Kushtetet e papërshtatshme në shkollën “Havzi Nela”, Kukës
Përfaqësia e nxënësve dhe e prindërve letër institucioneve përgjegjëse për situatën e vështirë në të cilën pritet të nisë viti i ri shkollor. Kushtet bëhen pengesë për frekuentimin e shkollës.
Kërkesë drejtuar Drejtorisë së Shkollës së Mesme “Havzi Nela”, Kukës
Tiranë më: 08.09.2016
Drejtuar:
- Drejtorisë së Shkollës së Mesme “Havzi Nela”, Kukës
- Bashkisë Kukës
- DAR Kukës
- Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë, Kukës
- Inspektorati Shëndetësor Shtetëror, Kukës
Lënda: Kërkesë
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të sipërpërmendura, përmes kësaj kërkese dëshirojmë t’ju vëmë në dijeni të disa problemeve dhe mungesave shqetësuese që ne, si një grup përfaqësuesish të nxënësve të Shkollës së Mesme “Havzi Nela” dhe prindërve, kemi hasur gjatë vitit shkollor 2015-2016 brenda ambienteve të shkollës.
1. Në shkollë po hasim vështirësi serioze në lidhje me kushtet higjieno-sanitare, në atë masë sa fillojnë të bëhen pengesë e frekuentimit të mësimit, sidomos për vajzat, pasi tualetet që janë në dispozicion, janë të degraduara, jofunksionale dhe jashtë çdo norme higjieno-sanitare dhe jo në numrin e duhur. Ne si nxënës të shkollës gjatë vitit shkollor e kemi patur jashtëzakonisht të vështirë të ndjekim mësimin pasi jemi detyruar që nevojat personale t’i kryenim jashtë ambienteve të shkollës, në baret rreth e përqark apo edhe duke u munduar të mos i kryejmë deri në momentin e përfundimit të mësimit dhe kthimit për në shtëpi, duke rrezikuar shëndetin dhe mësimnxënien. Jemi të ndërgjegjshëm që ajo që lexohet në rreshtat më sipër është sa e rëndë dhe po aq absurde dhe pikërisht për këtë arsye jemi të vendosur që këtë problem ta adresojmë në të gjitha instancat apo institucionet përkatëse. Dëshirojmë të shtojmë se ne jemi pjesë e komunitetit dhe familjeve tuaja, pra jemi fëmijët tuaj.
2. Problemi i dytë, i cili kërkon zgjidhje të menjëhershme është ai i ngrohjes. Në Shkollën e Mesme “Havzi Nela”, dimrin e kaluar ngrohja ka qenë pothuajse e papërfillshme dhe aspak efikase, pasi lënda drusore e vënë në dispozicion ka qenë e pamjaftueshme si në sasi, por edhe në cilësi (e njomë dhe e pa prerë), fakt ky që e ka bërë të pamundur djegien apo ndezjen e mirëfilltë të sobave e për pasojë mungesën e ngrohjes së klasave dhe mjediseve të shkollës dhe tymosjen e tyre. Ju informojmë se gjatë dimrit ishim ne si nxënës që u morëm me prerjen e druve, duke humbur mësimin e orës së parë dhe duke rrezikuar të lëndohemi fizikisht.
3. Problemi i tretë për të cilin duam t’ju vëmë në dijeni është ai i palestrës së Shkollës së Mesme “Havzi Nela”. Ambienti i brendshëm i palestrës dhe i jashtëm është jashtë çdo norme të lejueshme dhe nuk mund të përdoret nga mësuesit për zhvillimin e lëndës së edukimit fizik. Aktualisht zhvillimi i lëndës së edukimit fizik është i cunguar dhe i rrezikuar.
Dëshirojmë të theksojmë se ashtu sikurse përshkruhet edhe tek lënda e kësaj shkrese, kjo e fundit nuk ka kurrsesi asnjë qëllim për të krijuar keqkuptime apo pretendime të tepërta, kërkojmë thjesht të respektohen kushtet minimale të zhvillimit të mësimit si një e drejtë e mbështetur nga ligji në fuqi.
Ndaj, duke u bazuar në sa më sipër dhe duke u bazuar edhe tek të drejtat e zhvillimit të mësimit në kushte normale higjieno-sanitare.
Kërkojmë :
1. që të ndërhyhet sa më parë për të normalizuar situatën, duke kryer me urgjencë punimet e nevojshme për riparimin dhe shtimin tualeteve të nxënësve në mënyrëqë të jenë të mjaftueshme për numrin e nxënësve të shkollës dhe të garantohen kushtet higjieno-sanitare e të sigurohet ujë i rrjedhshëm gjatë orëve të zhvillimit të mësimit;
2. furnizimin në kohë dhe në parametrat e duhura, sasiore dhe cilësore (lëndë drusore e thatë dhe e prerë, e gatshme për përdorim), në mënyrë që ne, nxënësit, të mos humbasim kohë dhe mos të merremi me çarjen e tyre;
3. të ndërhyhet menjëherë për riparimin dhe kryerjen e punimeve të nevojshme, në mënyrë që palestra e shkollës të jetë funksionale, e pajisur me bazë material dhe brenda parametrave të duhura në lidhje me sigurinë e nxënësve dhe të punonjësve.
Në mbyllje të kësaj kërkese dëshirojmë t’ju nënvizojmë faktin se ajo që kërkohet është jashtëzakonisht urgjente dhe kërkon një ndërhyrje nga ana juaj po aq urgjente, pasi viti i ri shkollor fillon vetëm pas disa ditësh ndaj kërkohet një angazhim i shpejtë nga ana juaj.
Mbetemi në pritje të një përgjigjeje sa më të shpejtì dhe të një zgjidhjeje nga ana juaj,
Me respekt,
Përfaqësia e nxënësve dhe e prindërve.
Hartimi i projektit kurrikular
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Kualifikimi i mësuesve sipas udhëzimit të ri