Laps kimik apo stilolaps?
E përdorni shpesh leksemën “laps kimik”, por në fakt ju duhet ta dini se në vend të saj duhet të përdoret krejt një leksemë tjetër.
Një numër shumë i madh profesionistësh e përdorin zakonisht një leksemë të tillë në bisedat e tyre të përditshme, ose edhe në institucionet shtetërore ku ata punojnë.
U ka kaluar në shprehi tashmë dhe me të madhe përdoret po e njëjta leksemë edhe nga nxënësit, edhe nga vetë arsimtarët e tyre.
Ky formim leksikal është ndërtuar sipas gjedhes së huaj me rrugë përkthimi nga gjuhët sllave (maqedonishtja a serbokroatishtja: “hemijska olovka”) dhe në shqipen letrare si i këtillë, sipas Qemal Muratit, është një kalk i panevojshëm. Në vend të termit “laps kimik” duhet të përdoret leksema “stilolaps” (një kompozitë e formuar prej dy pjesësh: stilo+laps). “Stilo+laps” do të thotë “lapsi që shkruan si stilograf”.
Kuptimet e leksemave “stilolaps” dhe“stilograf”, sipas FGJSSH-së:
I. STILOLAPS m.
Lloj lapsi që shkruan me bojë, i përbërë nga një gyp i hollë i mbushur me bojë të trashë dhe nga një majë prej metali; laps që shkruan si stilograf.
II. STILOGRAF m.
Mjet për të shkruar, i përbërë nga një gyp që mbushet me bojë dhe nga një majë pene prej metali, tek e cila boja shkon vetiu.
Në FGJSSH është regjistruar edhe fjala“stilokalem”, por kjo fjalë jepet me një përdorim të kufizuar e përdoret shumë rrallë dhe në vend të saj gjithsesi duhet të përdoret leksema “stilolaps”.
Vini re!
Përdoret: Laps kimik. P.sh.: A e ke një laps kimik? Ai shkruan me laps kimik.
Duhet: Stilolaps. P.sh.: A e ke një stilolaps? Ai shkruan me stilolaps.
(Nga: MA. Mentor Hajrizi, Portali Shkollor)
Përdorimet e gabuara të apostrofit/Si ta përdorim drejt apostrofin
DIGJITAL apo DIXHITAL?
Gabime në përdorimin e trajtave të shkurtra në gjuhën shqipe