Le ta fillojmë me këmbë të mbarë
Në një farë mënyre jeni ju karburanti, me kureshtjen tuaj, me entuziazmin, me pyetjet tuaja, inteligjente ose jo, me sytë që ju ndrisin kur zbuloni diçka të re: "Vërtetë zysha? Oh si ka mundësi?"
- Gjimnazistëve, (por sidomos maturantëve)
Ja pra po fillon. Nuk ka më zgjime më 11 e chat-ime deri pas mesnate.
E në fakt filloi shkolla. Ne mësuesit jemi aty, pas katedrës me vështrimet tona hetuese, ende të papërqendruara si duhet. Ktheheni në shtëpi të trullosur pas ditës së parë të mësimit, sepse gushti tjetër ju duket një jetë larg. Ç'është e vërteta ju duhet pak kohë e fuqi t'i ktheheni klasës, orarit, shënimeve, mësimit...Po, po ashtu është, ju duhet pak kohë, por ama me njëri tjetrin alkimia merr zjarr me një vështrim....ose... me një sms (Ah me fal, ta kam nisur gabim..oh, po pse ty ta nisa? Doja t'i shkruaja Lirës...)
Por duhet thënë se edhe mes nesh, mësues e nxënës, ka raste kur nis me një sinkroni-le ta themi hapur- që ndonjëherë është vërtetë emocionuese, sado që përpiqemi të shmangemi, apo të fshehim atë që ndjejmë.
E di, pjesa më e madhe varet nga ne mësuesit. Jemi ne para të cilëve ju duhet të flisni, jemi ne që ju korrigjojmë, që ju nxisim e që shpesh jemi në anën tjetër, atë të vështrimit të ftohtë. E di...por është kaq bukur që ndërsa ritakohemi në një ditë si kjo e nisjes, kemi shansin të rrëzojmë me një fjalë apo një lëvizje, gjithë muret që i ngremë pa dashur përgjatë një viti. Është ky një pohim pozitiv, i paartikuluar, një konfirmim racional që ne si persona i bëjmë dukurisë aq njerëzore, përultësisht emërtuar empati.
Përgjatë viteve, kam konfirmuar pikërisht këtë deduksion, ju keni nevojë për të: keni nevojë të mbroheni në gabimet tuaja, të vlerësoheni kur ia dilni mbanë, të liheni të lirë në zemërimin tuaj. Veçse e gjitha kjo kërkon shumë, shumë energji.
Në një farë mënyre jeni ju karburanti, me kureshtjen tuaj, me entuziazmin, me pyetjet tuaja, inteligjente ose jo, me sytë që ju ndrisin kur zbuloni diçka të re: "Vërtetë zysha? Oh si ka mundësi?"
Ja pse ka shkëndija mes nesh, sepse ne kemi detyrimin t'ju lemë të lirë, të lirë të ngrini zërin tuaj, në fund të fundit secili nga ju është i ndryshëm nga tjetri dhe nga ne të tjerët: Albi që sheh gjithmonë jashtë dritares, por që ka ndërtuar vetë një go-cart; Megi e rregullt dhe e kujdesshme në çdo gjë, gati perfeksion; Klerti me batutat e tij zjarr e që mërzitet pas çdo 5 minutëshi; Miela gjithmonë shpotitëse dhe kritizere, gati për të mbrojtur gjithë botën; Klajdi përherë me një libër në dorë, në kërkim të tri minutave për të lexuar një paragraf më shumë... pastaj Arijoni, Olivia, Geri, Irsiela, Andi ...
Në vite keni ndryshuar dhe tani jeni absolutisht grupi më heterogjen, me gjithë nuancat e ngjyrave, zakoneve dhe eksperiencave, por jeni njëkohësisht grupi më kompatibël para syve të mi. Mua më duhet të fitoj krejt vëmendjen tuaj për minuta, orë e muaj mbi atë gjë aq komplekse e ndonjëherë të mërzitshme, para botës suaj që ka një tjetër univers në qendër. Ju na mësoni se shkolla nuk është një sjellje, është shumë sjellje, shumë ngjyra, shumë energji, shumë të përpjeta e të tatëpjeta.
Eh, ç'është e vërteta edhe argëtohemi bashkë, le të jemi të drejtë. Po ne mësuesit jemi ata që përfitojnë më shumë. Po, po besomëni. Ne harrojmë të plakemi. Kjo bota jashtë nesh që me kalimin e viteve është bërë më e vështirë dhe më e komplikuar, sikur rrëshqet dhe sfumohet para rinisë suaj që e mban larg tryezës sonë, ndonjëherë të rënduar nga shënimet e mendimet.
Kjo është forca juaj. Brenda vetes keni thesar, dhe jashtë jush është e ardhmja që thërret.
Gjimnazistë, qofshi 16, 17, apo 18 vjeçarë, në gjimnaze, në shkolla profesionale, në qytete apo fshatra, ju keni mundësinë që të ardhmen tuaj ta vizatoni me ngjyrat më të bukura e më të kthjellëta të universit. Duke nisur nga dita e parë e shkollës.
(Natasha Shuteriqi Poroçani, Portali Shkollor)
Mblidhet Këshilli Kombëtar i Arsimit Paraunivesitar, Manastirliu: Gati dokumenti për modernizimin e kornizës kurrikulare
9 karakteristikat e një mësuesi të mirë
“Bëjmë detyrat e shtëpisë”