shpjeguar strukturën dhe përmbajtjen e këtij udhëzuesi të rëndësishëm.
Një tjetër seancë interesante u mbajt nga z. Stavri Dajo, doktor i shkencave të historisë në Universitetin Aristoteli të Selanikut, i cili prezantoi temën "Interesi shkencor dhe akademik për gjuhën shqipe në Greqi përgjatë viteve (1945-2024)", duke ndarë të dhëna statistike dhe diskutuar mbi zhvillimin e studimeve të gjuhës shqipe në këtë vend, si dhe certifikimin e të nxënit të saj në Institutin e Studimeve Balkanologjike të Selanikut.


Seminari përfundoi me shpërndarjen e certifikatave të pjesëmarrjes për të gjithë të pranishmit, duke vlerësuar angazhimin dhe interesin e madh për zhvillimin e mësimdhënies në kushte dygjuhësie.
Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
"Më quajnë Nexhmije Pagarusha", intervistë me autoren Meliza Krasniqi
Klubi “Miushi lexues” rinis takimet në librarinë Albas me librin “Izadora Mun shkon në shkollë”
Romani “Rini pa rini”, botim i ri nga Albas